Rrugëtimi i Adelina Ismailit ka nisur në moshë shumë të re, por jo me atë ndjeshmërinë e brishtë që zakonisht shoqëron fëmijët në skenë. Gjatë katër dekadave, ky zë është shndërruar në një prej simbolikave më të ngulitura të forcës femërore në kulturën e muzikës pop, duke bartur më vete revoltën krijuese, ritmet urbane dhe atë lloj energjie që ka qenë gjithmonë sfiduese ndaj kufizimeve shoqërore. Krejt këto etapa i ka përthekuar edhe koncerti i saj
Katër dekada muzikë, provokim, estetikë e guxim performativ janë rikthyer në skenë, në koncert retrospektiv në periferi të kryeqytetit. Adelina Ismaili, figura që ka shënjuar shumëfish zhvillimet e muzikës pop shqiptare, ka përmbledhur rrugëtimin e saj prej 40 vjetësh në një mbrëmje të ndërtuar si udhëtim përmes këngëve, stileve dhe dekadave. Mbështetur nga Ministria e Kulturës, koncerti me titull “XLAI”, në sallën “AMC”, të mërkurën mbrëma, ka mbledhur qindra adhurues, të rinj e të rritur, të cilët kanë ardhur ta përjetojnë nga afër rikthimin e saj.
Rrugëtimi i këngëtares ka nisur në moshë shumë të re, por jo me atë ndjeshmërinë e brishtë që zakonisht shoqëron fëmijët në skenë. Qysh në paraqitjet e para është dëgjuar një zë i mprehtë, i pastër dhe i fuqishëm, që ka lënë të kuptohet se aty ka filluar të zgjohet një marrëdhënie e veçantë me artin e interpretimit. Gjatë katër dekadave, ky zë është shndërruar në një prej simbolikave më të ngulitura të forcës femërore në kulturën e muzikës pop, duke bartur më vete revoltën krijuese, ritmet urbane dhe atë lloj energjie që ka qenë gjithmonë sfiduese ndaj kufizimeve shoqërore.
Këngët që ka sjellë ndër vite kanë funksionuar si rrëfim për jetën shoqërore e private të botës shqiptare, të drejtpërdrejta në tekst, të ngarkuara me ndjeshmëri kur flasin për dashurinë, të ashpra kur trajtojnë tema sociale, dhe të mbështetura në një fuqi të theksuar kur përqendrohen te figura e gruas.
Fillet e saj janë reflektuar edhe në koncert. Mbrëmja ka nisur me këngët e para të karrierës, “Tavolina e gjorë” dhe “Do të bëhemi milionerë”, të vitit 1988, janë interpretuar bashkë me fëmijët e korit “Okarina”, duke sjellë atmosferën e një periudhe kur estrada shqiptare ka filluar të marrë pamje tjetër. Prezenca e fëmijëve në skenë ka krijuar një lidhje mes kujtesës së asaj kohe dhe brezit që e ka njohur Adelinën përmes rrëfimeve e videove të dikurshme.

Pas këtyre dy këngëve, repertori ka kaluar në fazën ku këngëtarja ka ndërtuar identitetin e saj skenik. “Sex bombë”, “Sonte” dhe “Ku ma ke” kanë rikujtuar periudhat kur ajo ka sfiduar format e zakonshme të performimit dhe ka krijuar një imazh që ende sot mbetet unik në skenën shqiptare.
Gjatë gjithë mbrëmjes, përveç këngëve të repertorit të përzgjedhur, janë transmetuar në ekranet skenike edhe copëza videosh të kohëve të mëhershme, sekuenca muhabetesh, intervista, performanca live ndër vite, e videoklipe origjinale të vjetra të këngëtares.
Një pjesë e rëndësishme e identitetit të saj është aftësia që posedon për ta lidhur traditën me skenën moderne, duke sjellë elemente popullore në format e reja të performancës pa humbur autenticitetin që e ka karakterizuar në çdo fazë.
Pikërisht kjo ndërthurje e ka bërë Adelinën një prej artisteve që kanë krijuar ura të natyrshme mes qytetit dhe katundit, mes folklorit dhe estetikës urbane. Tekstet e këngëve të saj, të kapshme për një publik të gjerë, e kanë mbajtur të lidhur me audiencë të shumëfishtë, ndërsa performanca e saj ka kaluar përtej këngës: kostume konceptuale, skena të ndërtuara me simbolika të qarta, vallëzim modern dhe një qasje që në kohën e vet ka qenë e pakrahasueshme me gjithçka që ofronte estrada shqiptare.

Të gjitha këto elemente e kanë shndërruar artisten në një prej figurave që ka ndikuar drejtpërdrejt në mënyrën se si është kuptuar feminizmi skenik, rregullat artistike dhe vetë identiteti i performancës në kulturën pop të dekadave të fundit.
Këngëtarja ka tentuar t’i shpjegojë emocionet e saj për mbrëmjen e 40-vjetorit, duke shprehur befasinë që ka përjetuar me dashurinë e marrë nga publiku gjatë interpretimit.
“Nuk e di, nuk po mundem me e përshkru çfarë ndjenje ka qenë, nuk e di. Me thënë sikur herën e parë kur kam dalë në skenë, nuk është e vërtetë, se herën e parë nuk kam pasë emocione. Sonte më janë këputë këmbët prej emocioneve, nuk kam pritë kaq shumë dashni, jo në shekullin e TikTokut dhe të Instagramit, nuk kam pritë kaq shumë dashni në një koncert live. Kjo ka qenë domethënë kulmi. Qershia mbi tortë: presidentja më ka dekoru sonte me Medaljen e Meritave dhe këtë natë nuk di me përshkru”, ka thënë ajo për KOHËN.
Segmenti i mesëm i koncertit ka sjellë një energji krejtësisht tjetër. Këngë si “Kanagjegji”, “Amaneti” e “Mos ma ndal” e kanë përcjellë vazhdimin e mbrëmjes, ndërkaq “Hajde shot’o mashallah” është shoqëruar me vallëzime të ansamblit “Shota”. Kjo ndërthurje e ritmeve pop me elemente tradicionale ka qenë pjesë e pandashme e estetikës së saj, një prej arsyeve pse hitet e saj kanë kaluar kufijtë e kohës dhe brezave.

Pas ritmeve të ngrohta pop-folk, mbrëmja ka marrë ton tjetër.
“A kemi sonte të dashuruar? Shkojmë me diçka për zemrat e dashuruara”, ka thënë Adelina përpara se të nisë këngën “Qe 1 vjet e 7 ditë”. Kjo pjesë ka sjellë interpretimet e saj më intime, me këngë që publiku i ka pritur si fragmente kujtimesh personale: “Zemrën nuk ta fal”, “Femër dhe dreq”, “Shko”, “Skënderbe”, “Një ditë kosovarçe”, “Shko n’rrs” dhe të tjera.
Është krijuar përshtypja e një kapitulli që e kthen skenën në rrëfim, ku secila këngë i përket një epoke të caktuar të kulturës urbane të Kosovës dhe Shqipërisë.
Mbrëmja është realizuar me një ekip të gjerë instrumentistësh e kërcimtarësh, ndërsa përgjegjësinë për aranzhimin e shumë prej këngëve e ka mbajtur Gjergj Kaçinari, i cili njëkohësisht ka performuar pjesë nga kënga “Sajzeza”, bashkëpunim i Adelina Ismailit dhe bendit “Elita 5”.
“Adelina ka qenë një ndër fenomenet më të mëdha që ne kemi parë në televizion ndonjëherë në jetë, po flas qëkur unë kam qenë bebe dhe kënaqësia e bashkëpunimit dhe përgjegjësia e madhe për me realizu këtë koncert ka qenë e jashtëzakonshme. Fatmirësisht kemi kohë që punojmë për këtë koncert, i kemi kryer gjithë këto hallkat, po themi, të sikletshme dhe besoj që të gjithë që kanë qenë këtu në skenë, të gjithë instrumentistët, balerinët dhe Adelina vetë, e kanë shijuar në maksimum këtë koncert”, është shprehur Kaçinari.
Një ndër pikat kulmore të mbrëmjes ka qenë interpretimi i këngës “Ushtrinë time do ta bëj”. Këngëtarja ka rikujtuar vitet ‘90, kur dëshira për të pasur një ushtri të Kosovës ka qenë një nga idealet më të përfolura në rininë e asaj periudhe.
“Ishte viti 1996 kur ëndërronim e dëshironim një ushtri, e sot e kemi ushtrinë, e kemi policinë, i kemi të gjitha. Këngën që sapo e këndova ia kushtoj presidentes sime. ‘Presidente të dua’”, ka thënë ajo në skenë, për të vazhduar performancën me fragmente nga kënga “Jem Ilira, jem Teuta”.

Pjesë e publikut kanë qenë edhe artistë të tjerë që kanë ndarë komentin e tyre personal për mbrëmjen. Këngëtarja Edona Llalloshi, që është kolege me Adelina Ismailin dhe bashkë ndajnë pak a shumë të njëjtën jetëgjatësi të karrierës, ka thënë se koncerti e ka kthyer pas në kohë.
“E shijova maksimalisht koncertin e Adelinës. I uroj shumë suksese. Ne bashkërisht kemi rrugëtuar, kemi shumë kujtime të bukura bashkë, ngjarje gjithmonë që më kanë lënë kujtime në rininë tonë, në jetën tonë e në karrierën tonë. Adelina ka thyer tabu gjithmonë dhe sonte ishte e jashtëzakonshme, më pëlqeu performanca e saj, organizimi, na riktheu shumë vite prapa, me të vërtetë e shijova dhe u kënaqa. I uroj shumë suksese. E ka merituar”, ka thënë ajo.
Në publik ka pasur edhe të rinj që e kanë njohur Adelinën përmes prindërve, mënyra më karakteristike se si transmetohet kultura pop e dekadave të fundit.
“Ishte super, jam kënaq shumë. Edhe Adelina më pëlqen shumë si këngëtare. Mamit edhe babit u pëlqen shumë, ata ma kanë mësuar Adelinën dhe e dëgjoj nganjëherë dhe më pëlqejnë këngët e saj shumë”, ka thënë 16-vjeçarja Erda Abazi.
Koncerti është mbyllur me “Sajzeza”, një prej këngëve më të njohura të repertorit të saj. Pas thirrjeve të publikut për ta risjellë në skenë për të fundit herë, ajo është rikthyer për ta përsëritur këngën “Zemrën nuk ta fal”. Para se ta nisë, ka lajmëruar publikun me një ton të lehtë ironie e shakaje se “hala nuk është pagu”. Duartrokitjet dhe brohoritjet, sikurse për parapraket, e kanë shoqëruar edhe performancën e fundit. Projekti për EP, “Grua” i Adelina Ismailit, me 20 mijë euro, mban rekordin te lista e projekteve individuale në fushën e artit, kulturës dhe të trashëgimisë kulturore të mbështetura nga Ministria e Kulturës për këtë vit.
Mbrëmja e ka rikthyer Adelina Ismailin jo vetëm si këngëtare, por si simbol të një epoke që ka ndikuar në kulturën pop shqiptare për gati dy gjenerata. Koncerti jubilar ka shërbyer si përmbledhje e rrugëtimit të saj artistik, e transformimeve estetike që ka sjellë në skenë dhe e ndikimit që vazhdon të ketë edhe sot.