Kulturë

Kalaja e Prizrenit pas dështimit të ndërhyrjes emergjente, pret dy ciceronë

Kalaja e Prizrenit (Foto: Arben Llapashtica)

Kalaja e Prizrenit është prej aseteve të trashëgimisë kulturore ku janë investuar mbi një milion euro nga fondet ndërkombëtare e buxheti vendor dhe ka disa vjet që duket si hapësirë e braktisur (Foto: Arben Llapashtica)

Pas dështimit të tentativës paraprake që Kalaja e Prizrenit për herë të parë të bëhet me ciceronë, ky proces ka hyrë në fazë të re. Dy kandidatë kanë kaluar verifikimin paraprak për t’i marrë këto pozita. Nëse finalizohet me sukses, do të bëhet i treti aset me ciceronë pas parkut arkeologjik “Ulpiana” dhe Kalasë së Novobërdës. Për njohës të kësaj fushe sërish është shumë më me rëndësi që në monumente të zbatohet një plan interpretimi

Ministria e Kulturës është në mësymjen e dytë për ta bërë Kalanë e Prizrenit me dy ciceronë. Kësaj radhe – sikurse në herën e parë kur u anulua konkursi – kanë aplikuar katër kandidatë dhe dy prej tyre e kanë kaluar vlerësimin administrativ duke u kualifikuar për të vazhduar me procedurën e mëtejme të rekrutimit. Kalaja e Prizrenit është aseti i tretë i trashëgimisë kulturore arkeologjike që MKRS-ja tenton ta bëjë me ciceronë. pasi dhe Kalaja e Novobërdës, tashmë e kanë kryer këtë punë. Ky është prej aseteve të trashëgimisë kulturore ku janë investuar mbi një milion euro nga fondet ndërkombëtare e buxheti vendor dhe ka disa vjet që duket si hapësirë e braktisur. 

Flaka Bamja e Mirlinda Maloku e kanë kaluar verifikimin paraprak duke u bërë dy kandidatet që synojnë dy vende pune si cicerone. Në konkursin e korrikut të këtij vitit – ku përfshiheshin edhe thirrjet për ciceronë në Ulpianë dhe Novobërdë – qenë po këto dy kandidate që ishin kualifikuar për të vazhduar me procedurat e rekrutimit. Edhe asokohe ishin regjistruar gjithsej katër kandidatë. Ministria e Kulturës nuk ka dhënë ndonjë arsyetim për anulimin e asaj procedure. Thjesht kishte njoftuar se bazuar në legjislacionin në fuqi, procedura është anuluar. 

Ministria e Kulturës nuk është përgjigjur as për konkursin e ri. S’ka treguar kur pritet të ketë rezultate konkrete dhe angazhim të ciceronëve, as nëse do të kenë ndonjë trajnim paraprak dhe se si pritet të ndikojë angazhimi i tyre në rritjen e vizitave. Në shtator të këtij viti për ciceronë në Ulpianë qenë zgjedhur Ismail Gagica e Atdhe Prelvukaj, kurse për Novobërdë, Fitim Bunjaku. 

Asokohe për çështjen e punësimit të ciceronëve nga ana e Ministrisë, Sali Shoshi, i cili udhëheq fondacionin Trashëgimia Kulturore pa Kufij –  “CHwB Kosova”, kishte thënë se ka më shumë rëndësi që në monumente të zbatohet një plan interpretimi. Të njëjtën e ka përsëritur edhe tash. 

“E rëndësishme është që secili monument ta ketë njëfarë plani të interpretimit, pra në njëfarë mënyre qoftë përmes ciceronëve, qoftë përmes formave të tjera, pra të ketë informata të mjaftueshme për vizitorë. Ka raste që s’ka nevojë për ciceronë hiç, në qoftë se ajo ka ekspozitën të shpërndarë dhe të interpretuar mirë ose ka një aplikacion që mund ta interpretojë. E rëndësishme është të ketë plan dhe nuk jam i sigurt që secili prej këtyre monumenteve ka plan të interpretimit”, ka thënë ai. Sipas tij, nëse plani përfshin mediume më të avancuara, mund të funksionojë guida edhe pa ciceronë.

“Ciceroni është veç një medium që e interpreton planin, pra është mirë që monumenteve t’u qasen në mënyrë më të kompletuar, ku bëhet plani i interpretimit dhe mandej zgjidhen mediumet e interpretimit, qoftë ato me njerëz ose si audiovizuale, ose varësisht prej politikave që i ka terreni”, ka shtuar Shoshi.

Shoshi ka treguar se mban shpresë që shteti ta marrë seriozisht këtë aspekt, që turistët ta kenë dëshirën që këto lloj monumentesh të vizitohen edhe për herë të dytë.

“Sepse deri tash në shumicën e monumenteve nuk ke arsye të shkosh dy herë, me një herë e kryen, sepse në shumicën e tyre nuk ndodh diçka që të thërret të shkosh për të dytën herë”, ka thënë ai. Fondacioni që ai udhëheq së fundmi ka mbajtur dhe një kamp të interpretimit, dedikuar tërësisht “Ulpianës”. Aty kanë marrë pjesë midis të tjerësh edhe dy ciceronët e punësuar nga MKRS-ja. 

Ndër kriteret e konkursit – si në rastin e korrikut edhe në këtë të fundit – Ministria kishte listuar: njohuri të thelluara për historinë dhe arkeologjinë e Kosovës, aftësi të shkëlqyera komunikimi dhe prezantimi, njohuri të mira të gjuhës angleze, gatishmëri për të punuar në ambient të hapur dhe për periudha të zgjatura në këmbë e aftësi për të punuar në mënyrë të pavarur dhe në ekip. Si përparësi kishte renditur përvojën paraprake në udhërrëfime turistike apo edukim muzeal, si dhe njohjen e gjuhëve të tjera përveç anglishtes. Shoshi kriter për përzgjedhjen e ciceronëve e ka emëruar të qenët narrator i mirë, përveç shkollimit e përvojës së punës.

“Mendoj se për përzgjedhjen e ciceronëve kriter duhet të jetë përgatitja profesionale: shkollimi dhe përvoja, aftësitë që i kanë për të qenë aty, sepse çështja e ciceronit është që të jetë një tregimtar i mirë, dikush që di të tregojë mirë, aq do të ishte e mjaftueshme. Për mua nuk është aq e rëndësishme të ketë ciceron, por shumë më i rëndësishëm është plani i interpretimit”, ka thënë Shoshi. Pos ciceronëve, shteti ka pasur edhe plane të tjera sivjet për Kalanë e Prizrenit. 

Në gusht të këtij viti, MKRS-ja kishte dështuar që të bëjë një intervenim emergjent në këtë monument. Ndërhyrja tejet e nevojshme nuk do të bëhet të paktën deri në pranverë të vitit të vjen. MKRS-ja  ka dështuar që nëpërmjet dy thirrjeve të gjejë kompani që do të rregullonte shumë pozicione brenda këtij monumenti. Në tenderin e fundit s’ka pasur asnjë kompani të interesuar. Ata që e njohin mirë monumentin thonë se çmimi i paraparë ishte i ulët. Kushtet meteorologjike nuk mundësojnë ndërhyrje restauruese në disa pjese deri në pranverë.

Kalaja e Prizrenit, ende pa u futur brenda rrethojës, shihet se është njëfarë lokaliteti i braktisur. Në cilindo drejtim që nisen vizitorët nuk marrin vesh gjë. Tabelat informuese i ka bjerrë koha. Shërbejnë veç si pamje të shëmtuara e relikte që dëshmojnë moskujdesin e shtetit. Shtigjet e drunjta kanë degraduar deri në masën sa rrezikojnë vizitorët. Janë arnuar me dërrasa, por si opsion që i ka shëmtuar, e ka rritur pak sigurinë. Degradimi i shtigjeve është i nivelit aq sa para më shumë se dy vjetëve, një vizitor e kishte lëshuar pjesa e shtegut ku po ecte. Ishte lënduar dhe kishte shkuar në Polici për ta paraqitur rastin me akuzën se ka pësuar në monumentin e menaxhuar nga shteti. Juridikisht shteti është përgjegjës për atë pjesë, por në praktikë s’merr kush pikë përgjegjësie.
MKRS-ja ka kohë që tenton funksionalizimin e monumenteve nëpërmjet organizatave joqeveritare.
Në vitin 2023, në tentimin e parë, prej pesë monumenteve sa kishte synuar t’i funksionalizonte me organizata joqeveritare, Ministria pati bërë zgjidhje vetëm për dy: Kompleksin memorial “Isa Boletini” në Boletin dhe Shtëpinë e Katarina Josipit në Zym të Prizrenit, për të cilën nuk i kishte funksionuar plani, ndërsa gjashtë organizata të tjera qenë diskualifikuar kryesisht për mospërmbushjen e kritereve përmbajtjesore dhe administrative. E në tentativën e dytë, MKRS-ja vitin e kaluar qe vënë sërish në kërkim të organizatave joqeveritare për t’i funksionalizuar asetet e trashëgimisë kulturore të vendit që kishin dështuar në përpjekjen e parë. Kësaj radhe në listë kishin qenë parku arkeologjik “Ulpiana” dhe Kalaja e Prizrenit. S’kishte bërë gjë me këtë thirrje dhe tash synon që në rastin e këtyre dy aseteve t’i kompletojë stafet nëpërmjet punësimeve.