Kulturë

“Infrared” futet midis njeriut dhe natyrës në kërkim të ndjeshmërisë

“Infrared” futet midis njeriut dhe natyrës në kërkim të ndjeshmërisë

Rea Mehana ka sjellë projektin “Drunjtë/Njeriu/Simbiozë”, një hulumtim artistik mbi ndikimin e hapësirave të gjelbra në mirëqenien urbane. Duke reflektuar mbi përvojat personale të qytetarëve me natyrën, vepra e saj ka synuar të nxisë vetëdijen për rëndësinë jetike të këtyre hapësirave në një epokë të betonizimit të pandalshëm

Tre artistë – Arbër Salihu, Rea Mehana dhe Kreshnik Arifi – kanë ndarë me publikun veprat e tyre fituese të rezidencës “Infrared”, duke hapur dritare të reja reflektimi për marrëdhënien e qytetarit me natyrën, një raport që është në zhdukje e sipër. Të tri projektet e vendosin njeriun në raport të tensionuar me hapësirën që e rrethon – qoftë ajo e ngulfatur nga smogu, e zhveshur nga gjelbërimi apo e përballur me heshtjen e tingujve të brishtë që nuk gjejnë më vend në qytete të strukturuara mbi beton dhe zhurmë

Kur tensioni midis zhvillimit e shpërfilljes ekologjike rritet nga dita në ditë, artistët kanë vendosur të ecin me këtë në raport të zhdrejtë. Kanë zgjedhur të mos heshtin. I japin zë, formë dhe ndjeshmëri krizës që e përndjek frymëmarrjen kolektive. Me këtë mision, mbrëmjen e së martës në hapësirat e “Rezidencës 17”, janë prezantuar tri projektet fituese të rezidencës “Infrared” për sivjet, një program që ka nxitur ndërthurjen e artit bashkëkohor me ndjeshmërinë mjedisore dhe me teknologjinë.

Projekti “Infrared” që organizohet prej vitit 2019, parasheh që kandidatët të vijnë me ide qoftë artistike apo me hulumtime që kanë të bëjnë me temën e ambientit dhe për tre muaj të punojnë me ato ide për t’i prezantuar dhe për të krijuar një strumbullar me projekte ekologjike. 

Për këtë vit, tre artistë – Arbër Salihu, Rea Mehana dhe Kreshnik Arifi – kanë ndarë me publikun veprat e tyre përmes instalacioneve, hulumtimeve dhe diskutimeve, duke hapur dritare të reja reflektimi për marrëdhënien e qytetarit me natyrën, një raport që është në zhdukje e sipër.

Përkundër dallimeve në mediume dhe qasje, tri projektet që janë prezantuar në kuadër të kësaj rezidence e kanë një emërues të përbashkët: shqetësimin për mungesën e harmonisë midis njeriut dhe natyrës në realitetin e përditshëm. Të tri projektet e vendosin njeriun në raport të tensionuar me hapësirën që e rrethon – qoftë ajo e ngulfatur nga smogu, e zhveshur nga gjelbërimi apo e përballur me heshtjen e tingujve të brishtë që nuk gjejnë më vend në qytete të strukturuara mbi beton dhe zhurmë. Artistët nuk kanë ofruar përgjigje të gatshme, por i kanë shtyrë shikuesit drejt ndjeshmërisë, reflektimit dhe, në fund, ndërgjegjësimit.

Rea Mehana ka sjellë projektin “Drunjtë/Njeriu/Simbiozë”, një hulumtim artistik mbi ndikimin e hapësirave të gjelbra në mirëqenien urbane. Duke reflektuar mbi përvojat personale të qytetarëve me natyrën, vepra e saj ka synuar të nxisë vetëdijen për rëndësinë jetike të këtyre hapësirave në një epokë të betonizimit të pandalshëm.

Ajo ka thënë se mungesa e gjelbërimit në qytetet e Kosovës është bërë gjithnjë e më e dukshme dhe se qëllimi i veprës ka qenë të hulumtojë perceptimet dhe mendimet e qytetarëve të Kosovës në lidhje me mungesën e këtyre hapësirave. Përmes një ankete, ajo ka marrë një mostër prej 150 qytetarësh për të ardhur në një përfundim se sa janë të vetëdijshëm ata për këtë dukuri.

Kreshnik Arifi, përmes “Echo–Eco Fear” ka eksploruar peizazhet zanore si bartëse të identitetit dhe ankthit ekologjik. Raportin me fuqitë akustike kundrejt vendeve ose situatave të cilat janë më të vogla, ai e ka parë si problem te shoqëritë të cilat kanë më pak qasje në informacion më të zhurmshëm

“Studimi do të shqyrtojë faktorët që sipas qytetarëve, kontribuojnë në këtë mungesë dhe do të ofrojë një pasqyrë të gjendjes aktuale lidhur me hapësirat e gjelbra në Kosovë si dhe ndikimet e tyre të mundshme në shëndetin dhe jetesën e popullsisë”, ka thënë Mehana në fillim të prezantimit.

Pas shqyrtimit të rezultateve të anketës, ajo ka shtuar se si përfundim, qytetarët janë të vetëdijshëm dhe të gatshëm të angazhohen në mënyra të ndryshme për ruajtjen dhe zgjerimin e hapësirave të gjelbra, por sipas saj, për t’i bërë të gjitha këto duhet përgjegjësi më e lartë ndaj politikave publike dhe ndaj zbatimit të ligjeve.

“Për ta përballuar këtë sfidë, është e nevojshme të përmirësohen politikat publike dhe zbatimi i ligjeve për mbrojtjen e pyjeve, si dhe të promovohet një bashkëpunim efektiv mes institucioneve, komuniteteve dhe organizatave. Planifikimi urban duhet t’i integrojë në mënyrë të qëndrueshme hapësirat e gjelbra, duke siguruar kështu një ambient më të shëndetshëm dhe cilësor për të gjithë qytetarët”, ka shtuar ajo.

Kreshnik Arifi, përmes “Echo–Eco Fear” ka eksploruar peizazhet zanore si bartëse të identitetit dhe ankthit ekologjik. Raportin me fuqitë akustike kundrejt vendeve ose situatave të cilat janë më të vogla, ai e ka parë si problem te shoqëritë të cilat kanë më pak qasje në informacion më të zhurmshëm.

“Mënyra qysh kam dashur ta përkthej këtë hulumtim në punë artistike është duke e bërë një udhëtim hipotetik prej pjesës rurale drejt pjesës urbane. Ky proces artistik është bërë nëpërmjet një teknike që unë them se është një teknikë shumë e pastrukturuar dhe e pafajshme në tingëllim”, ka thënë Arifi gjatë prezantimit të hulumtimit të vet.

Përmes zërit simbolik të një zileje të biçikletës, ai ka krijuar një narrativë ku tingulli udhëton nga fshati drejt qytetit, duke reflektuar pasiguritë që sjell zhvendosja nga natyra drejt zhurmës urbane.

“Në artin zanor do ta përktheja si tendencë për të krijuar tinguj të brishtë, që janë rritur në një hapësirë ku janë pa strukturë, nuk dinë ta pozicionojnë veten dhe nuk përcaktohen në asnjë tip strukture komunikuese. Çka kam përzgjedhur është zilja e biçikletës dhe arsyeja e përzgjedhjes është qysh ta gjejmë një material që është në fazën më fillestare të zhvillimit të vet dhe është hala e pandikuar prej politikave të hapësirës dhe rasti hipotetik është nisja e këtij tingulli të brishtë deri te hapësira e cila është më zhurmuese, që ka strukturë të trashëguar dhe jo shumë lehtë pranon gjëra që janë goxha të pabaza dhe të brishta”, ka shtuar ai.

Ka krijuar edhe një hartë të tingujve. Një pjesë të skicave i ka paraqitur me ngjyrë të zezë për ta treguar vizualisht rrugëtimin prej fshatit në qytet, ndërsa me ngjyrë portokalli ka paraqitur tingujt naivë që janë ndikuar prej atij rrugëtimi, dhe aty vërehet se prej kalimit nëpër fshat, në fillim është një liri më e madhe e shprehjes tingullore dhe pjesa ku ka shkuar drejt qytetit del në pah njëfarë hezitimi tingullor.

“Mënyra qysh kam dashur artistikisht ta trajtoj ka qenë për shkak të konsideratës problematike të infrastrukturës”, ka thënë ai.

Arbër Salihu ka prezantuar “Smog Waltz”, një instalacion zanor në proces, që e ka shndërruar ndotjen e ajrit në një përvojë shumëndjeshmërie. Ai ka ndenjur i përqendruar përballë pajisjeve të tij muzikore, i veshur me një xhaketë me kapelë – një siluetë e përkryer e përfaqësimit të Prishtinës së ftohtë e të padurueshme

Në njërën nga dhomat e “Rezidencës 17”, e mbështjellë me mjegull dhe me ndriçim të zbehtë që ka shpërfaqur frymën e një dimri të mbytur nga smogu, Arbër Salihu ka prezantuar “Smog Waltz”, një instalacion zanor në proces, që e ka shndërruar ndotjen e ajrit në një përvojë shumëndjeshmërie. Ai ka ndenjur i përqendruar përballë pajisjeve të tij muzikore, i veshur me një xhaketë me kapelë – një siluetë e përkryer e përfaqësimit të Prishtinës së ftohtë e të padurueshme. Përkrah tij, një projektor ka shfaqur imazhe të shtrembëruara të rrugëve urbane, ndërsa tingujt që ai i shtresëzonte ngadalë kanë mbështjellë hapësirën me një tension poetik: frymëmarrja e vështirë është shndërruar në ritëm, dhe mungesa e ajrit të pastër është bërë melodi e kujtesës kolektive.

“Tema e ambientit është diçka që ashiqare na prek krejtve, deshëm apo s’deshëm. Mua më mungon gjelbërimi në Prishtinë, më mungon ajri i pastër në Prishtinë, sidomos dimrit. Çka kam bërë është një vepër artistike audiovizuale dhe e bëra një interpretim artistik të ndjenjës së të jetuarit në Prishtinë, sidomos gjatë muajve të dimrit kur jemi të ngujuar me smog dhe nuk e kemi të mundur të dalim as prej banesave dhe shtëpive tona, se thjesht as dritares s’mund ta çelësh, për shkak se ndihesh që po ngulfatesh prej ajrit të keq”, ka thënë për KOHËN artisti Arbër Salihu, i njohur si La Fazani.

Si performancë solo – të parën e këtij lloji për të – ai ka krijuar një vepër që rrjedh drejtpërdrejt nga përvoja personale dhe e përbashkët: jetesa në Prishtinën e dimrit.

“Kjo ishte një mundësi për mua ta interpretoj këtë temë, por gjithashtu ta bëj një solo performancë, me të cilën nuk jam shumë i mësuar dhe ta eksploroj një formë të re të shprehjes artistike me anë të teknologjisë, e cila ma mundëson t’i shtresëzoj zërat një mbi një dhe për mua ishte hera e parë që e bëra një të tillë performance dhe gjithçka u përputh ashtu siç duhet që kjo të ndodhë sonte dhe jam i kënaqur që ka ndodhur”, ka shtuar ai.

Përmes zërit të incizuar të vetes duke marrë frymë, ai ka ndërtuar një strukturë zanore që përfaqëson frymëmarrjen si simbolin më të sinqertë të jetës dhe mungesës së saj.

“Çdo element në këtë performancë ka ardhur si shprehje që e përfaqëson ndjenjën e të jetuarit në Prishtinën e dimrit. Frymëmarrja është simboli kryesor dhe kur ndihesh që nuk po merr frymë pastër, qysh duhet, atëherë do të ndihesh sikur s’po jeton jetë siç duhet. Në këtë performancë artistike frymëmarrja ka qenë elementi kryesor. E kam incizuar veten duke marrë frymë dhe e kam futur si pjesë të muzikës, dhe kjo ka qenë si e rrahura e zemrës e kësaj vepre”, ka thënë Salihu pas përfundimit të performancës së tij.

Vepra e tij i ka ftuar të pranishmit në një “vals” absurd me smogun – një partner i padukshëm, por i kudogjendur për banorët e Prishtinës gjatë dimrit.

Teksa mjedisi degradon pa zhurmë të madhe, është pikërisht arti që përpiqet ta bëjë këtë zhurmë të dëgjohet. E në një vend ku planifikimi urban shpesh injoron nevojat jetike për ajër të pastër, për gjelbërim dhe për hapësira ku tingulli i natyrës të mos përmbytet nga makineritë, artistët e rezidencës “Infrared” japin një dëshmi: që ndotja nuk është vetëm statistikë e zezë mbi letër, por është një përvojë që merr frymë – ose nuk merr në fakt. Kjo rezidencë është dëshmi që arti jo vetëm që pasqyron realitetin, por ndonjëherë është i vetmi që thërret për ndërgjegje kolektive, se kur qyteti s’ka më gjelbërim, ajo që arti mbjell është vetëm ndjeshmëria.