Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Qori: Kurrë s’ka pasur protesta kaq të mëdha që s’janë nisur nga partitë në Shqipëri, Rama të japë dorëheqje

Arlind Qori

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Arlind Qori, ka deklaruar se në Shqipëri po zhvillohen protestat më të mëdha qytetare të organizuara ndonjëherë jashtë strukturave partiake, duke theksuar se kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama po artikulohet gjithnjë e më fuqishëm nga qytetarët.

Sipas Qorit, protestat aktuale përfaqësojnë moment historik për shoqërinë shqiptare, pasi për herë të parë po shfaqet një mobilizim masiv me kërkesa të forta politike, por pa drejtim partiak.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Qytetarët do të kenë vullnetin dhe gatishmërinë për të çuar përpara një proces historik protestash. Në Shqipëri nuk ka pasur më parë protesta kaq të mëdha që nuk janë nisur nga një parti politike dhe protesta njëkohësisht që kanë kërkesa kaq të forta politike, pa qenë protesta partiake. Janë të qytetarëve dhe qytetarët kanë arritur në atë pikë të vetëdijes politike sa të kërkojnë njëzëri edhe dorëheqjen e Edi Ramës dhe rënien e Qeverisë, por edhe shkatërrimin e sistemit të vjetër e të korruptuar partiak”, ka thënë ai të enjten në “60 Minuta” të KTV-së.

Qori ka akuzuar atë që e quajti “polici private” për ushtrim dhune ndaj protestuesve, duke pretenduar se një prej tyre u mor me forcë, u rrah dhe u kërcënua me armë, ndërsa e gjithë situata, sipas tij, ndodhi në prani të Policisë së Shtetit.

Sipas tij, Rama po kalon periudhën më të vështirë të karrierës së tij politike, teksa ka vlerësuar se në kushte të ngjashme një kryeministër tjetër do të kishte dhënë dorëheqjen.

“Nuk e di deri kur do të rezistojë Rama. Një kryeministër tjetër në vend të tij deri tani do të ishte larguar”, ka thënë ai. 

Qori më tej ka pretenduar se qindra banorë që zotërojnë prona legjitime në zonë janë dëmtuar nga procese të falsifikimit të dokumenteve të pronësisë, duke shtuar se për këto raste ekzistojnë vendime gjykatash dhe hetime nga SPAK-u. 

Sipas tij, individë të afërt me pushtetin politik kanë përfituar nga këto procese dhe më pas ua kanë shitur tokat investitorëve të huaj.