Këshilli Prokurorial i Kosovës në mbledhjen e jashtëzakonshme me numër 271, ka shfuqizuar vendimin për miratimin e Rregullores për plotësim/ndryshimin e Rregullores për Themelimin dhe Funksionalizimin e Komisionit për Koordinim dhe Luftimin e Krimit Ekonomik (KKLKE), duke mbetur pa këtë pozitë prokurori Kujtim Munishi.
Munishi ishte emëruar në pozitën e koordinatorit Kombëtar për Luftimin e Krimit Ekonomik, në mbledhjen e 266-të të Këshillit, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Mirëpo, në takimin e jashtëzakonshëm, të hënën, është shfuqizuar vendimi për miratimin e kësaj Rregulloreje, e që pikërisht pas plotësim/ndryshimit të saj ishte emëruar në pozitën e koordinatorit- prokurori Munishi.
Por se me këtë vendim të Këshillit, mbetet pa këtë pozitë Munishi.
Vendimi i Këshillit erdhi pasi Gjykata Supreme përmes vendimit të 14 korrikut 2025, ka aprovuar si të themeltë kërkesëpadinë e paditësit- prokurorit Shqipdon Fazliu kundër Këshilli Prokurorial të Kosovës dhe shpalli të paligjshme dhe shfuqizoi Rregulloren nr.04/2025 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Rregullores për Themelimin dhe Funksionalizimin e Koordinatorit Kombëtar për Luftimin e Krimit Ekonomik.
Ndryshe, Supremja vlerësoi se i padituri- KPK pa koordinim me institucionet nënshkruese të memorandumit, ka ndryshuar rregulloren përmes një grupi punues të brendshëm institucional dhe ka ndërmarrë veprime të rëndësishme duke: kufizuar në mënyrë retroaktive një mandat që fillimisht ishte pa afat të përcaktuar në kohë. Aty thuhet se e paditura nuk është ofruar asnjë sqarim i mjaftueshëm se cili ka qenë qëllimi i ndryshimit të rregullores, në rrethanat kur paditësi Fazliu- si koordinator kombëtar, ka ushtruar funksionin në mënyrë të vazhdueshme që nga emërimi i tij në vitin 2013, dhe as nëse ka pasur vlerësim negativ të performancës së tij.