Përdorimi i fëmijëve në fushatat zgjedhore po vlerësohet si shqetësuese nga organizatat që merren me mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. Theksojnë se raste të tilla përbëjnë keqpërdorim të fëmijëve dhe mund të kenë pasoja në zhvillimin e tyre. E PZAP-ja ka bërë të ditur që është duke shqyrtuar gjashtë ankesa për përfshirjen e të miturve në aktivitete politike
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa është duke shqyrtuar gjashtë ankesa që lidhen me përfshirjen e fëmijëve në aktivitete të fushatës zgjedhore.
Sipas të dhënave, këto ankesa që janë në shqyrtim janë paraqitur nga KDI-ja kundër AAK-së, tri ankesa ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, një ankesë ndaj LDK-së, si dhe një ankesë e paraqitur nga Vetëvendosje kundër LDK-së.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNdërkohë, për dy raste të tjera, PZAP-ja tashmë ka marrë vendime.
Lëvizja Vetëvendosje është gjobitur me 5100 euro për shkak të pjesëmarrjes së fëmijëve në fushatën zgjedhore për zgjedhjet e 7 qershorit.
Siç ka bërë të ditur PZAP-ja, ankesa për këtë rast janë bërë nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe organizata joqeveritare, Instituti i Kosovës për Drejtësi.
Por përfshirja e fëmijëve në aktivitete politike nuk ka munguar që nga fillimi i fushatës në të gjitha subjektet politike.
Këto raste po konsiderohen shqetësuese nga organizatat që merren me mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. Drejtoresha e organizatës Childproof, Mevlude Murtezi, thotë se fëmijët po keqpërdoren për interesa politike dhe se ata duhet të jenë përfitues të politikave, e jo pjesë e fushatave zgjedhore.
“Këto situata për ne janë shumë shqetësuese dhe kjo që po ndodhë viteve të fundit e që ka ndodhur edhe më herët është e dhimbshme për shoqërinë tonë, por edhe për këta fëmijë që përfshihen aty. Rastet e fundit duhet të trajtohen shumë me seriozitet si nga institucionet ashtu edhe nga subjektet politike dhe prindërit gjithashtu. Këto aktivitete që janë në interes të çfarëdo subjekti politik që nuk ka të bëjë me interesin direkt të fëmijëve nuk ka të drejtë as prindi t’i udhëzojë që të shkojë”, tha Murtezi.
Sipas saj, pasojat e ekspozimit të fëmijëve në aktivitete politike mund të jenë afatgjata.
“Një video, një fotografi apo një paraqitje publike mund të harrohet nga të rriturit, por ajo mund të lë pasoja te e ardhmja e fëmijës edhe te zhvillimi i tij. Sikur në aspektin social, emocional, psikologjik e kështu me radhë. Duhet të pyesim veten: kush do të kujdeset për gjendjen emocionale të këtyre fëmijëve pasi të bëhen subjekt i diskutimeve publike, komenteve në rrjete sociale apo etiketimeve të ndryshme? Kush do të mbajë përgjegjësi nëse ky ekspozim ndikon në vetëbesimin, sigurinë emocionale apo marrëdhëniet e tyre sociale?”, tha ajo.
Edhe në organizatën Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) kanë rikujtuar se interesi i fëmijës duhet të jetë parësor në çdo veprim që ka të bëjë me ta.
“Të drejtat, siguria, dinjiteti dhe interesat më të mira të fëmijëve duhet të mbrohen në çdo kohë. Siç njihet në Konventën për të Drejtat e Fëmijës (KDF), interesi më i mirë i fëmijës duhet të jetë një konsideratë parësore në të gjitha veprimet që kanë të bëjnë me fëmijët”, thuhet në përgjigjen e UNICEF-it.
Sipas të dhënave të PZAP-së, gjatë fushatave në vitin 2025 janë pranuar dhe shqyrtuar 28 ankesa që kishin të bënin me përdorimin e fëmijëve në fushata zgjedhore.