Kulturë

Kushtet në hije, instrumente muzikore prej gati një milion eurosh

Kushtet në hije, instrumente muzikore prej gati një milion eurosh

S’ka koncert a ngjarje ku nuk përmendet mungesa e kushteve, një sallë koncertale apo shtëpi opere është larg tash një çerekshekulli, por ceremonia e pranimit të instrumenteve muzikore të blera nga shteti ka qenë festë, të enjten në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, aty ku mbahen shumica e aktiviteteve muzikore. Gati një milion euro është kostoja e instrumenteve, që pos institucioneve qendrore do të shpërndahen edhe në disa qytete, e në ceremoni është premtuar se po kaq do të investohen edhe vitin që vjen

Pothuajse një milion euro ka kushtuar blerja e instrumenteve muzikore për institucionet kulturore e arsimore të Kosovës. Ato tashmë kanë mbërritur në vend, teksa të enjten, në Atelienë e Pallatit të Rinisë, është bërë pranimi zyrtar i tyre. Mes duartrokitjesh dhe fjalëve për avancim të jetës artistike, nuk është shprehur vërejtja se këto instrumente që po vijnë, nuk kanë hapësira ku do të jehojë tingulli i tyre. Ato që janë tani, ende mbeten peng i kushteve të munguara.

Për herë të parë, Filharmonia e Kosovës është bërë me instrumente të reja të blera nga shteti.

Dardan Selimaj, ushtrues detyre i drejtorit të këtij institucioni, ka theksuar se kjo nismë synon ngritjen e standardeve profesionale dhe mbështetjen e institucioneve të kulturës e arsimit muzikor në mbarë vendin. Nga ky furnizim kanë përfituar gjashtë institucionet qendrore të kulturës, teatrot e qyteteve, shtëpitë e kulturës dhe shkollat e muzikës, si dhe dy universitete publike, ai i Prishtinës dhe i Pejës.

Kontrata prej 943 mijë e 627 eurosh midis Ministrisë së Kulturës dhe një kompanie private –  e vetmja që ka aplikuar – ka përfshirë qindra instrumente: piano të mëdha e të tjera, instrumente me të goditur ose perkusione si vibrafon, marimba në C, gran casa, crotales, kastanjeta, set bateri, crash cymbal, duo piatti, set bongo, set conga, djembe, tambourines, set trekëndësh, guiro, claves woodstick e të tjera. E po ashtu edhe pjesë shoqëruese për këto instrumente.

Nga “Grand Pianot” e sapoardhura, një i ka takuar Filharmonisë së Kosovës, një Pallatit të Rinisë e një Bibliotekës Universitare. Mbi 50 mijë euro është çmimi i secilës.

Teatrot e shkollat muzikore të qyteteve të Kosovës kanë marrë kryesisht piano të përmasave të ndryshme. Një piano e madhe elektrike i ka takuar institucionit të Operës dhe një piano elektrike Baletit të Kosovës. Nga një “Grand Piano” me dimensione 165 me 175 centimetra i është caktuar secilit prej teatrove të gjashtë qyteteve më të mëdha të vendit. Të njëjta u janë dhënë edhe Teatrit Kombëtar dhe Bibliotekës Kombëtare; Universitetit të Prishtinës dhe atij të Pejës, si dhe shkollës së mesme të muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë – të tria këto institucione arsimore kanë marrë edhe nga një pianino.

Në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, e cila në mungesë shtëpie opere apo salle koncertale ka mbetur adresa kryesore e ngjarjeve muzikore, të enjten janë ekspozuar disa prej instrumenteve të blera me investimin gati një milion eurosh, në atë që është cilësuar si ceremoni formale. Foto: Zyra e Kryeministrit

Nga të ashtuquajturat “Baby Grand Piano” me dimensione 145 me 155 centimetra kanë përfituar teatrot apo shtëpitë e kulturës të qyteteve, si Vushtrria, Podujeva, Suhareka e Shtimja; shkollat “Lorenc Antoni” në Prizren, “Prenk Jakova” në Gjakovë, “Tefta Tashko” në Mitrovicë, shkolla e muzikës në Gjilan, në Vushtrri dhe ajo në Kamenicë, “Çesk Zadeja” në Ferizaj, “Halit Kasapolli” në Pejë e “Faik Sylka” në Rahovec.

Në fjalën e tij gjatë ceremonisë, ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka paralajmëruar se kjo është vetëm faza e parë e investimit, ndërsa një tjetër pritet vitin e ardhshëm. Edhe në mot do të investohen rreth një milion euro.

“Do të ketë edhe një raund të blerjeve në një vlerë të konsiderueshme. Kemi bërë diskutime, konsultime me të gjithë përfituesit, për t’u siguruar se i realizojmë pritjet e tyre dhe i plotësojmë kërkesat dhe nevojat e institucioneve”, është shprehur ai.

Por, përtej ceremonisë, nuk kanë se ku të vendosen të gjitha këto instrumente. Shumica e institucioneve që do t’i përdorin ato ende “vuajnë” në mungesë sallash me kushte akustike, në mungesë ngrohjeje apo hapësirave të përshtatshme për prova. Investimi duket më tepër si kompensim i vonuar për mungesat gjatë viteve sesa si zgjidhje e qëndrueshme për sistemin muzikor publik.

Ndryshe nga ky realitet, çmimet e instrumenteve – sipas kontratës së nënshkruar në pranverën e sivjetme – janë: 53 mijë e 990 euro për secilën prej tri “Grand Pianove” të mëdha, 23 mijë e 200 euro për piano të tjera të destinuara për teatrot dhe bibliotekat.

Ministri Çeku ka përgëzuar institucionet për pranimin e tyre, duke shpresuar që “instrumentet të sjellin frymë të re për studentët, nxënësit e artistët”.

Kur qe lidhur kontrata, Dardan Selimaj, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Filharmonisë së Kosovës, kishte thënë se ky institucion në instrumentariumin e vet kishte pasur nevojë për plotësimin e instrumenteve me të goditur ose perkusioneve.

“Një pjesë e këtyre instrumenteve Filharmonia i posedon, mirëpo shumica prej tyre nuk janë të përmasave të nevojshme për interpretimin e disa veprave të literaturës së muzikës klasike dhe sidomos asaj bashkëkohore. Përveç këtyre, pjesë e kërkesës ka qenë edhe blerja e kontrabasëve për Filharmoninë, një prej të cilëve është me 5 tela – instrument që Filharmonia nuk e posedon fare – si dhe çelesta që po ashtu nuk e posedon fare, pianoja e re koncertale dhe ajo elektrike”, kishte thënë Selimaj.

Atëbotë kishte sqaruar se Filharmonia deri atëherë nuk kishte blerë instrumente, përveçse kishte pranuar donacione, prej tyre, disa donacione të vogla nga banka private në Kosovë gjatë dhjetë vjetëve të parë të themelimit, si dhe donacionin e shtetit japonez më 2014 që, sipas tij, praktikisht ishte deri më tash instrumentariumi i Filharmonisë së Kosovës. Kishte përmendur edhe pianon koncertale të dhuruar nga një fondacion i Lihtenshtajnit në vitin 2009 përmes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Sa i përket donacionit japonez, kishte sqaruar se vlera e tij qe 600 mijë euro.

Furnizimin me këto instrumente e ka bërë kompania “AMC Corporation Sh.P.K.” që udhëhiqet nga Besfort Berisha. Nëpërmjet këtij furnizimi dhe atij të premtuar për vitin e ardhshëm synohet të plotësohen shumica e nevojave institucionale për instrumente.