Futboll

Qaka: Kemi shumë vetëbesim, është ndeshje e vështirë

Kamer Qaka

Shkëndija e Tetovës të martën nga ora 20:00 në Shkup do të përballet me Qarabagun e Azerbajxhanit në kuadër të ndeshjes së parë të raundit të tretë kualifikues të Ligës së Kampionëve. 

Futbollisti i skuadrës tetovare, Kamer Qaka, të hënën në një përgjigje për KOHËN deklaroi se ndaj Qarabagut do të jetë ndeshje shumë e vështirë. Por ai shtoi se pas ndeshjes ndaj FCSB-së skuadra ka më shumë vetëbesim. 

“Prapë ndeshje e vështirë. Duhet të luftojmë. Asnjë ndeshje në Evropë nuk është e lehtë. Kemi më shumë vetëbesim. Jemi në formë. Të gjithë futbollistët po e japin maksimumin në stërvitje”, u shpreh 30-vjeçari. 

Klubi shqiptar nga Maqedonia e Veriut në rrethin e tretë kualifikues avancoi pasi e eliminoi kampionin rumun, FCSB. 

Shkëndija arriti që ta mposht skuadrën e madhe rumune në të dyja ndeshjet. 

Mesfushori Qaka thotë se ndeshja në Bukuresht ishte e një tjetër niveli. 

“Të gjitha ndeshjet që i kemi luajtur në Evropë kanë qenë shumë të vështira. Kjo ndeshja në Bukuresht ka qenë tjetër nivel. Ia kemi dalur shumë mirë. Ka pasur shumë tifozë të FCSB-së mirëpo dolëm fitues”, ka thënë Qaka. 

Pikërisht ndaj FCSB-së, kampionia e Kosovës, Drita, do të luajë të enjten në “Arena Nationala”, në Bukuresht. Kjo ndeshje është e vlefshme për raundin e tretë kualifikues të Ligës së Evropës. 

Qaka theksoi se edhe ndaj Dritës, FCSB-ja është favorit. Por ai shpreson që Drita ta përsërit suksesin e Shkëndijës duke e eliminuar kampionin nga Rumania. 

“FCSB-ja është favorit. Futbollit nuk i dihet asnjëherë. Edhe kundër ne FCSB-ja ishte favorit por ne ia dolëm. Shpresoj që Drita t’ia del si ne”.