Në botën e mbyllur për shkak të pandemisë, librit po i njihet fuqia për të luftuar vetminë e izolimit, për t’i forcuar lidhjet mes njerëzve e për të nxitur kreativitetin. Dita Botërore e Librit dhe të Drejtës së Autorit – që fikson edhe ditëvdekjet e gjigandëve letrarë si Cervantes e Shakespeare – sivjet e ka pasur kremtimin më të pazakontë në historinë e vet 25-vjeçare.
Teksa izolimi i detyruar ka bërë që në hapësirën shqipfolëse kjo ditë të shënohet simbolikisht përmes mediave sociale, shkrimtarë e botues kanë tërhequr vërejtjen se industria shqiptare e librit mund të përballet edhe me një krizë tjetër.
“Lëre imagjinatën përtej mureve të shtëpisë”
Si organizatore e përvitshme, Organizatat e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë – UNESCO – ka bërë një thirrje të veçante për t’i “thyer” muret e izolimit.
“Në Ditën Botërore të Librit, sfido izolimin e COVID-19 dhe lëre imagjinatën të shkojë përtej mureve të shtëpisë tënde!”, ka qenë “cicërima” e UNESCO-s e afishuar në faqen e vet zyrtare në “Twitter”. Postimit i është bashëngjitur edhe një thënie e poetit më të njohur kinez Bei Dao: “Zemrat nuk fshihen më prapa perdeve. Librat hapin dritaret, dhe lënë zogjtë të flatrojnë lirshëm”.
Edhe Kombet e Bashkuara, nëpërmjet një dedikimi për Ditën Botërore të Librit, kanë vlerësuar se leximi mund t’i sjellë njerëzit pranë njëri-tjetrit, pavarësisht distancës.
“Ne mund të udhëtojmë falë imagjinatës. Nga 1 deri më 23 prill, UNESCO ka ndarë citate, poema e mesazhe për të simbolizuar fuqinë e librit dhe për të inkurajuar leximin sa më shumë që të jetë e mundur. Duke krijuar një ndjesi komuniteti përmes leximeve e dijes së përbashkët, lexuesit gjithandej botës mund të lidhen e të ndihmojnë njëri-tjetrin për të kufizuar vetminë”, thuhet mes të tjerash në njoftimin e Kombeve të Bashkuara.
“Letërsia ushqeu idealet dhe shpirtin”
Pa aktivitete si viteve të kaluara, por me thirrje për t’iu rikthyer librit, institucionet kulturore në Kosovë dhe Shqipëri kanë shënuar Ditën Botërore të Librit.
Me një dedikim drejtuar njerëzve të letrave, ministrja në detyrë e Kulturës, Vlora Dumoshi, ka thënë se 23 prilli është data e caktuar nga UNESCO-ja “për të nxitur leximin e për ta bërë pronë të të gjithëve”.
Duke e cilësuar librin si “shpikje të bukur” për ndarjen e ideve përtej kufijve të hapësirës dhe kohës, Dumoshi ka thënë se Kosova mburret me trashëgiminë letrare të personaliteteve të shumta.
“Ndaj me respektin më të përulur dua të kujtoj të gjitha personalitetet e shquara të letërsisë sonë të cilët përmes librave të tyre na ushqyen idealet e shpirtin. Të gjithë njerëzit e letrave, që me angazhimin e tyre e bëjnë dijen të qasshme për secilin prej nesh”, ka shkruar Dumoshi në llogarinë e saj në “Facebook”.
Në emër të Ministrisë së Kulturës ajo ka siguruar krijuesit, autorët e botuesit se do të vazhdojë përpjekjet për ruajtjen dhe mbështetjen e krijimtarisë letrare.
“Duke njohur mirë sfidat e komunitetit krijues e botues në Kosovë, kujtoj që një segment tjetër i rëndësishëm po aq i ndërlidhur me krijimtarinë letrare e publicistike është edhe e drejta e autorit. Konsideroj se me gjithë hapat që janë ndërmarrë nga MKRS-ja kundër piraterisë e falsifikimit, akoma na presin hapa të tjerë përmes të cilëve sigurojmë që puna e secilit autor të marrë vlerësimin dhe mbrojtjen që i duhet”, ka vijuar ministrja Dumoshi.
“Festa e librit në shtëpi”
Edhe homologia e saj nga Republika e Shqipërisë, Elva Margariti, ka përkujtuar Ditën e Librit.
“Janë pikërisht librat që edhe gjatë këtyre ditëve qëndrimi në shtëpi na mundësojnë të vazhdojmë udhëtimet tona, kudo që dëshirojmë”, ka shkruar Margariti në faqen e saj në “Facebook” teksa ka bashkëngjitur një video me poezinë “Malli i Shqipërisë” të Ismail Kadaresë.
Tekstin e plotë mund ta lexoni falas në gazetën KOHA Ditore. Për t’u regjistruar, klikoni këtu: