Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Komuniteti artistik i Kosovës solidarizohet me Shqipërinë

Prishtinë, 27 nëntor – Dy duar të bashkuara për lutje, me hartën e Shqipërisë në mes e flamurin kombëtar në prapavijë, është posteri që artisti Rrezeart Galica e ka realizuar të martën në shenjë solidarizimi me viktimat e tërmetit në Shqipëri.

Vijat e zeza në flamur, që asociojnë me çarjet e tokës në raste tërmeti bashkë me mbishkrimin “Pray for Albania” (Lutuni për Shqipërinë), kompletojnë veprën. Por solidarizimi i artistëve të Kosovës pas tragjedisë që shkaktoi tërmeti i mëngjesit të së martës në Shqipëri nuk përfundon me kaq. Aktivitetet kulturore të parapara për të martën e të mërkurën janë anuluar, përderisa disa institucione kulturore kanë njoftuar se mund të ndihmojnë edhe me strehim të atyre që kanë mbetur pa shtëpi. Pos 24 viktimave – deri të martën vonë – janë rreth 600 veta që kanë kërkuar ndihmë mjekësore. Solidarizim me viktimat kanë shprehur edhe artistët nga Kosova me nam botëror.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ansambli Kombëtar i këngëve dhe valleve “Shota” ka më shumë se një muaj që është duke e përgatitur premierën “Suitë hasjane” me koreografi të Xhemajli Berishës. Ishte planifikuar që premiera të jepej sot (e mërkurë), por është anuluar.

“Në shenjë solidarizimi me viktimat e tërmetit në Shqipëri, ansambli ‘Shota’ i pezullon aktivitetet e parapara për nder të festave të nëntorit. Me këtë nënkuptojmë anulimin e koncertit premierë... dhe pjesëmarrjen e paraparë në aktivitetin që ishte planifikuar të mbahej në Drenas më 28 nëntor, me rastin e përurimit të shtatoreve të heronjve të kombit Shaban, Adem dhe Hamëz Jashari”, shkruhet në njoftimin e “Shotës”.

Asociacioni i Artistëve Vizualë të Kosovës ishte bërë gati që të hapë ekspozitën me punimet e anëtarëve të vet të martën mbrëma, në galerinë e Fakultetit të Artit. Pak orë para se të niste ngjarja, është anuluar i gjithë aktiviteti në shenjë solidarizimi me viktimat dhe gjendjen e krijuar në Shqipëri.

Qendra Kinematografike e Kosovës u ka shprehur ngushëllime të afërmeve të atyre që kanë humbur jetën, përderisa ka ofruar edhe ndihmë për strehim.

(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)