Pamje panoramike të veprave të Anselm Kieferit janë shpalosur në ekspozitën e titulluar, “Gratë alkimiste”, në Palazzo Reale të Milanos, në sallën e ashtuquajtur “Sala delle Cariatidi”. Artisti përmes veprave të tij nderon alkimistet e harruara nga historia. Ekspozita vjen si pjesë e programit kulturor të qytetit për Lojërat Olimpike Dimërore 2026
Artisti bashkëkohor gjerman, Anselm Kiefer, i bëri homazh një prej hapësirave më madhështore, por edhe më melankolike të Milanos, “Palazzo Reale”, me ekspozitën e krijuar posaçërisht për këtë vend të titulluar, “Gratë alkimiste”.
Ekspozita u prezantua të martën si pjesë e programit kulturor të qytetit për Lojërat Olimpike Dimërore 2026.
Artisti është frymëzuar nga kariatidet e rrënuara, ose figurat femërore të skalitura që shërbenin si mbajtëse arkitekturore brenda “Sala delle Cariatidi”, një sallë ceremoniale e dëmtuar rëndë gjatë bombardimeve të vitit 1943, në Luftën e Dytë Botërore.
Kiefer ka thënë se u frymëzua menjëherë nga kjo sallë dhe nga figurat femërore të fragmentuara, të lëna si një memorial i shkatërrimit të luftës.
“Gratë ishin alkimistet më të rëndësishme, ato merreshin me mjekësi, transformonin metalet në gjëra të tjera, bënin gjithçka që bënin burrat, madje edhe më mirë”, ka thënë Kiefer, 80 vjeç, një nga artistët gjermanë më të vlerësuar të periudhës së pasluftës, i njohur për veprat monumentale që shqyrtojnë historinë, kujtesën dhe traumën kolektive.
Ai realizoi mbi 42 panele, disa rreth gjashtë metra të larta, secila që paraqet një alkimiste, kontributet e së cilës, në kiminë dhe mjekësinë e hershme, u humbën në histori, duke ngritur në piedestal arritjet e burrave.

“Është një ekspozitë unike me 40 piktura të përmasave shumë të mëdha, më shumë se 860 metra katrorë ngjyrë mbi kanavacë, të realizuara duke përdorur një përzierje teknikash tradicionale të pikturës dhe shumë materialeve alkimike. Ato përfaqësojnë 38 figura, të cilat ishin reale; ose kanë ekzistuar në histori ose për të cilat kemi prova të sigurta”, ka shpjeguar kuratorja e ekspozitës, Gabriella Belli.
Ajo ka thënë se, megjithatë, ekspozita përbën një “akt të rëndësishëm njohjeje dhe vlerësimi”.
Pavarësisht temës, artisti këmbënguli se ekspozita e tij nuk është feministe.
“E dini, për mua është më shumë një lloj i të menduarit, alkimi që ndryshon gjithçka, ku mund të kombinosh gjëra por del diçka tjetër në pah dhe je i befasuar gjatë gjithë kohës. Kjo është alkimia”, ka thënë artisti.
Kiefer fillimisht donte t’i varte pikturat lart në mur, mbi kariatidet e brishta, por kjo nuk u lejua. Në vend të kësaj, pikturat shtrihen në formë zigzage mbi dyshemenë e sallës së ballove si ekrane dekorative, duke krijuar një shteg për vizitorët që të reflektojnë mbi jetët e 38 grave të paraqitura, përfshirë edhe Caterina Sforza nga Milano, vajza e Galeazzo Maria Sforzas, Dukës së Milanos prej vitit 1466 deri më 1476.

Imazhet ndërveprojnë me pasqyrat origjinale të mureve, sipas qëllimit të artistit. Ai e arriti këtë efekt duke rikrijuar hapësirën e muzeut në studion e tij, duke vendosur pasqyra në pozicionet përkatëse.
Kiefer e paraqet secilën prej alkimisteve të tij në figurë të plotë, në kontrast me trupat gjysmë të rrënuar të kariatideve. Kanavacat mbresëlënëse ftojnë për reflektim përmes vorbullave të ngjyrës së trashë, të dominuara nga ngjyrat blu-jeshile, ari, e zeza dhe argjendi.
Alkimistet, shpesh të konsideruara si shtriga atëkohë, paraqiten me bimë tredimensionale që përbënin bazën e punës së tyre si dhe me libra ku regjistronin rezultatet. Po ashtu ka re dhe mbulesa, që nënvizojnë misterin e tyre.
Ekspozita “Gratë alkimiste” do të jetë e hapur prej 7 shkurtit deri më 27 shtator, si pjesë e kalendarit kulturor të qytetit të Milanos që shoqëron Lojërat Olimpike në vend. Pjesë e aktiviteteve është gjithashtu hapja e rrallë për publikun e një salle në Kështjellën Sforza, ku ndodhet një pikturë murale e Leonardo da Vincit.