Familjarë e miq, aktorë, regjisorë, e anëtarë të shumtë të botës skenike kanë bashkëndarë dhimbjen për biletashitësin e Teatrit Kombëtar të Kosovës, Arsim Abazin – Cimën, duke treguar kujtime nga përditshmëria në biletari, tek e përshkruanin si një person të përkushtuar dhe mikpritës, që gjithmonë dinte të krijonte një atmosferë të ngrohtë për vizitorët. Jo vetëm një punëtor i thjeshtë, ai ishte pjesë e jetës së përditshme të teatrit, duke bërë që çdo hyrje në sallë të ndihej si një përvojë e veçantë për publikun
Biletaria e Teatrit Kombëtar të Kosovës duket më bosh. Ai vend ku mijëra spektatorë ndër vite kanë marrë biletat për të hyrë në botën e artit, mban një hije të zezë. Kolegët, miqtë dhe dashamirët e teatrit u mblodhën të martën për ta përkujtuar Arsim Abazin, njeriun që me buzëqeshjen e tij dhe fjalët e ngrohta e bëri më të veçantë çdo vizitë në Teatrin e Kosovës. Ai vdiq të hënën në moshën 52-vjeçare, duke lënë në mendjen e shumëkujt portretin e tij të buzëqeshur, takimin miqësor me artin skenik. Lajmi për ikjen e tij u prit me trishtim nga bota skenike dhe publiku që ndër vite e kishte njohur. Në kujtesën e shumëkujt ka mbetur portreti i tij i qeshur, prania e ngrohtë dhe libri që rrallëherë e linte nga dora.
Një fakt i veçantë që prek zemrat është se Cimi erdhi në jetë dhe u nda prej saj në të njëjtën ditë: më 1 shtator. I lindur në vitin 1973 dhe i ndarë nga kjo botë tani, ai e ka mbyllur ciklin e tij jetësor në datën që shënonte edhe fillimin. Është sikur jeta e tij u përkufizua brenda një rrethi të plotë, që filloi e përfundoi në të njëjtën ditë, duke lënë pas një simbolikë të rrallë: çdo shtator, ai do të kujtohet jo vetëm për ditëlindjen e tij, por edhe për figurën e një njeriu që e bëri teatrin më të ngrohtë dhe më njerëzor.
Në mbledhjen përkujtimore, familjarë e miq, aktorë, regjisorë, e anëtarë të shumtë të botës skenike kanë bashkëndarë dhimbjen, duke treguar kujtime nga përditshmëria në biletari, tek e përshkruanin si një person të përkushtuar dhe mikpritës, që gjithmonë dinte të krijonte një atmosferë të ngrohtë për vizitorët. Jo vetëm një punëtor i thjeshtë, ai ishte pjesë e jetës së përditshme të teatrit, duke bërë që çdo hyrje në sallë të ndihej si një përvojë e veçantë për publikun. Në skenën e amfiteatrit, pranë foltores është vendosur në një kornizë fotografia e qeshur e tij; një pjesë e ndjeshme dhe shumë e lehtë muzikore është luajtur krejt në fillim me violonçel, derisa mysafirët po gjenin ulëset e tyre.
Drejtori i përgjithshëm i Teatrit Kombëtar, Kushtrim Sheremeti, duke folur mes lotësh para të pranishmëve ka thënë se shpesh heronjtë idealizohen deri në mit, por në thelb ata mbeten njerëz të zakonshëm me ndjenja e përjetime si të gjithë të tjerët. Ajo që i bën heronj, sipas tij, është përkushtimi i tyre i palodhur në punë dhe pasioni për jetën e artin, ashtu siç ishte edhe biletashitësi i teatrit.
“Shpeshherë, duke dashur t’i nderojmë heronjtë, pa dashje ua zvogëlojmë vlerën e tyre, në përpjekje për t’i përshkruar ata sikur janë dhe kanë cilësi mbinjerëzore dhe këtu fillon dhe gabimi. Në radhë të parë, heroi është njeri, është njeri i zakonshëm. Ai vuan, zhgënjehet, mallëngjehet, gëzohet, qesh e qan, por nuk ndalet asnjëherë. Heroi as nuk është figurë mitike e as nuk është supernjeri. Ai është punëtor i zellshëm, shkrimtar, pasionant i leximit, biletashitës”, ka thënë ai.
Cima u përshkrua si një hero i qetë e i pazëvendësueshëm, që me përkushtimin e tij tregoi se dashuria për punën dhe teatrin nuk ka kompromis. Biletaria ku ai kaloi jetën e tij do ta mbajë gjithmonë kujtimin dhe emrin e Cimës. Për kolegët, ky vend nuk është më vetëm një sportel i biletave. Është një i atillë që sa herë e shohin, do ta ndiejnë mungesën e tij.
Kishte marrë pjesë në luftën e Kosovës dhe ishte veteran i saj, por nuk kishte një librezë për këtë. Kishte zgjedhur ta gëzojë lirinë duke punuar në një institucion shtetëror. Prej pasluftës qe punësuar si biletashitësi i TKK-së.
“Cima ishte hero i pazëvendësueshëm, hero i heshtur, i cili na mësoi se dashuria dhe përkushtimi për punë të vendit dhe teatrit janë të pakompromis. Prehu në paqe o njeri i mirë e shok i dashur. Shpresoj se parajsa jote të duket ashtu sikurse tregimet më të mira në librat që i ke lexuar në biletoren tënde që e deshe shumë, e cila për jetë e mot do ta mbajë fotografinë tënde brenda edhe do të jetë vendi ‘Te Cima’, faleminderit shumë”, ka shtuar Sheremeti.
Kujtimi për të u përcoll edhe te familjarët. Mbesa e tij, Berita Abazi ka kujtuar me mallëngjim se hyrjes së Teatrit tash i mungon buzëqeshja e Cimës, njeriu që gjithmonë i priste me libër në dorë e fjalë të ngrohta. Për të, ai nuk ishte vetëm biletashitës, por zemra e vetë teatrit. Me zërin që i dridhej ka nxjerrë fjalët e ndiera.
“Sot, në hyrjen e Teatrit mungoi buzëqeshja e tij, fjala e tij e ngrohtë e prania e tij që na bënte çdo hap më të lehtë, duke e parë atë njeri me libër në dorë që derisa lexonte me buzëqeshje e dashamirësi na përshëndeste e orientonte. Axhi Cimë nuk ishte vetëm njeriu që shiste biletat e teatrit. Ai ishte pjesë e shpirtit të këtij vendi”, ka thënë ajo.
Drejtori artistik i Teatrit, Kushtrim Mehmeti, ka thënë se Cima ka lënë kujtime të pashlyeshme, duke qenë fytyra e parë dhe e fundit që publiku shihte në teatër. Sipas tij, Cima ishte njeriu më i lexuar që kishte njohur ndonjëherë, një figurë që i bëri të ndihen krenarë kur e kishin pranë.
“Ke lënë shumë kujtime për krejt ne dhe s’ka mundësi me u harru. Fytyra e parë e teatrit është Cima, edhe fytyra e fundit. Shumë shfaqje bashkë me të i kemi pa, e shumë të tjera mua më kanë mungu, se ai i ka pa. Ka pasë shfaqje që, për një moment, krejt reprizat... e ka pritë atë moment edhe e ka pa, e ka pritë edhe Baletin, e nuk ka njeri më të lexueshëm se ai që kam njohur në jetën time. Ne jemi krenarë kur e kemi pasë, e ndiejmë humbje të madhe kur e kemi humbë”, ka thënë Mehmeti.
Ka kërkuar që të pranishmit të bëjnë një gjë të pazakontë. Në nderim të jetës dhe veprës së tij në atë që e ka dashur më së shumti e ka ndenjur duke pritur ta japë, ka kërkuar një duartrokitje.
“Le të na dëgjojë Cima se ne e duartrokasim ashtu siç i ai i ka duartrokitur vazhdimisht ata”, ka thënë ai.
Arsim Abazi do të kujtohet gjithmonë jo vetëm si biletashitës i Teatrit Kombëtar, por si një figurë që e ka lidhur artin me publikun përmes buzëqeshjes, fjalës së ngrohtë dhe dashurisë për librin. Humbja e tij ka lënë boshllëk të madh, por kujtimi i Cimës mbetet i gjallë në çdo hyrje të teatrit, aty ku ai për dekada u bë fytyra e parë në takimin me artin skenik në Kosovë.