Komuna e Prishtinës është marrë vesh me një grup të kompanive projektuese për të punuar projektin e detajizuar për “Parkun përkujtimor ‘dr. Ibrahim Rugova’ dhe Bibliotekën Presidenciale”. Vlera e kontratës është fiks 689 mijë euro. Paraprakisht është zgjedhur projekti ideor. Por ai nuk është shqyrtuar e as miratuar nga institucionet e trashëgimisë kulturore, pavarësisht se synohet që ndërtimi të bëhet brenda perimetrit të asetit të mbrojtur “Varrezat e LNÇ-së” në lagjen “Velania” të Prishtinës
Komuna e Prishtinës ka hyrë në kontratën e radhës me vlerë të madhe duke e shpërfillur Ligjin për trashëgiminë kulturore. Kësaj radhe është marrë vesh me një grup të kompanive projektuese për të punuar projektin e detajizuar për “Parkun përkujtimor ‘dr. Ibrahim Rugova dhe Bibliotekën Presidenciale”. Vlera e kontratës është fiks 689 mijë euro. Paraprakisht është zgjedhur projekti ideor. Por ai nuk është shqyrtuar e as miratuar nga institucionet e trashëgimisë kulturore, pavarësisht se synohet që ndërtimi të bëhet brenda perimetrit të asetit të mbrojtur “Varrezat e LNÇ-së” në lagjen “Velania” të Prishtinës. Aty gjendet edhe varri i presidentit Ibrahim Rugova e po ashtu varret e dëshmorëve të luftës së fundit në Kosovë.
Pas procesit të hapur e të dështuar vitin e kaluar, Komuna e Prishtinës sivjet ka hapur thirrje me titull “Konkurs projektimi për parkun përkujtimor ‘dr. Ibrahim Rugova’ dhe Biblioteka Presidenciale”. Ka pranuar dy oferta. Një nga grupi i operatorëve ekonomik, “FST Engineering SH.P.K.; LSN+Partners SH.P.K.; N.N.SH. Vizion Project; ALN Architekturburo Leinhäupl + Neuber GmbH, Prishtinë, 10000, Prishtinë” dhe një tjetër nga grup i operatorëve ekonomik “N.SH. Smart Architecture; Studio Paçarizi (Gezim Pacarizi), Jusuf Gërvalla, Prizren”. Me 83.9 pikë grupi i parë i operatorëve ekonomik ka fituar në raport me 69.2 pikë sa ka marrë grupi dytë i operatorëve. Pas zgjedhjes së projektit ideor, ku s’ka të dhëna publike se kush ka qenë në juri, Komuna nëpërmjet negocimit është marrë vesh që kompanitë që kanë fituar në konkurs të përpilojnë edhe projektin e detajizuar në vlerë prej 689 mijë eurove. Kontrata është nënshkruar më 9 mars të këtij viti. Por Komuna në këtë marrëdhënie kontraktuale ka hyrë pa i ndjekur hapat që përcakton Ligji për trashëgimi kulturore dhe aktet nënligjore që dalin prej tij.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Ne nuk kemi pranuar projektin ideor për këtë nismë. Fillimisht duhet të sillet projekti ideor, të miratohet e më pas të vazhdohet për përpilimin e projektit final. Këtë praktikë Komuna e ka përfillur në disa raste në të kaluarën”, kanë thënë në Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Këtë praktikë Komuna e ka përfillur në rastin e projektimit të Sallës Koncertale që planifikohet të zërë vend te ish-shtëpia e mallrave “Gërmia”.
Ligji për Trashëgimi Kulturore përcakton se në situata ku zhvillohen punime afër monumenteve duhet leje me shkrim.
“Cilado ndërhyrje qё ndikon nё tërësinë ose vlerat e trashëgimisë kulturore, kërkon leje të shkruar nga institucioni kompetent”, përcaktohet në nenin 4 të Ligjit për Trashëgimi Kulturore. Aty po ashtu bëhet e ditur se institucioni kompetent urdhëron ndaljen e menjëhershme për një periudhë të pacaktuar kohore të çdo lloj pune të paautorizuar në trashëgiminë kulturore.
“Aplikimi për leje për ndërtimin e ndërtesave ose krijimtari tjetër brenda zonës së mbrojtur të një monumenti arkitektural, ose brenda një hapësire konservuese arkitekturale, ose që ndikon nё mjedisin e një asambleje, paraqitet për shqyrtim në institucionin kompetent. Institucioni kompetent ka veto mbi dhënien e një leje të tillë. Nëse institucioni kompetent nuk përgjigjet brenda 15 ditëve në lidhje me aplikimin për ndërtimin e ndërtesave ose zhvillimeve të tjera, leja mund të përcaktohet nga autoriteti relevant për planifikim dhe ndërtim”, përcaktohet në nenin 9.
Komuna tash ka hyrë në obligime kontraktuale për projekt të detajizuar pa e pasur të miratuar projektin ideor. Pra, pa garanci se projekti është i implementueshëm edhe në vlerësimin e IKMM-së si institucion që gëzon të drejtë vetoje për ndërhyrjet në asete të mbrojtura të trashëgimisë kulturore. Institucioni lokal s’është përgjigjur për këtë temë.
Vjet Komuna e Prishtinës kishte pasur qasje tjetër por ajo nuk do të ecte para.
Vitin e kaluar Komuna e Prishtinës kishte hapur thirrjen publike me titull “Konkurs projektimi për parkun përkujtimor ‘dr. Ibrahim Rugova’ dhe Biblioteka Presidenciale”. Konkursi mblodhi gjashtë propozime dhe ato i vlerësoi juria e përbërë nga pesë anëtarë. Dy ndërkombëtare dhe tre vendas. Paraprakisht Komuna siç përcakton Ligji për trashëgimi kulturore dhe rregulloret përkatëse, kishte kërkuar kushte dhe kritere për projektim nga Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prishtinë, pasi zona ku synohet të ndërtohet është aset i trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme. QRTK-ja i ka dërguar kushtet e kriteret. Madje, Komuna në bazë të dokumentacionit që posedon KOHA ka pasur në jurinë vlerësuese edhe një përfaqësues të QRTK-së. Në fund të korrikut të vitit të kaluar kryetari i Komunës, Përparim Rama kishte publikuar në rrjete sociale një video të punës së jurisë. Ky fakt kishte bërë që juria të ngritë shumë shqetësime dhe krejt kjo duke u bërë gjatë procesit ishte parë edhe si ndërhyrje në punë. Por juria e përbërë nga Teuta Jaha, Davide Macullo, Toni Girones, Dukagjin Kastrati dhe përfaqësuesja e QRTK-së Afërdita Gashi-Sinanaj do të rekomandonte që të mos zgjidhet asnjë prej gjashtë projekteve. Kjo juria ka bërë veç vlerësim narrativ, jo financiar.
“Kjo ndërtesë ka rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare dhe duhet të shërbejë si një ikonë e integrimit, qëndrueshmërisë dhe angazhimit qytetar. Megjithëse juria e pranon përpjekjen e të gjithë pjesëmarrësve dhe angazhimin e tyre në një projekt me rëndësi të thellë kombëtare dhe kulturore, për fat të keq, paraqitjet në përgjithësi nuk pasqyruan nivelin e ambicies, kujdesit dhe përsosmërisë ndërdisiplinore të nevojshme për ta shndërruar këtë mundësi unike në një hap përpara për cilësinë e jetës në Prishtinë”, shkruhet në raport. Aty sqarohet qartë qëndrimi i jurisë.
“Juria nuk rekomandon dhënien e një çmimi apo kontrate për asnjë nga propozimet e paraqitura. Ne besojmë se autoritetet përgjegjëse do të përcaktojnë rrugën e duhur të veprimit, qoftë përmes anulimit apo mjeteve alternative për të siguruar vazhdimin e zhvillimit të këtij projekti të rëndësishëm”, shkruhet në raportin e vlerësimit. Thirrja më pas qe anuluar.
Hapësira ku planifikohet të zërë vend projekti i ri ka një histori që nis qysh në përfundimin e Luftës së Dytë Botërore. Sipas të dhënave që ofron platforma “Oral History Kosova”, pas Luftës së Dytë Botërore hapësira njihej si Varrezat e Dëshmorëve Partizanë. E prej vitit 1961 aty u vendos memoriali në formë të yllit me një glob në qendër i projektuar nga arkitekti serb, Svetislav Liçina, si përkujtim për të rënët në Luftën e Dytë Botërore.
“Pas vitit 1999, politikanët dhe luftëtarët që përfaqësonin të gjithë spektrin politik filluan të negociojnë hapësirën e tyre në këtë park përkujtimor. Filloi me veteranët e Luftës Antifashiste Nacional-çlirimtare, të cilët shtuan një pllakë të re. Më pas u ndërtua një varrezë për të përkujtuar të rënët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të vitit 1999”, shkruhet në platformë. Aty zë vend edhe varri i presidentit Ibrahim Rugova dhe ai ish të burgosurit politik, Adem Demaçi.
Komuna ka shumë halle me projektet që prekin zonat e mbrojtura të trashëgimisë kulturore.
Komunës së Prishtinës i është dashur më shumë se një vit që të bindet se për projektin e sheshit “Xhorxh Bush” i duhet leja nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës. Tre muaj pas një takimi midis palëve – ku kishin diskutuar që projekti të miratohej me faza – Komuna javën e kaluar i është drejtuar IKMM-së dhe tash pret leje vetëm për infrastrukturë nëntokësore. Lokalet e parapara me projekt mbesin pika kryesore e përplasjeve, por kjo mënyrë ka qenë “kompromisi” për ta zhbllokuar projektin 18.1 milionë eurosh së paku me faza. Komuna i ka po ashtu punimet e ndaluara edhe për projektin “Ishulli Urban Arbëri – Pallat i Rinisë”, projekt që ka kosto 6.4 milionë eurosh. Për nënkalimin te “Agim Ramadani” muajin e kaluar i është refuzuar projekti për të dytën herë.