Institucioni më i lartë i artit pamor në vend ka fuqizuar edukimin e të rinjve për artin, e për ta bërë këtë ka përzgjedhur argëtimin. Loja “Kush jam unë? është njëra prej mënyrave konkrete. Loja është e përbërë prej 63 letrave, ku secila shtron pyetje për veprën e një artisti, e cila ilustrohet me imazhin përkatës. “Është shumë e rëndësishme të njihet arti kosovar. Ata njohin këngëtarë të ndryshëm, ua dinë jetën, të gjitha këngët e tyre, dinë për futbollistë, por jo edhe për piktorët e skulptorët e vendit të tyre. Kështu që përmes kësaj loje kemi vendosur që t’i informojmë e edukojmë prej fëmijëve e deri te të rriturit”, ka thënë Vlora Hajdini-Hajrullahu, koordinatore për edukim, hulumtim dhe publikim në Galerinë Kombëtare të Kosovës
Institucioneve kulturore që synojnë edukimin me art u është bashkuar Galeria Kombëtare e Kosovës. “Kush jam unë?” është argëtim e mësim në të njëjtën kohë për skenën artistike të artit pamor. E dizajnuar për të ndihmuar brezin e ri për të mësuar shprehjet dhe praktikat e artit, me këtë projekt të GKK-së synohet të kuptohen vlerat artistike të reprezantuar nga kolosë e deri në emra të rinj të kësaj skene.
Piktura, skulptura, grafika, dizajni, tapiceri, fotografi dhe më shumë, janë prej mediumeve me të cilat njihet gjenerata e re, që duke luajtur e zbulon botën e artit e të tjerët edhe zgjerojnë horizontin e dijeve.
Koordinatorja për edukim, hulumtim dhe publikim në Galerinë Kombëtare të Kosovës, Vlora Hajdini-Hajrullahu, ka theksuar se ky është projekti i parë i tillë për institucionin. Ka thënë se këto njohuri u shërbejnë të gjitha gjeneratave.
“Është një produkt, platformë të cilën për herë të parë Galeria Kombëtare e publikon, e lanson dhe e bën të mundur për publikun. Është publikuar fillimisht për fëmijë, për shkolla, për nxënës, por pasi ka dalë nga shtypi e kemi parë që loja është për krejt gjeneratat. Prindërit luajnë bashkë me fëmijët, grupet shoqërore dhe ata që e kanë pasur në dorë lojën e kanë parë që është mjaft argëtuese, didaktike, mënyrë argëtuese për artin kosovar, për artistët lokalë, praktikën e tyre”, ka thënë ajo.
Të premten paradite është prezantuar kjo lojë në ambientet aktuale të Galerisë Kombëtare te “Qafa”.
Loja e ideuar nga Arif Muharremi, bashkëpunëtor profesional në projekt, është e përbërë prej 63 letrave, ku secila shtron pyetje për veprën e një artisti, e cila ilustrohet me imazhin përkatës. Janë katër opsione dhe vetëm një përgjigje e saktë. Asaj i është bashkëngjitur edhe libri i biografive të artistëve e ato të artistëve që janë opsione në pyetjet përkatëse. Ndër ta janë artistët: Adem Kastrati, Alije Vokshi, Agim Çavdërbasha, Adem Rusinovci, Afrim Hajrullahu, Agim Qena, Alban Muja, Afrim Spahiu, Blerim Luzha, Blerta Syla-Surroi, Esat Valla, Gjelosh Gjokaj, Ibrahim Kodra, Luan Mulliqi, Muslim Mulliqi, Nysret Salihamixhiqi, Petrit Halilaj, Rexhep Ferri, Samir Karahoda e shumë të tjerë.
Kjo lojë kompletohet me udhëzimet dhe rregullat e saj, fletëpalosjen me përgjigje të sakta dhe me prezantimin e këtij projekti.
Veprat me të cilat ilustrohen letrat e kësaj loje janë pjesë e koleksionit të Galerisë Kombëtare të Kosovës, ndërsa përzgjedhja e artistëve përfshin gjenerata të ndryshme.
“Janë të përfshirë shumica prej nismëtarëve të artit kosovar prej krejt zhanreve, si pikturë, skulpturë, grafikë, fotografi, tapiceri, karikaturë, arkitekturë ose enterier, skenografi. Domethënë ka prej krejt artistëve të cilët i kemi në koleksionin e Galerisë. Përveç që luajnë, fëmijët edhe mësojnë”, është shprehur Hajdini-Hajrullahu derisa ka thënë se synojnë të lansojnë edhe lojëra të tjera, ku mund të përfshihen edhe më shumë artistë.
Loja mund të luhet çdo të premte në hapësirat e Galerisë nga fëmijët e shoqëruar nga kujdestarët e tyre e me këtë rast të marrin një kopje me vete.
“Është shumë e rëndësishme të njihet arti kosovar. Ata njohin këngëtarë të ndryshëm, ua dinë jetën, të gjitha këngët e tyre, dinë për futbollistë, por jo edhe për piktorët e skulptorët e vendit të tyre. Kështu që përmes kësaj loje kemi vendosur që t’i informojmë e edukojmë prej fëmijëve e deri te të rriturit”, është shprehur ajo.
Një grup prej tetë fëmijësh ka qenë në Galeri për ta luajtur lojën.
Inara Dylhasi, nxënëse në klasën e dytë në shkollën “Meto Bajraktari”, ka thënë se i ka pëlqyer bota e artit.
“Më është dukur shumë interesante dhe më ka pëlqyer shumë, sepse të gjitha i kemi lexuar shumë bukur dhe jemi kënaqur. Ditën e parë nuk e kam ditur si ka qenë, por pastaj e kam mësuar shumë. Pastaj kam qenë edhe më e kënaqur”, ka thënë ajo.
Maj Zeneli, nxënës i klasës së katërt në shkollën “Faik Konica”, i është bashkuar lojës “Kush jam unë?”.
“Loja ka qenë shumë e mirë. Ka qenë argëtuese dhe edukative në të njëjtën kohë kur e kam luajtur”, ka thënë ai, duke treguar se ka disa herë që ka qenë në Galeri për të luajtur.
Prej artistëve me të cilët është njohur nëpërmjet lojës, ka veçuar njërin.
“Kam mësuar plot artistë, por e mbaj mend skulptorin Agim Çavdërbasha”, ka thënë ai.
Sipas koordinatores për edukim, Vlora Hajdini-Hajrullahu, qëllimi kryesor i hartimit të kësaj loje është që ajo të shpërndahet nëpër shkollat e vendit. Kjo pritet të ndodhë me fillimin e vitit shkollor.
Në kuadër të programit edukativ për këtë muaj janë zhvilluar vizita në Fakultetin e Arteve, si dhe punëtori krijuese, si “Vizatim mbi fotografi”, “Zbulimi i thesareve fotografike” dhe “Rrëfimi përmes portreteve.
Me lojën “Kush jam unë?” është përmbyllur programi edukativ i Galerisë Kombëtare për këtë muaj.