Përderisa “Xhorxh Bushi” është shndërruar në shesh përplasjesh e akuzash, e ku punimet janë ndaluar tash e dy muaj, Gjykata Themelore në Prishtinë nuk i ka dhënë të drejtë Komunës së Prishtinës në kërkesë-padinë për pezullim të vendimit që ia ndalon punimet. Saga e punimeve me projektin prej 18.4 milionë eurosh nisi në mars. “Hidhet poshtë si e palejuar padia/kërkesa për pezullimin e ekzekutimit të vendimit e paditëses/propozueses, Komuna e Prishtinës, nën shenjën A.nr.1922/2025 e datës 093.06.2025 për shkak të mungesës së legjitimitetit aktiv”, shkruhet në pikën e parë të Aktvendimit të protokolluar më 23 qershor ku ndër të tjera, konstatohet se Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve është institucioni i vetëm që jep leje për ndërhyrje në zona të mbrojtura arkitekturore të trashëgimisë
Pretendimi i Komunës së Prishtinës se ka legjitimitet të plotë për të zhvilluar punimet në sheshin “Xhorxh Bush”, ka rënë poshtë. Gjykata Themelore në Prishtinë i ka dhënë të drejtë Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore dhe ka lënë në fuqi vendimin për anulimin e punimeve. Departamenti për çështje administrative ka hedhur poshtë kërkesë-padinë e Komunës së Prishtinës ndaj institucioneve të trashëgimisë kulturore.
Gjyqtarja Albana Çeku s’i ka dhënë të drejtë Komunës në kërkesën për pezullim të vendimit që ndalon punimet.
Kësisoj, “fushata” e Komunës kundër institucioneve të trashëgimisë kulturore dhe akuzat profesionale, mbesin të kota në raport me veprimet ligjore e punën në terren.
Saga e punimeve në “Xhorxh Bush” do të niste në mars të këtij viti kur Komuna pa përfillur Ligjin për trashëgimi kulturore synonte punime midis pesë monumenteve dhe zonës së mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës. Komuna s’kishte marrë leje për ndërhyrje nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve si i vetmi institucion me mandat për miratimin ose refuzimin e projekteve që prekin trashëgiminë arkitekturore.
“Hidhet poshtë si e palejuar padia/kërkesa për pezullimin e ekzekutimit të vendimit e paditëses/propozueses, Komuna e Prishtinës, nën shenjën A.nr.1922/2025 e datës 093.06.2025 për shkak të mungesës së legjitimitetit aktiv”, shkruhet në pikën e parë të aktvendimit.
Në arsyetimin e aktvendimit sqarohet se Drejtoria e Investimeve Kapitale dhe Menaxhimit të Kontratave në Komunën e Prishtinës, në shtator të vitit 2024 kishte kërkuar leje në Drejtorinë e Urbanizmit për zhvillimin e punimeve në sheshin “Xhorxh Bush”. Aty sqarohet se në mars të këtij viti Drejtoria e Urbanizmit kishte lëshuar lejen dhe më 10 mars do të nisnin punimet. Në arsyetim shkruhet se Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore do të inspektonte punimet dy ditë më vonë dhe më 13 mars ka lëshuar vendim për ndalimin e punimeve, pasi po bëheshin veprime të paautorizuara në hapësirën e zonës së mbrojtur të monumenteve dhe zonën e mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës.
Komuna kishte paraqitur ankesë për këtë Vendim te Komisioni i Shqyrtimit të Ankesave në Ministrinë e Kulturës dhe kishte marrë përgjigje negative duke ia hedhur poshtë pretendimet. Më pas më 16 maj Komuna ka kërkuar nga Gjykata caktim të masës së sigurisë, në mënyrë që të pezullohet ekzekutimi i Vendimit që ia ndalonte punimet deri në vendosjen e çështjes meritore. Po ashtu, ishte kërkuar anulimi i vendimit që ia ndalte punimet, duke e konsideruar të kundërligjshëm. Gjykata më pas ka kërkuar sqarime nga Ministria e Kulturës dhe i ka marrë ato.
Në arsyetim Gjykata ka cituar pikën e 8-të të nenit të 3-të të Ligjit për trashëgimi kulturore i cili përcakton se “dhënia e lejes (lejimi) për ndërtim ose veprimtari të tjera që mund të ndikojnë në vlerat ose ndryshojnë tërësinë ose strukturën e objektit të trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme, bëhet vetëm me miratimin me shkrim të Institucionit kompetent”.

Po ashtu, është përmendur edhe pika e 12-të e nenit 4 që përcakton: “Inspektorët e caktuar nga Ministria, në pajtim me një akt nënligjor bazuar në këtë ligj, vlerësojnë kushtet dhe gjendjen e ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe ndërmarrin masat e duhura për ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore”.
Gjykata po ashtu ka shqyrtuar edhe Rregulloren nëpërmjet së cilës kryen veprimet Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore. Po ashtu, është konstatuar se Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve është institucioni i vetëm që jep leje për ndërhyrje në zona të mbrojtura arkitekturore të trashëgimisë. Pasi është shqyrtuar edhe Ligji për ndërtim, Gjykata Themelore ka nxjerrë konstatimet.
“Sipas vlerësimit të Gjykatës, paditësja/propozuesja në raport me të paditurën kundër/propozuesen, në rastin me shenjën A.1922/2025 nuk ka legjitimitet aktiv...”, shkruhet në Aktvendim. Ky Aktvendim bazohet në atë se trashëgimia kulturore në Kosovë përkitazi me ruajtjen, mbrojtjen dhe promovimin rregullohet me Ligjin për trashëgimi kulturore.
Sipas Gjykatës në kuadër të këtij ligji janë të parapara aktet nënligjore që përcaktojnë institucionet përgjegjëse për mbikëqyrjen e aseteve të trashëgimisë kulturore.
“Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore funksionon në kuadër të MKRS-së dhe është organ kompetent i cili kontrollon dhe mbikëqyr zbatimin e ligjit dhe akteve të tjera ligjore, zbatimin e masave administrative dhe masave tjera ndaj aktiviteteve tjera punuese, personave fizikë dhe juridikë në nivel lokal dhe qendror lidhur me trashëgiminë kulturore në republikën e Kosovës”, shkruhet në Aktvendimin e protokolluar të hënën e 23 qershorit të cilin KOHA e ka siguruar nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
Komuna pa leje kishte nisur punimet në mars për të implementuar projektin që sipas kontratës, ka kosto 18.4 milionë euro. Punimet i ishin ndalur më 12 mars. Më pas më 16 prill. Dhe për të tretën herë më 29 prill. Inspektorati për këtë rast kishte ushtruar Kallëzim Penal në Policinë e Kosovës. Pas ndaljes së punimeve për herë të parë, në mars, Komuna kishte bërë kërkesë në Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve për pajisje me leje. Në ditën e 16-të të prillit, Komuna ishte njoftuar se projekti nuk i është miratuar.
Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve ka dhënë rekomandime, duke kërkuar sqarime shtesë siç janë analiza e kontekstit urbanistik e historik. Shkresa e IKMM-së e konfirmon edhe një synim të projektit: ndërtesat e reja që ngrihen midis monumenteve. Kjo zbërthehet te shkresa, ku Komunës i kërkohet që të interpretohen ndërtesat e reja të parapara me projekt. Konstatimi se projekti cenon integritetin e monumenteve është po ashtu brenda shkresës që IKMM-ja ia ka përcjellë Komunës së Prishtinës. IKMM-ja ia ka bërë të ditur Komunës së Prishtinës se nëpërmjet këtij projekti trajtohen shtatë sheshe si ai i Katedrales, ai i shkollës “Faik Konica”, sheshi komercial i rrugës “Garibaldi” ai “Xhorxh Bush”, sheshi i koncerteve, i rekreacionit dhe ai i studentëve. Pesë prej këtyre shesheve, sipas komisionit të IKMM-së, gjenden brenda hapësirës së kufijve të zonës së mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës si dhe brenda perimetrit të zonave mbrojtëse të monumenteve si Biblioteka Kombëtare e Kosovës, Rektorati i Universitetit të Prishtinës, Radio Kosova, Hoteli “Grand” dhe Banka Qendrore e Kosovës. Projekti, sipas shkresës, është kthyer në plotësim me gjashtë rekomandime.
Në shkresë bëhet e ditur se projekti parasheh ndërhyrje në aspekt urban dhe arkitektonik, në perimetër dhe zonë mbrojtëse të monumenteve si Rektorati i UP-së dhe Radio Kosova “duke cenuar integritetin hapësinor të këtyre monumenteve, respektivisht duke penguar kuadrin e dukshëm të përjetimit të tyre nga sheshi aktual dhe si të tilla nuk janë në pajtueshmëri me politikat për konservim dhe zhvillim të perimetrit dhe zonës mbrojtëse të monumenteve”.
“Ndërhyrjet në aspektin arkitektonik (ndërtesat e reja) të projektuara në sheshin e Katedrales, i cili përfshin rrugën ‘Justiniani’, dhe sheshin e shkollës fillore ‘Faik Konica’ të propozohen me interpretime të dizajnit kontekstual”, shkruhet te rekomandimet. Nënvizohet se volumet për zgjerimin dhe zhvillimin e përdheseve në ndërtesat përgjatë rrugës “Garibaldi”, ndërtesa të identifikuara si ndërtesa kontribuuese të zonës, cenojnë tipologjinë e ndërtesave ekzistuese, peizazhin urban të zonës dhe hapësirën publike, trotuaret.
Zyrtarët komunalë në krye me kryetarin Përparim Rama e kontestojnë kufirin e zonës së mbrojtur të Qendrës Historie të Prishtinës, e përfshirë në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojte të përkohshme prej vitit 2020. Komuna i referohet Studimit të vizibilitetit dhe planit të menaxhimit për Qendrën Historike të Prishtinës që ende është duke u hartuar dhe thotë se institucionet e trashëgimisë kulturore po thirren në një draft-dokument. Por sipas institucioneve të trashëgimisë kulturore, kufijtë e zonës së mbrojtur të QHP-së janë miratuar bashkë me propozimin e vitit 2020 kur QHP-ja ka fituar statusin e monumentit nën mbrojtje të përkohshme.