Kulturë

Maestroja që thyente klishetë

Në çdo rrufitje të kafesë së mëngjesit kishte pasur pranë një mik e shkuar mikut. Mban mend edhe kur daljet i rralloi edhe më fort kundrejt sëmundjes që po e kapiste.

Është një lloj pengu që nuk arriti ta ribotonte romanin “Ligatina”. “Me Musën mbaja kontakte deri para pak kohe. Bisedonim për problemet e letërsisë e për krijimtarinë në përgjithësi”, thotë shkrimtari Nazmi Rrahmani.

Janë bërë katër ditë prejse miku i tij i letrave, Musa Ramadani, u largua nga kjo botë. Në “Rilindje”, Ramadani kishte nisur si 22-vjeçar fillimisht si korrespodent e më pas edhe si redaktor i rubrikës së Kulturës. Nuk ishte sprapsur as kur përmbledhja e tij poetike në dorëshkrim “Neurosis” ishte kthyer mbrapsht me arsyetimin se ishte vepër “nihiliste” e “pesimiste”. “Musa i takon atij grupi të shkrimtarëve të Kosovës që me veprën e vet la gjurmë të pashlyeshme.

Me poezi, ai bëri eksperimente të rëndësishme letrare, të cilat e begatojnë tërë procesin e zhvillimit të letërsisë te ne”, thotë Rrahmani për “Kohën Ditore”. Pjesë e një brezi që para vetes e kishte sprovën e të filluarit nga zeroja, Ramadani kishte nisur të eksperimentonte herët mes vargëzimesh poetike.

“Meqë shkrimtarët tanë duhej të mbështeteshin sa në traditë, po aq edhe në letërsinë që krijohej në botë, eksperimentime të tilla natyrisht se priteshin në mënyra të ndryshme. Ka pasur mendime se letërsia duhej të shkruhej ndryshe, por kishte mendime nga lexuesit e kritika letrare se letërsia duhej të ishte pjesë e zhvillimeve të përgjithshme në botë”, thotë Rrahmani.

Sipas tij, krijimet letrare të Ramadanit mbanin të dy këto veçanti, edhe lidhjen me traditën, edhe përvijimin e rrjedhave të letërsisë në botë. Kurse proza e tij, vijon ai, ndoqi zhvillimet historike të njeriut shqiptar.

“Edhe proza e Ramadanit lidhet me mjedisin autokton të zhvillimit të ngjarjeve në Kosovë, duke filluar nga antika e deri te ngjarjet më të vona të historisë”.

(Shkrimin e plotë mund ta lexoni sot në gazetën “Koha Ditore”)