Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Apoteoza dardane” si rizbulim ekspresionist i maestros Nevruz Musa

“Apoteoza dardane” e Nevruz Musës është një lloj rikthimi i vëmendjes te një artist i rëndësishëm në historinë e artit vendas dhe kujtesë se historia e artit modern të Kosovës ende ka kapituj që presin të lexohen

“Apoteoza dardane” e Nevruz Musës është një lloj rikthimi i vëmendjes te një artist i rëndësishëm në historinë e artit vendas dhe kujtesë se historia e artit modern të Kosovës ende ka kapituj që presin të lexohen

Ekspozita Nevruz Musës nuk është retrospektiva e plotë e autorit, por përmbledhje e veprave të reja dhe disa prej cikleve më përfaqësuese të tij. Megjithatë, ajo rikthen në vëmendje një artist që, siç është thënë, për dekada mbeti në hije, ndonëse ishte pjesë e gjeneratës së parë që ndërtoi artin modern në Kosovë. Ekspresionist në shprehjen parësore, kapitulli i ri e shpie edhe në neoekspresionizëm, u bën homazh edhe emrave të mëdhenj e kolegëve të tij

Pas më shumë se gjashtë dekadash krijimtari artistike, një pjesë e rëndësishme e opusit të Nevruz Musës ka dalë para publikut me ekspozitën tejet domethënëse – “Apoteoza dardane”. Në kafe-galerinë “Hani i Dy Robertëve”, ku arti ndërthuret me atmosferën intime të hapësirës, doajeni i arteve pamore të Kosovës është prezantuar me përzgjedhje veprash të kuruara nga filozofi e kritiku i artit, Shkëlzen Maliqi. Veprat dëshmojnë rrugëtimin e tij të gjatë midis dizajnit grafik dhe pikturës.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Hapësira ekspozuese ka qenë si një lloj universi i mbushur me ngjyra intensive, forma organike dhe referenca ndaj traditës e modernizmit.

Ekspozita e hapur të enjten dhe vazhdon deri më 18 korrik, nuk është retrospektiva e plotë e autorit, por përmbledhje e veprave të reja dhe disa prej cikleve më përfaqësuese të tij. Megjithatë, ajo rikthen në vëmendje një artist që, siç është thënë, për dekada mbeti në hije, ndonëse ishte pjesë e gjeneratës së parë që ndërtoi artin modern në Kosovë.

Që në hyrje të ekspozitës, vizitori përballet me kontrastin që përshkon gjithë krijimtarinë e Musës. Në qendër është një peizazh realist i Dubrovnikut, i realizuar me kujdes të hollësishëm, ku muret e qytetit dalin mbi detin blu, të rrethuar nga palma. Përreth tij shpalosen piktura abstrakte me kompozime të dendura, ku ngjyrat shpërthejnë në sipërfaqe dhe krijojnë forma që herë ngjajnë me figura të çrregullta, herë me ornamente tradicionale shqiptare, e herë me motive që kujtojnë ilustrimin bashkëkohor.

Në muret e galerisë dominojnë tablo të mëdha me sfond të zi ose të bardhë, ku kryesisht ngjyra të ndezura ndërthuren në ritme dinamike. Dekorimet në vepra dëshmojnë qartë formimin shumëvjeçar të autorit si dizajner grafik. Pikërisht ky profesion duket se ka ndikuar fuqishëm në mënyrën se si Musa ka ndërtuar kompozimet në veprat e tij.

Kuratori i ekspozitës, filozofi e kritiku i artit Shkëlzen Maliqi, e ka ndarë ekspozitën në dy cikle kryesore: pikturat në vaj me formate të mëdha dhe pikturat në karton.

Në konceptin e tij kuratorial, ka konsideruar se cikli i dytë përbëhet nga vepra hibride, kompozime abstrakte me substrat realist. Aty shkruan se një pjesë e rëndësishme e ekspozitës janë edhe homazhet që Musa u kushton figurave të mëdha të modernizmit botëror si Henri Matisse, Gustav Klimt dhe Jackson Pollock.

Ekspozita sjell një lloj universi të mbushur me ngjyra intensive, forma organike dhe referenca ndaj traditës e modernizmit

Një nga veprat që Maliqi e veçon si më të arrirat është “Homogjen”, kushtuar skulptorit Agim Çavdarbasha. Minimaliste në shprehje, ajo ndërtohet mbi pesëmbëdhjetë figura-skica të realizuara spontanisht, të cilat, sipas tij, rikujtojnë butësinë dhe ngrohtësinë karakteristike të skulpturave të Çavdarbashës.

Vetë Maliqi ka thënë se ekspozita ishte edhe një zbulim personal që bëri ndaj veprave të mikut të tij të dikurshëm.

“Me Nevruz Musën kam punuar diku para 45 vjetëve në Bibliotekën Kombëtare, me libra e revista. Pastaj për një kohë të gjatë nuk kam pasur shumë kontakte me të. Më erdhi mirë që, pas më shumë se 40 vjetësh, Fadili dhe Merita Dragaj më ftuan për ekspozitën e tij. Punën artistike nuk ia kam njohur shumë. Ka qenë disi i neglizhuar, ndoshta sepse është marrë më shumë me dizajn grafik. Punët e tij më befasuan dhe u morëm vesh ta bënim këtë ekspozitë”, ka thënë Maliqi.

Sipas tij, Musa është një prej doajenëve të artit në Kosovë, por ende nuk e ka marrë vëmendjen institucionale që e meriton. Ka thënë se është i neglizhuar e se as Galeria Kombëtare e Kosovës, si institucioni më i lartë i artit pamor në vend, nuk ia ka dhënë mundësinë ta shfaqë punën e tij.

“Si piktor është pak i neglizhuar. Ndoshta ka qenë më shumë i angazhuar për mbijetesë me dizajne të ndryshme. Megjithatë, është prej gjeneratave të para të artit modern në Kosovë. Nuk ka pasur fatin të ketë një ekspozitë retrospektive në Galerinë Kombëtare me 300 ose 400 vepra sa i ka. Shpresoj që duhet ta ketë, sikurse edhe një monografi, sepse në gishta numërohen ata që e kanë nisur artin modern te ne”, është shprehur ai.

Për artistin Nevruz Musa, ekspozita përmbledh fundin e rrugëtimit shumë të gjatë krijues.

“Qe 65 vjet merrem me pikturë. Kam arritur kah perëndimi i aktiviteteve të mia dhe, falë zotit Shkëlzen, kam arritur ta hap këtë ekspozitë, në saje të përzgjedhjes nga një njohës i mirë i arteve”, ka thënë Musa.

Kjo është ekspozita e tij e trembëdhjetë personale.

“Kam punuar mjaftueshëm”, është shprehur ai shkurt.

Homazhi për mikun e tij, skulptorin e ndjerë, Agim Çavdarbasha, ka një vend të veçantë jo vetëm në ekspozitë.

“Kemi qenë shokë dhe veprimtarë të artit. Ia kam kushtuar një homazh Agimit për shkak të bashkëpunimit që kemi pasur. Ai ishte një skulptor i mrekullueshëm dhe vepra e tij ka lënë gjurmë shumë të mëdha. Ka qenë edhe anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve”, ka thënë artisti Nevruz Musa.

Akademiku e profesori universitar, Bardh Rugova, e ka konsideruar ekspozitën si fazë të re në krijimtarinë e Musës. E ka krahasuar artistin nga Gjakova me atë katalan, Joan Miró Ferrà.

“Artistin Nevruz Musa e kam përcjellë edhe më herët, por ky më duket një cikël i ri. Ai ka marrë ekspresionizmin e mëhershëm të Kosovës dhe e ka shndërruar në ngjyra që përdoren më shumë në ilustrim, ‘urban sketching’ dhe ‘pop-art’. Kjo e ka nxjerrë në një neoekspresionizëm, diçka që më herët nuk e ka pasur si autor. Është një cikël më i avancuar dhe kjo është e pritshme, sepse formimi i tij është më shumë si ilustrator dhe dizajner grafik. Ky kombinim e bën shumë të veçantë. Nuk dua ta teproj, por mënyra e shprehjes më kujton Joan Mirón”, ka thënë Rugova.

Ekspozita ka qenë një lloj rikthimi i vëmendjes te një artist i rëndësishëm në historinë e artit vendas dhe kujtesë se historia e artit modern të Kosovës ende ka kapituj që presin të lexohen me vëmendjen që e meritojnë.