Kulturë

“I këndoj trupit...” me artistë shqiptarë e serbë në zbërthim identitetesh

Në thelb është trupi. Nëpërmjet tij njëzet artistë zbërthejnë identitetet e llojllojshme dhe ai bëhet pika përbashkuese e krejt veprave të ekspozitës “I këndoj trupit elektrik, ushtritë e atyre që i dua”. Nuk ka të bëjë vetëm me bashkim artistësh etnish të ndryshme, por aty shkrihen dallimet dhe kjo është fuqia e artit siç e promovon “Barabar Centre”

Janë vepra të teknikave e stileve të ndryshme. Shumica prej tyre kanë për personazhe trupat njerëzorë. Me titullin “I këndoj trupit elektrik, ushtritë e atyre që i dua”, nën kurimin e Vesa Sahatçiut, veprat e mbi 20 artistëve shqiptarë e serbë të Kosovës hapin dimensione të ndryshme për trupin njerëzor. Shkojnë përtej anës fizike duke bërë që publiku të thellohet në dimensione të ndryshme të trupit prej atyre gjinore, seksuale, shoqërore e deri te estetika.

Ekspozita e hapur të mërkurën mbrëma në “Barabar Centre” në Prishtinë, ka mbledhur publikun në një lloj muzeu të artit bashkëkohor. E të pranishmit ngjarjet si kjo i kanë vlerësuar si të domosdoshme. Vetë titulli shërben si orientim. “I këndoj trupit elektrik, ushtritë e atyre që i dua” është huazuar nga poezia e një prej krijuesve më të njohur amerikanë të shekullit XIX, Walt Whitman. Ai njihet si poet, eseist e gazetar që ka lënë gjurmë në krijimtarinë botërore. Poezitë e tij ia rrahin telin më shumë filozofisë sesa vargjeve që prekin estetikën. Whitman prekte telashet duke “notuar” midis reales dhe transcendentales. Veprat e artistëve si Jelena Krstiq, Besarta Hoxha e Altin Ibrahimi gërmojnë në atë drejtim, por nëpërmjet artit pamor. E fusin publikun nëpër thjeshtësinë e trupit, por ngadalë e bëjnë atë që të kalojë nëpër dimensione të tjera.

Kuratorja e ekspozitës, Vesa Sahatçiu, përderisa ka shpjeguar titullin e ekspozitës shitëse, ka folur për trupin dhe shprehjet artistike që e kanë emërues këtë subjekt. Sahatçiu është ndalur te dallimi i trupave në dy shekujt e fundit.

“E dimë që kuptimi i trupit të njeriut në këtë shekull dallon konsiderueshëm me atë të shekujve të kaluar. Pa dashur të hyj në diskutime tejet abstrakte mund të thuhet se trupat e shekullit XXI janë të mbështjellë me një sërë identitetesh kulturore seksuale, etnike e gjinore si kurrë më parë e të cilat identitete hapin tema për të diskutuar për trupin e njeriut dhe krijojnë shansin dhe mundësinë që të arrijmë ta rimendojmë veten tonë dhe botën përreth nesh”, ka thënë ajo.

Grupi i artistëve të ekspozitës, sipas Sahatçiut, shtjellon trupin, njëri-tjetrin, dashurinë, shoqërinë, trupat e qenieve e specieve të tjera, dramat ditore, tundimet personale e tema të ndryshme.

Image
Të pranishmit ngjarjet si kjo i kanë vlerësuar të domosdoshme (Foto: Sovran Nrecaj)

“Janë pikërisht këto tema pikëtakimi i të gjitha veprave”, ka thënë Sahatçiu.

Në ambientet e “Barabar Centre” një derivat i organizatës “Integra” dhe asaj “Casa”, Barrie Lynne, zëvendësshefe e UNMIK-ut, ka thënë se arti është prej mjeteve më të fuqishme për të trajtuar çështje të ndryshme.

“Arti është një mjet i fuqishëm për ndryshime shoqërore për të sfiduar stereotipat dhe për të ofruar perspektiva të ndryshme. Arti është urë midis kulturave, është gjuhë e përbashkët për t’u thelluar në format e kushtet njerëzore”, ka thënë ajo.

Tolerancë e bashkëpunim midis komuniteteve janë disa prej veçorive që në këtë ekspozitë i ka përshkruar i ngarkuari me punë në Ambasadën e Zvicrës, Christoph Fuchs.

“Kjo ekspozitë synon të rrisë besimin midis komuniteteve dhe targeton publikun në përgjithësi duke ofruar një narrativë për tolerancë dhe bashkëpunim. Si mbështetës të këtij projekti shohim edhe një tjetër komponent: është një ngjarje që ndërton të përbashkëtat e komuniteteve të ndryshme”, ka thënë ai.

Si ngjarje që promovon mundësi për të gjithë, ekspozitën e ka përshkruar partneri i organizatës “Integra” në “Barabar Centre”, Miodrag Marinkoviq.

“Jemi mbledhur këtu për të prezantuar më shumë se njëzet vepra artistësh të rinj nga të gjitha pjesët e Kosovës. Shumë prej jush do të mendojnë se vlera e kësaj qëndron tek ajo se artistët u takojnë etnive të ndryshme, por ideja jonë nuk ka qenë kjo. Kjo qendër është e tillë që promovon dhënien e mundësive për të gjithë njësoj, por ideja bazike ka qenë që t’iu ndihmojmë artistëve të rinj të cilët luftojnë për t’u afirmuar, që luftojnë që t’i prezantojnë veprat e tyre e që në fund të fundit luftojnë që vepra e tyre të njihet, që arti i tyre të materializohet në mënyrë që të mund të jetojnë prej tij. Sepse nuk ka jetë më të bukur sesa kur punon atë që e do”, ka thënë ai. Ka folur edhe për “Barabar Centre” të cilën e ka përshkruar si një qendër e cila do të jetë hapësirë për artistët e rinj dhe jo vetëm, një vend që promovon vlerat demokratike dhe tolerancën në shoqëri.

Ekspozita që qëndron e hapur në katin e katërt të hotelit “Grand” ka karakter shitës. Pos bashkimit të artistëve të komuniteteve të ndryshme, ka edhe rolin e përkrahjes së gjeneratës së re, atë që synon edhe “Barabar”, qendër e cila tash tre muaj ka zënë vend në katin e katërt të “Grandit”.