Në temën “Letërsia shqipe dhe konteksti”, në sesionet e punës në ditën e dytë të “Javës së Albanologjisë” në Institutin Albanologjik të Prishtinës, letërsia shqipe, e veçmas konteksti i saj, është trajtuar në forma e pikëpamje të ndryshme. Njëri prej konstatimeve ka qenë se letërsia shqipe – duke u bërë zgjatim herë i ideologjisë religjioze, asaj kombëtare e herë i ideologjisë klasore, e sot i ideologjisë së multikulturalizmit – ka mbetur e pazbuluar në kontekst
Çështja e kontekstit të një vepre të çfarëdo arti, e edhe përtej, shpesh ndihmon në të kuptuarit e përmbajtjes. Kësaj radhe, në Javën e Albanologjisë, studiuesit e letërsisë janë mbledhur për të shpalosur pikëpamjet e tyre për kontekstin e letërsisë shqipe. Në temën “Letërsia shqipe dhe konteksti”, në sesionet e punës në ditën e dytë të “Javës së Albanologjisë” në Institutin Albanologjik të Prishtinës, letërsia shqipe e veçmas konteksti i saj, është trajtuar në forma e pikëpamje të ndryshme.
Studiuesi Arben Hoxha, njëherësh këshilltar shkencor në IAP, nëpërmjet kumtesës “Letërsia shqipe si (mos)zbuluese e kontekstit”, ka thënë se, në varësi të përmbajtjes që i jepet konceptit të kontekstit, filozofia e artit identifikon tri pikëpamje dominuese të kontekstualizmit. Ai ka renditur pikëpamjen e kontekstualizmit socio-historik, atë të kontekstualizmit estetik dhe pikëpamjen e kontekstualizmit fenomenologjik-ontologjik.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Sipas pikëpamjes së kontekstualizmit socio-historik, të dalë nga filozofia pozitiviste e artit, konteksti është një mekanizëm i jashtëm determinues, i cili i modelon dhe i orienton perceptimet, ndjenjat, mendimet, vlerat artistike dhe tërë kulturën e komunikimit artistik brenda një epoke. Sipas kësaj pikëpamjeje, vepra e artit është epifenomen i kontekstit socio-historik”, ka thënë ai.
Sipas Hoxhës, në pikëpamjen e kontekstualizmit estetik, e prejardhur nga estetika formale, duke konsideruar se vlera artistike qëndron në aspektet formale të saj – kompozicioni, figura, mjetet stilistiko-gjuhësore – një vepër arti përmban dispozitiv më të madh të vlerës estetike për aq sa ajo është e pavarur nga konteksti si entitet i jashtëm. “Sipas kësaj pikëpamjeje, e bukura nuk është veti objektive e botës, por ajo përcaktohet nga mënyra se si vetëdija e subjektit e përjeton objektin në mënyrë të çinteresuar”, ka thënë ai, duke iu referuar Kantit.
Sipas tij, kontekstualizmi estetik i mëshon idesë se përjetimi i kënaqësisë estetike është një ndjenjë e brendshme subjektive e vetëdijes së subjektit, e cila përjetohet e palidhur me gjëra të tjera.
“Kontekstualizmi fenomenologjik-ontologjik, si pikëpamje e kognitivizmit estetik, konsideron se konteksti është thelbësor për të kuptuar se çfarë është vepra artistike në qenien e saj dhe cili është qëllimi i ekzistencës së saj. Tom Cochrane, duke u mbështetur në filozofinë e estetikës së jetës, në veprën e vet ‘Bota si vlerë estetike’, konsideron se qëllimi i artit është që ta rrisë kuptueshmërinë dhe ndjeshmërinë ndaj përvojës njerëzore”, ka thënë Hoxha.
Të tria pikëpamjet ai i ka elaboruar gjatë, për të arritur te përfundimi se letërsi e madhe nuk është ajo që i përgjigjet nevojave që ofron habitusi ekzistues shoqëror, si kontekst i jashtëm, por ajo që merr qëndrim kritik ontologjik ndaj atyre nevojave.
“Letërsia shqipe, në pjesën dërmuese të saj, me mungesën e depërtimeve të thella ontologjike në kuptimet për autenticitetin e ekzistencës njerëzore, nuk ka arritur të nxisë refleksione për ta parë botën si vlerë përfundimtare, siç do të thoshte Nietzche, si ngushëllim metafizik që e pohon jetën. Letërsia shqipe, në të shumtën e rasteve, duke u bërë zgjatim herë i ideologjisë religjioze, herë i ideologjisë kombëtare, herë i ideologjisë klasore, e tash në kohën tonë i ideologjisë së multikulturalizmit, si mbështetëse dhe ushqyese e globalizimit, në vend se t’i zbulojë kontradiktat e jetës, si vendndodhje e kuptimeve dhe ndjeshmërive të plota ekzistenciale, i ka fshehur ato”, ka thënë Hoxha.
Kolegu i tij, studiuesi Fadil Grajçevci, është ndalur te një krijimtari e veçantë: ajo e Esad Mekulit. Nëpërmjet kumtesës “Esad Mekuli në kontekst”, ai ka thënë se rrethanat historike, shoqërore, kulturore, politike, filozofike dhe ato biografike, jo vetëm të krijimit, por edhe të leximit të një vepre, ndikojnë në interpretimin dhe vlerësimin e saj.
Sipas tij, Esad Mekuli është dëshmi e rritjes dhe zhvillimit jo vetëm të letërsisë shqipe në njërin krah të saj, por edhe dëshmi e rritjes dhe e zhvillimit të mbarë jetës intelektuale e kulturore shqiptare në ish-Jugosllavi.
“Poezia e tij është shënjuesja më e mirë e halleve dhe e problemeve të kohës, është shënjuesja më e mirë e frymëmarrjes herë më të lehtë e herë shumë të vështirësuar të popullit të vet, është ngërthyesja më e mirë e prirjeve dhe e drejtimeve kryesore të zhvillimit të poezisë shqipe në një periudhë të caktuar kohore. Poezia e tij, sidomos ajo e botuar në vitet ’40 dhe ’50 të shekullit XX, mbetet emblemë e poezisë shqipe në ish-Jugosllavi”, ka thënë Grajçevci.
Sipas tij, poezia e Esad Mekulit, si një fakt i rëndësishëm letrar, deri në vitet e tranzicionit, deri në fund të viteve ’80 dhe në fillim të viteve ’90 të shekullit të kaluar, bëri një jetë shumë aktive në mesin e lexuesve shqiptarë, por vetëm të njërit krah të saj, atij lindor.
Ai ka thënë se receptimi i veprës së Esad Mekulit karakterizohet nga batica dhe zbatica në një kohëzgjatje të konsiderueshme, që janë reflektim i klimës së përgjithshme politike e kulturore nëpër të cilën kaluan shqiptarët nën ish-Jugosllavinë në gjysmën e dytë të shekullit XX dhe në çerekshekullin e fundit.
Studiuesi Muharrem Jakupi, nëpërmjet kumtesës “Konteksti si kriter i interpretimit: norma e brendshme e tekstit dhe horizontet e leximit”, ka thënë se nocioni i kontekstit, në perspektivën e tij, përdoret kryesisht si kategori e kuptimit dhe verifikimit të interpretimit dhe jo si çelës pozitivist për të shpjeguar gjenezën krijuese të veprës artistike.
“Në studimin e letërsisë, konteksti bëhet i dobishëm vetëm kur na ndihmon të kuptojmë një lexim. Nuk duhet të përdoret si një sfond i gjerë historik që i jep interpretuesit të drejtën të nxjerrë nga teksti çfarëdo kuptimi të dëshiruar. Në përdorimin e tij kritik, konteksti nuk e zëvendëson tekstin, por vetëm e detyron interpretimin të kthehet te teksti”, ka thënë Jakupi.
Sipas tij, konteksti duhet kuptuar si term verifikimi dhe duhet të shërbejë për të ndarë nivelet e vlefshmërisë së leximit.
“Verifikimi i tekstit në kontekst kërkon tri prova të njëpasnjëshme: së pari provën e tekstit, së dyti mikrokontekstin e botimit të veprës, së treti korpusin e afërt të krijimtarisë së autorit. Pa këta tre filtra, konteksti rrezikon të kthehet në alibi të mbiinterpretimit”, ka thënë ai.
Studiuesi Hysen Matoshi është marrë me “Kontekstet e veprës letrare të Hafiz Ali Korçës”. Ai ka thënë se atë e bën të veçantë koha historike kur jetoi dhe krijoi, e cila formon një kontekst specifik biografik të jetës së tij.
“Një aspekt tjetër i rëndësishëm është edhe konteksti kulturor i shfaqjes dhe formimit të Hafiz Ali Korçës si autor i letërsisë shqipe. Rilindja Kombëtare Shqiptare, në krye të herës, është lëvizje e madhe kulturore e arsimore, e cila më vonë u përvijua në dimensione të një ideologjie të përgjithshme kombëtare që mëtonte çlirimin dhe pavarësimin e Shqipërisë”, ka thënë Matoshi.
Në dy sesionet e punës, studiues të ndryshëm si Rovena Vata, Rrezarta Morina, Eriola Çoçaj, Albanë Mehmetaj, Jolanda Lila e Albin Mehmeti kanë paraqitur studimet e tyre për kontekstin në vepra dhe fenomene letrare.
Edicioni i 17-të i “Javë së Albanologjisë” është hapur të hënën. Sesioni i parë, ai gjuhësisë, pas ceremonisë solemne, i është kushtuar temës “Gjuha shqipja në rrethanat e sotme digjitale”. I pranishëm në ceremoni, ministri në detyrë i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, ka theksuar rëndësinë e albanologjisë si një nga shtyllat themelore të identitetit kulturor dhe kombëtar shqiptar. E, kryeministri në detyrë Albin Kurti, nëpërmjet fjalimit të dërguar për ceremoninë e hapjes, ka shkruar se “Java e Albanologjisë nuk është vetëm një kalendar akademik, por “një kujtesë e përvitshme se identiteti ynë kulturor gjuhësor dhe historik, kërkon studim të vazhdueshëm, dialog kritik dhe vizion për të ardhmen”. “Java e Albanologjisë vazhdon punimet deri të premten. Sesioni i historisë, i cili mbahet të mërkurën, do të trajtojë temën “Historiografia shqiptare përballë historiografisë evropiane”, me fokus interpretimet e historisë shqiptare nga autorë dhe historiografi të ndryshme evropiane, si dhe ndikimin e tyre në ndërtimin e identitetit historik shqiptar. Pason ai i folklorit dhe etnomuzikologjisë me temën “Trashëgimia kulturore si kujtesë: këngët, rrëfimet, fotografitë”, ku do të trajtohen këngët historike, folklori muzikor dhe përmbyllet me sesionin e etnologjisë në temën “Antropologjia e ushqimit në kontekstin shqiptar: vazhdimësi dhe ndryshim”, ku studiuesit do të diskutojnë mbi traditat ushqimore shqiptare, gastronominë tradicionale dhe transformimet moderne të kulturës ushqimore.