Një zëdhënës i Qeverisë së Gjermanisë ka konfirmuar të hënën se partnerët evropianë do të kontribuojnë me blerjen e sistemeve të mbrojtjes ajrore Patriot për Ukrainën, proces gjatë së cilit NATO-ja s’do të përfshihet drejtpërsëdrejti.
Javën e kaluar, gazeta britanike “The Guardian” kishte raportuar se Gjermania do të paguante për dy nga këto sisteme, teksa Norvegjia vetëm për një.
Por zëdhënësi në fjalë tashmë ka konfirmuar se “prej perspektivës evropiane, bisedimet kanë të bëjnë me blerjen e më shumë se tri sistemeve Patriot”.
“Po zhvillohen diskutime mbi modalitetet e zbatimit, pra sa sisteme do të jenë, kush do t’i marrë në dorëzim dhe si do të financohen”, ka deklaruar zëdhënësi, tek iu ka referuar vizitës së ministrit gjerman të Mbrojtjes, Boris Pistorius në Washington.
Zëdhënësi ka shtuar gjithashtu se Gjermania ka diktuar “përqendrim më të madh të trupave ruse”, duke theksuar se “duhet të forcojmë mbrojtjen e Ukrainës” si përgjigje ndaj kësaj lëvizjeje.