Edicioni i radhës i festivalit folklorik “Hasi Jehon” është hapur në Gjonaj të Prizrenit, me synimin për prezantimin e ruajtjen e vlerave të trashëgimisë shpirtërore. Në këtë kuadër sivjet është vendosur edhe rregullorja e re e festivalit, meqë ky organizim është në proces të pranimit nga Ministria e Kulturës si aset në mbrojtje të përhershme
Edicioni i 33-të i festivalit folklorik “Hasi Jehon” është hapur në Gjonaj të Prizrenit dhe gjatë tri ditëve në “Kodrën e Pajtimit” do të paraqiten programet e 16 grupeve artistike nga hapësirat mbarëshqiptare. Synimi është që në skenë të shpalosen vlerat autentike të trashëgimisë shpirtërore, sikurse edhe ruajtja e kësaj tradite për t’u bartur te brezat e ardhshëm.
Para fillimit të programit artistik, të enjten mbrëma, drejtori i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në Komunën e Prizrenit, Adem Morina, ka theksuar se ky festival ka përmasa mbarëkombëtare dhe ka përgëzuar organizatorët për ruajtjen e traditës afro gjysmëshekullore.
“Festivali ‘Hasi Jehon’ nuk është vetëm një festival që përfaqëson Hasin e Prizrenit, por ka përmasa kombëtare dhe mbarëkombëtare. Andaj dua ta përgëzoj drejtorin e këtij festivali, z. Haziz Hodaj, i cili me përkushtim ka mbajtur gjallë një festival në një vend ku para 32 vjetëve ky vend është monument ku janë bërë edhe falja apo pajtimi i gjaqeve”, ka thënë Morina.
Sipas traditës, festivali folklorik ka filluar me paraqitjen e programit të përgatitur nga nikoqiri, SHKA “Malësori” nga Gjonaj. Në ditën e parë, para publikut janë prezantuar edhe SHKA “Çeta e Profetëve” nga Kruma, këngëtarët: Hamit Kastrati dhe Klevi Gaxha, AKV “Deçani”, këngëtarja: Blerina Dibra e AEK “Katarina Josipi” nga Zymi.
Krahas këngëve e valleve të prezantuara nga thesari i trashëgimisë kulturore, në natën e parë është përkujtuar okarina e artë e muzikës popullore, Shaqir Hoti, me ekzekutimin e melodive nga Emin Sallahu.
“Për nder të këtij festivali e posaçërisht për nder të Shaqir Hotit ose bacës Shaqë do të mundohem që pak a shumë ta ekzekutoj një pikë si traditë, të cilën ai na e ka sjellë në jetë edhe jemi falënderues përgjithmonë”, ka deklaruar Sallahu.
Hapjes ceremoniale të festivalit i ka paraprirë si zakonisht prej një dekade edhe ekspozita e prodhimeve të bukës, një veprimtari tradicionale kjo e hasjanëve.
“Është e vërtetë që bukën e kemi armën kryesore, është trashëgimia jonë shpirtërore, por edhe trashëgimia jonë ekzistenciale, kështu që në hapje të festivalit në dhjetëvjetëshin e fundit e kemi praktikuar që ta hapim edhe ekspozitën e prodhimit të bukës, të të gjitha prodhimeve, duke filluar nga buka e misrit, bukën pogaçe deri te prodhimet më moderne të furrave për të treguar se ne jemi hasjanë, por dimë edhe punë të tjera me bo”, është shprehur drejtuesi i festivalit “Hasi Jehon”, Haziz Hodaj.
Nga ky edicion, organizatori ka vendosur një rregullore të re me ç’rast nga grupet pjesëmarrëse është kërkuar që programin e tyre t'ua përshtatin kritereve të reja të ruajtjes së trashëgimisë shpirtërore të festivalit, pasi i njëjti është në proces të pranimit nga Ministria e Kulturës si aset në mbrojtje të përhershme.
Në edicionin e shkuar, “Hasi Jehon” pati mirëpritur nismën që ky organizim të përfshihet në Listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përhershme, në kategorinë e trashëgimisë shpirtërore. Propozimi për mbrojtjen ligjore të këtij festivali asokohe ishte paraqitur nga Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prizren, në bashkëpunim me drejtuesit e “Hasi Jehon”, në kuadër të shënimit të 45-vjetorit të ekzistencës së kësaj ngjarjeje kulturore.
Festivali folklorik “Hasi Jehon”, sipas të dhënave të organizatorëve dhe të QRTK-së, si manifestim i përshpirtshëm kulturor, në skenën e festivalit sjell vlerat më autentike të trashëgimisë shpirtërore, është unik, më i vjetri dhe më i organizuari në veprimtarinë e këtij lloji në trevat e Ballkanit. Është themeluar në shtator të vitit 1976, nga SHKA “Malësori” dhe rinia e fshatit Gjonaj. Ka nisur veprimtarinë e vet me SHKA, grupet artistike të shkollave të Hasit, rapsodë, lojtarë të lojërave popullore, instrumentistë popullorë, me veshje unike kombëtare, për të arritur pas luftës në organizimin më të konsoliduar të kulturës e të trashëgimisë në nivel kombëtar. Festivali folklorik “Hasi Jehon” bazohet në disa shtylla të veprimtarisë së vet dhe ato kanë bazë dhe ekskluzivitet, trashëgiminë shpirtërore, por që identifikohet me folklor burimor, vallet, këngët, lojërat, doket dhe zakonet e mbarë trevave shqiptare. Gjatë 46 vjetëve të ekzistencës është organizuar gjithsej 33 herë, përderisa prej vitit 2000 është organizuar në mënyrë të pandërprerë.