Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Këngëtarja “artificiale” e muzikës rome midis famës e kritikave

Lolita

“Nëse e dëgjoni muzikën time dhe ndieni diçka, nuk mendoni për mua, por për veten. Unë jam vetëm një shkas”, thotë Lolita Cercel

Lolita Cercel e krijuar virtualisht me mjete të Inteligjencës Artificiale është yll në Romani dhe më gjerë. “Trip-hop ballkanik”, është zhanri i saj, kombinon meloditë tradicionale rome me ritme moderne pop, dance dhe elektronike dhe prej kohësh është bërë pjesë e muzikës mainstream. Por anash famës, ajo është në shënjestër të kritikëve. “Instrumentalizim i kulturës rome”, e ka cilësuar dikush. Sipas kritikëve përderisa artistët e vërtetë romë shpesh nënvlerësohen, një “identitet virtual, i theksuar në racë dhe rom i dehumanizuar” papritur arrin sukses

Cristian Stefanescu

Një grua me lëkurë të errët dhe me një shikim të mprehtë këndon për jetën sociale në luftë për mbijetesë. Dhe miliona rumunë e dëgjojnë atë. Videot e Lolita Cercelit në fillim të vitit 2026 kanë gjeneruar miliona klikime në rrjetet sociale në Rumani. Por kjo grua në fakt nuk ekziston fare.
Lolita Cercel është krijuar virtualisht me mjete të Inteligjencës Artificiale. Fytyra e saj është gjeneruar me softuer, zëri i saj është sintetik, ndërsa muzika është kompozuar nga një program kompjuterik. “Cercel” në rumanisht do të thotë “vath” dhe ky është edhe titulli i këngës së saj të parë. Çdo gjë rreth Lolitas është formësuar sipas ideve të një grafisti rumun që dëshiron të mbetet anonim dhe e quan veten thjesht “Tom”.
Tom e përshkruan stilin e Lolitas si “trip-hop ballkanik”. Por për shumë dëgjues rumunë, ai i ngjan shumë maneleve, një zhanër i njohur muzikor rumun që u zhvillua në vitet 1980 dhe 1990 brenda komuniteteve rome. Ai kombinon meloditë tradicionale rome me ritme moderne pop, dance dhe elektronike dhe prej kohësh është bërë pjesë e muzikës mainstream.  

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në skaj të shoqërisë

Tom ishte reper në shkollë dhe më pas studioi regji filmi, por pa shumë sukses. Vite më vonë, në një bibliotekë, ai hasi në një përmbledhje poezish të Miron Radu Paraschivescu nga viti 1941 me titull “Cantece tiganesti”, që do të thotë “Këngë cigane”. Sot ky term konsiderohet fyes për komunitetin rom dhe zakonisht refuzohet prej tyre.

Kjo përmbledhje u botua në një kohë kur romët në Rumani po kalonin një nga periudhat më të errëta të historisë së tyre: deportimet gjatë Luftës së Dytë Botërore, të kryera nga regjimi në Bukuresht, aleat i Gjermanisë naziste, ku dhjetëra mijëra njerëz humbën jetën.

Paraschivescu shkroi për romët me simpati, por nga një perspektivë e jashtme, në mënyrë poetike dhe jo si kronikan i një komuniteti të rrezikuar. Këto tekste e frymëzuan Tomin të kthehej në muzikë. Mundësitë teknike bënë pjesën tjetër: “Lolita lindi kur kurioziteti im dhe mjetet e disponueshme arritën në një nivel ku mund të krijoja zërin që dëshiroja”. 

Tom punoi katër muaj mbi këtë personazh. Ai thotë se Lolita është frymëzuar nga njerëzit e shtresave të varfra në qytetin e tij në lindje të Rumanisë, si dhe nga periferia e Evropës Jugore.
Që në fillim, sipas tij, ishte e qartë se Lolita është produkt i Inteligjencës Artificiale. Megjithatë, ai thekson se nuk kishte për qëllim të krijonte një figurë rome. Lolita është “thjesht një grua nga Ballkani”. Për shumë pjesëtarë të komunitetit rom kjo nuk çon peshë.

“Nëse duket si patë…”

Aktivisti rom Alex Stan nga Fondi për Arsimimin e Romëve sheh te Lolita diçka të njohur – por edhe problematike. Emri, estetika, stili muzikor dhe referencat ndaj traditave shpirtërore të përhapura në kulturën rome – të gjitha këto, sipas tij, krijojnë një model të qartë. 

“Nëse duket si patë dhe sillet si patë, atëherë është patë”, thotë. Projekti, sipas tij, është i padrejtë sepse as personazhi dhe as krijuesi i tij nuk kanë përjetuar “përvojat jashtëzakonisht komplekse të një gruaje rome”.

Edhe aktivistja e re rome Alexandra Fin nga Cluji në veriperëndim të Rumanisë e kritikon projektin si “instrumentalizim të kulturës rome”. Përderisa artistët e vërtetë romë shpesh nënvlerësohen, një “identitet virtual, i theksuar në racë dhe rom i dehumanizuar” papritur arrin sukses, thotë ajo. Për të, kjo është një ironi e hidhur: “Dallimi është racizmi”. 

Krijuesi i Lolitas, Tom, i hedh poshtë këto kritika. Arti, sipas tij, nuk duhet të bazohet domosdoshmërisht në përvojën personale. Në një video-mesazh të gjeneruar për DW, edhe vetë Lolita “flet” në mbrojtje të projektit: “Një autor nuk ka nevojë të jetë vrasës për të shkruar një roman kriminal bindës; një kompozitor i shurdhër mund të krijojë simfoni”. Përvoja është “një përbërës, jo e gjithë receta”.

Çdo gjë rreth Lolitas është formësuar sipas ideve të një grafisti rumun që dëshiron të mbetet anonim dhe e quan veten thjesht “Tom”

Muzikë rome pa muzikantë romë?

Për Alex Stanin, ky argument nuk mjafton. “Performanca live është ajo që e bën muzikën rome të veçantë”, thotë ai. “Është një përvojë krejt tjetër nga një incizim në studio – e aq më tepër nga një produkt i Inteligjencës Artificiale”. Ai shton se ka shumë artistë romë që duan të afirmohen. Problemi është strukturor: përderisa një personazh i krijuar artificialisht mund të bëhet viral, shumë artistë realë mbeten të padukshëm për shkak të barrierave në industrinë muzikore. “Krijohet përshtypja se ekziston një platformë për muzikën rome – por pa romët”, thotë ai. 

Si kundërargument, Stan përmend Goran Bregoviqin, i cili ka arritur sukses ndërkombëtar me muzikë të ndikuar nga kultura rome, por vetëm pas bashkëpunimeve të gjata me muzikantë romë. Edhe producenti gjerman Stefan Hantel (“Shantel”) ka punuar me muzikantë realë për pop-in e tij ballkanik. Ndryshe nga ata, Tom ia ka lënë këtë proces algoritmit.

“Si artiste reale ndoshta do të dështonte”

Muzikanti rumun Cristian Stefanescu (“Electric Brother”) e konsideron Lolitan më interesante se shumë nga ajo që dëgjohet në radio komerciale. Por ai shton: “Nëse ajo do të ishte një këngëtare e vërtetë me këtë material, ndoshta do të refuzohej. Sepse është ndryshe. Dhe industria nuk do asgjë ndryshe”. 

Tom nuk shqetësohet për këtë. Ai vazhdon të ndërtojë botën e Lolitas: koncepte vizuale, personazhe të reja dhe bashkëpunime të mundshme. Për njerëz si Tom, Inteligjenca Artificiale përfaqëson demokratizimin e krijimtarisë. Për të tjerët, ajo mund të bëhet një mjet i shfrytëzimit kulturor, ku historitë e pakicave merren, riformësohen dhe monetizohen pa pjesëmarrjen e tyre reale. Vetë Lolita e përmbledh këtë, në mënyrë poetike apo ironike: “Nëse e dëgjoni muzikën time dhe ndieni diçka, nuk mendoni për mua, por për veten. Unë jam vetëm një shkas”.

Marrë nga “Deutsche Welle”. Përktheu KOHA. Titulli është i Redaksisë.