Kulturë

“Heshtje e rëndë” prej hekuri për të pagjeturit dhe gratë e përdhunuara

Prishtinë, 3 mars – Një “heshtje e rëndë” krijohet si përfytyrim në vepra të bëra nga fije teli e materiale matalike. Ndryshe nga peizazhet e natyrës që përftojnë përherë ndjesi çlodhëse, gjuha vizuale e instalacioneve e skulpturave ka diçka universale. Hekur e materiale të tjera të forta janë përbërësi i dhjetë veprave të skulptorit Burim Gashi, që u japin zë pasojave emocionale e ngjarjeve traumatike të luftës.

Në ekspozitën “Heshtje e rëndë” të hapur mbrëmjen e së hënës në Galerinë Kombëtare të Kosovës, skulptori 47-vjeçar ka vendosur t’iu bëjë homazh të pagjeturve dhe grave të përdhunuara gjatë luftës së fundit, shkruan sot Koha Ditore.

Titullin e ka zgjedhur për t’i dhënë zë heshtjes që mbizotëron në vend edhe njëzet vjet pas përfundimit të luftës.

“Të gjitha skulpturat në ekspozitë janë të bëra me metal, sepse kështu ka qenë teknika ime prej kohës së studimeve”, ka thënë Gashi, i cili ndër kolegët edhe ishte quajtur si “skulptori i metalit”.

Në hyrje të sallës së ekspozitës është vënë e para vepër në formë të një zarfi. Është simbolika e tij që flet se nuk ka asnjë lajm të ri për të pagjeturit.

Gjethet në mur, sipas tij, janë harresa që ka mbuluar varrezat masive e bari i njomur me gjak është shënjues për diçka që ka ngjarë.

“Bari ka tonalitet me ngjyrë të kuqe e që tregon se ka diçka poshtë tij”, ka shpjeguar skulptori Gashi.

Diku tjetër instalacioni i quajtur “Flokë” tejçon fatin e femrave të përdhunuara të lëna mes një heshtjeje të plotë.

Nga Gjermania ka ardhur drejtuesja e galerisë “nachtspeicher23”, Manya Gramsch. Ka thënë se qëndrimi për herë të parë në Prishtinë ka bërë që të njohë plot njerëz mendjehapur.

Piktorja dhe ligjëruesja në Fakultetin e Arteve, Zake Prelvukaj, ka thënë se konceptet dhe materialet e përdorura nga skulptori Gashi janë shumë karakteristike.

{gallery}

(shkrimin e plotë e gjeni sot në “Koha Ditore”)