Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Hermann Huppen – gjiganti i romanit grafik, humanisti e miku i Kosovës

Hermann Huppen (17 korrik 1938 – 22 mars 2026)

Hermann Huppen (17 korrik 1938 – 22 mars 2026)

Si njeri i madh, artist “par excellence", gjigant i romanit grafik, është cilësuar strip-artisti belg, Hermann Huppen, i cili vdiq në moshën 87-vjeçare duke lënë prapa një trashëgimi të bujshme, që frymëzoi gjenerata. Por arti ishte protesta e tij. E, ai protestoi qysh në vitet ’90 kur nacionalizmi serb mori flakë, u rreshtua krah boshnjakëve kur botoi edhe “Sarajevo Tango”. Me Kosovën pati një lidhje unike: erdhi më 2019, gjithandej fliste për Kosovën e në përvjetorë i bashkohej edhe festës së Pavarësisë

Me romanet grafike e ilustrimet e tij frymëzoi gjenerata, protestoi kundër ngjarjeve a fenomeneve që i jepnin frymë së keqes dhe arti i tij bëri thirrje për një botë më të mirë. I cilësuar shpesh si legjenda e romanit grafik, belgu Hermann Huppen vdiq pas përballjes me një sëmundje të rëndë. Ai ishte 87 vjeç. Huppen gjatë karrierës së tij u bë autor i disa romaneve grafike e shumë ilustrimeve në revista të ndryshme. Imagjinata e tij zuri vend gjithandej globit në vendet ku çmohet romani grafik. Paraqiti realitete dhe protestoi. U bë një me viktimat në Ballkanin e viteve ’90 dhe e vuri artin në shërbim të humanizmit. Vdekja e tij shihet si një humbje e madhe për artin. E tillë vlerësohet edhe në Kosovë, ku Huppen qëndroi për pak ditë në vitin 2019. 

Hermann u lind më 17 korrik 1938, në Bévercé, provincën Liège. Pas studimeve për t’u bërë zejtar mobiliesh dhe punës si arkitekt i enterierit, më 1964 debutoi si ilustrues në revistën franko-belge “Spirou”, me një histori të vogël prej katër faqesh. Prej aty iu hapën dyert e romanit grafik dhe më 1966, ai filloi të ilustronte serinë “Bernard Princ”, e botuar në revistën “Tintin”. Shpejt u bë një prej ilustruesve të njohur për seritë “Comanche”, “Jeremiah”, “The Towers of Bois-Maury”, “Duke”. Romani i tij grafik “Cartagena” pritet të publikohet më 30 prill nga “Le Lombard”. S’u ndal së punuari as në vitet e fundit të jetës, pavarësisht përballjes me sëmundjen. Ai krijoi më shumë se 120 albume që përfshinin zhanre të ndryshme deri te sagat mesjetare dhe fantazia. Madje stili i tij realist i vizatimit shpesh përshkruhej si kinematografik. Seriali televiziv amerikan “Jeremiah” u bazua pjesërisht në komikun e tij me të njëjtin emër. Për krejt kontributin më 2016 u vlerësua me “Grand Prix de la Ville d’Angoulême”, nderimin më të lartë në botën e ilustruesve e autorëve të romanit grafik. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo
Huppen duke vizatuar në Prishtinë, maj 2019


Tre vjet më vonë qe mysafir për disa ditë në festivalin e romanit grafik “GranFest”, në Prishtinë. Kolegu i tij e udhëheqësi i festivalit, Gani Jakupi, ka thënë se preferon t’i ikë dramatizimit sipërfaqësor duke e cilësuar si tragjedi vdekjen e një autori që i ka mbërritur gati 88 vjet, dhe që ka punuar pandërprerë gati deri në ditën e fundit të jetës së vet. Huppen vdiq të dielën. 

“Natyrisht se lëmi i rrëfimit narrativ e ka humbur një gjigant të veçantë, por ai ka lënë mbrapa tij një opus më të madh se gati çdo autor tjetër. Njoh edhe autorë të tjerë me vitalitet, por ai më pati lënë përshtypje kur ishte mysafir i edicionit të parë të ‘GRAN Festit’: në një darkë intime, ku ishte prezent edhe një tjetër mjeshtër francez i moshuar, Frank Margerin, Hermanni na e kërkonte mendimin tonë se a po na duket që niveli i tij ka rënë nga mosha, a e kemi përshtypjen se është më pak inovativ se përpara. Një modesti mbresëlënëse...”, ka thënë Jakupi. Sipas tij, virtyti më i madh e gjithashtu cilësia të cilën shumë ia kishin mëri ishte sinqeriteti i tij i pakompromis. 

Tablo nga romani grafik “Sarajevo Tango” botuar më 1995

“Bashkëshortja e tij, Adelina, e shprehte këtë me humor: ‘Burri im kishte mund të ishte çkado, pos diplomat!’ Prandaj festivali më prestigjioz, ai i Angoulêmit, kurrë nuk e nderoi me çmimin më se të merituar, derisa nuk u ndërrua sistemi i votimit, dhe të gjithë profesionistët mund të shprehnin admirimin tonë, më 2016. Personalisht, dy herë në jetë kam votuar: për Hermannin dhe për Emmanuel Guibertin”, ka thënë Jakupi. Artisti belg s’qëndroi duarkryq përballë tragjedisë së Ballkanit. Jakupi ka thënë se në një moment kur qe zëri i vetëm, Hermanni e realizoi romanin grafik “Sarajevo Tango”, duke dalë hapur pro boshnjakëve dhe me refuzim të hapur ndaj nacionalizmit serb. 

“Po get shumëkushi ia pati zënë këtë për t’madhe, asokohe kur Evropa preferonte me shiku tjetërkah, dhe me u fsheh mbrapa qëndrimit ekuidistant, përmes një neutraliteti shumë pak humanist”, ka thënë Jakupi. Ka treguar se kur përgatitej edicioni i parë i festivalit “GRAN Fest”, përpiqej që të binte në kontakt me të, pavarësisht se të gjithë i thoshin se ai po bënte 80 vjet jetë e nuk shkon më nëpër festivale. 

“Por, si ia propozova, ai erdh. ‘Në Kosovë, po!’ Në vitet në vijim, kudo që e takoja nëpër festivale franceze e belge, ai u mbushke frymë duke i lavdëruar kosovarët. Mbeti mik i Kosovës deri në momentin e fundit. Kur isha në Bruksel, ai erdhi mysafir në festën tonë të Pavarësisë. Ambasadori Agron Bajrami e shihte rregullisht”, ka thënë Jakupi. Sipas Jakupit, me vdekjen e tij, Belgjika dhe Evropa kanë humbur doajenin dhe njërin prej autorëve më të rëndësishëm e Kosova e ka humbur një mik të madh.

Vdekjen e Hermann Huppen e ka cilësuar si një humbje të madhe për botën e artit edhe ambasadori i Kosovës në Mbretërinë e Belgjikës, Agron Bajrami. Nëpërmjet një reagimi publik, ai ka shkruar se Hermann Huppen me artin e tij frymëzoi breza të tërë, përfshirë edhe fëmijërinë e tij në Prishtinë. Ka kujtuar se në vitet ’70 është njohur me personazhet e tij, si “Bernard Prince”, me anijen e tij “Kormoran”, dhe heroinën e “westernit”, Comanche, së bashku me shoqëruesin e saj Red Dust.

Tablo nga strip-seriali “Comanche” botuar prej vitit 1972 deri më 1983 


“Këto dy seriale, që tashmë konsiderohen klasike të stripit botëror, u pasuan në vitet ‘80 nga dy të tjera, edhe më të jashtëzakonshme, ku Hermann, përveç vizatimeve, ishte edhe autor i skenarit. Është fjala për serialin post-apokaliptik ‘Jeremiah’ (që sot, në momente, mund të duket tejet bashkëkohor) dhe rrëfimin epik për ‘Kullat e Bois-Maury’, një seri e mrekullueshme që me besnikëri sjell gjithë brutalitetin, por edhe bukurinë e Mesjetës”, ka shkruar Bajrami, i cili para detyrës së ambasadorit, për shumë vjet ka qenë kryeredaktor i “Kohës Ditore”. Për Huppenin, të cilin e ka takuar disa herë duke ruajtur një miqësi të veçantë, ka thënë se në kulmin e popullaritetit të tij, nga mesi i viteve ‘90 në të njëjtën kohë kur nacionalizmi serb ndezi luftërat në ish-Jugosllavi, artisti nuk qëndroi i heshtur. 
“Ai krijoi një nga veprat më të fuqishme kritike ndaj pasivitetit të bashkësisë ndërkombëtare përballë krimeve në masë: novelën grafike ‘Sarajevo Tango’, e cila edhe sot konsiderohet një nga veprat më domethënëse të artit grafik me angazhim politiko-shoqëror”, ka shkruar Bajrami. Ka përshkruar se si viteve të fundit e ka takuar shpesh dhe artisti qe mysafir në banesën e tij në Bruksel. 

“Bota sot është më e varfër pa Hermannin. Por trashëgimia e tij jeton në çdo faqe që ai krijoi, dhe në çdo mendje e shpirt që ai preku me artin e tij”, ka shkruar Bajrami. 

Hermann Huppen ngelet në botën e romanit grafik si një gjigant që u dha shumë artit dhe ndërgjegjes shoqërore.