Italia emetoi një pullë postare kushtuar komunitetit të arbëreshëve. Posta Italiane ka njoftuar se pulla u emetua nga Ministria e Biznesit dhe Made in Italy. Pulla i përket serisë tematike “vlerat sociale”, i kushtohet komunitetit arbëresh të Piana degli Albanesi dhe ka vlerë tarifore të zonës B 1, e barabartë me 1,35 euro. Tirazhi i saj do të jetë prej 200 mijë e 25 copë, të shtypura nga Istituto Poligrafico e Zecca dello Stato S.p.A.
Vinjeta e pullës postare ka në qendër veshjen tradicionale të gruas së Horës së Arbëreshëvet, një prej simboleve të trashëgimisë kulturore arbëreshe.
Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët ka njoftuar se, kjo pullë paraqet një moment të rëndësishëm për ruajtjen e diversitetit kulturor në vendin fqinj dhe ruajtjen e identitetit kulturor të komunitetit arbëresh të Horës.
Hora e Arbëreshëvet është një qytezë arbëresh me 6 mijë e 427 banorë në Krahinën e Palermos, të rajonit të Sicilisë në Itali. Njihet si kryeqytet i arbëreshëve, një nga bashkësitë më të mëdha e komuniteteve historike shqiptare të Italisë, qendra më e rëndësishme dhe më e populluar e arbëreshëve të Sicilisë, ku ndodhet selia e peshkopit të Kishës Bizantine Italo-Shqiptare në Sicili, Eparkia (ose Eparhia) e Horës së Arbëreshëvet. Sipas shënimeve, ajo ka ruajtur shumë elemente etnike të kulturës së saj shqiptare, veçantitë e saj kulturore, gjuhësore, fetare si gjuhën, ritin bizantin, veshjet tradicionale, zakonet, muzikën, folklorin. Banorët janë pasardhës të familjeve shqiptare, duke përfshirë edhe fisnikët dhe të afërmit e Skënderbeut, që u vendosën në Italinë e Jugut gjatë pushtimeve të Perandorisë Osmane në Ballkan.
“Identiteti arbëror i Horës së Arbëreshëvet është i fortë, në fakt gjuha arbëreshe flitet nga tërë bashkësia dhe përdoret në gazeta, shkolla dhe radio”, shkruhet në burime historiografike.
Bashkia përdor në dokumentet zyrtare dygjuhësore gjuhën shqipe dhe italiane për banorët e saj, në bazë të ligjit ekzistues për mbrojtjen e pakicave etnike dhe gjuhësore në Itali.