Kulturë

I jashtëzakonshmi

Për çdo kalimtar, 20-katëshja në “Lakrishtë” është i vetmi sensacion për rrugën që nis prej shtatores së Bill Clintonit e vazhdon deri afër hekurudhës. Ajo mban emrin e aktorit emërmadh shqiptar, Bekim Fehmiu, ani pse nuk ka asnjë tabelë të kaltër me emërtimin e rrugës.

Të hënën mbushen 10 vjet prejse aktori i njohur është ndarë nga jeta. Ishte pasditja e së martës në qershor të vitit 2010, kur Fehmiu u gjet pa shenja jete në banesën e tij në lagjen “Zvezdara” në Beograd. Sipas autoriteteve të atjeshme policore, bëhej fjalë për vetëvrasje me plumbin e shkrepur nga pistoleta e tij.

Por, një dekadë më vonë, vdekja e tij do të kalojë me aktivitete minimale në vendin ku u lind. “10 vjet pa Bekimin!” është e vetmja ngjarje e paralajmëruar deri më tani, që synon të rikthejë në kujtesë aktorin me famë botërore. Një njoftim i “DokuFestit” ka bërë me dije se mbrëmjen e së hënës, në Prizren, përballë ndërtesës së Lidhjes Shqiptare, do të shfaqet filmi “Mbledhësit e puplave” nën regjinë e Aleksandar Petroviqit, ku Fehmiu ishte protagonist.

“Ceremonia do të nisë me hedhjen e luleve në Lumbardhin e Prizrenit – si shenjë nderimi ndaj figurës së aktorit të shquar i cili la gjurmë të përjetshme në kinematografinë vendore dhe botërore - dhe do të pasohet nga aktori Xhevdet Doda, i cili do të lexojë disa fragmente nga libri ‘E shkëlqyeshme dhe e tmerrshme’ i Bekim Fehmiut”, thuhet në njoftimin e “DokuFest-it” për ngjarjen e organizuar në bashkëpunim me Komunën e Prizrenit.

Milazim Salihu, i cili ishte mik i ngushtë i Fehmiut sa herë që ai vinte në Prishtinë, ka thënë se institucionet nuk kanë bërë asgjë që ta kujtonin atë në 10-vjetorin e vdekjes.

“Çdo përvjetor, vetëm miqtë kanë bërë ndonjë organizim e asnjëherë institucionet”, ka thënë Salihu të premten për KOHËN.

Filmi dokumentar mbetet në gjysmë

Ishin bërë përgatitjet prej kohësh që më 15 qershor të jepej premiera e të parit dokumentar për Bekim Fehmiun. Me skenar të ish-gazetarit Fahri Musliu dhe regji të Valmir Tertinit, dokumentari ishte menduar si një orvatje për të sjellë jetën e aktorit të madh shqiptar përmes rrëfimeve të familjarëve e miqve të tij. Madje, në fillim të këtij viti kishin nisur edhe xhirimet për këtë dokumentar. Me përkrahje vetëm nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë në Shqipëri – pasi projektin e kishte refuzuar Qendra Kinematografike e Kosovës – ky film i metrazhit të gjatë synonte të xhirohej në Beograd, Sarajevë, Zagreb, Prishtinë, Prizren, Gjakovë, Tiranë, Shkodër, Shkup, Romë, Cannes dhe New York.