Shumëkatëshja e planifikuar te xhamia “Taftali” në Pejë prek zonën e mbrojtur të monumentit, e Gjykata Themelore dhe ajo e Apelit në Prishtinë kanë ndalur aktivitetin deri në zgjidhjen e çështjes administrative. “Refuzohen si të pabazuara ankesat e të paditurës Komuna e Pejës dhe palëve të interesuara, Këshilli i Bashkësisë Islame me seli në Pejë dhe ‘Dukagjini Sh.P.K. me seli në Pejë...” shkruhet në aktvendimin e Gjykatës së Apelit që lë në fuqi masën e sigurisë. Për ndalimin e punimeve palët “pretendojnë që ka ndikim nga jashtë dhe nga politika”
Zhvillimi i aktivitetit të ndërtimit në afërsi të monumentit xhamia “Taftali” në Pejë tashmë është ndaluar me vendim gjyqësor të formës së prerë. Gjykata e Apelit ka nxjerrë aktvendim nëpërmjet të cilit lë në fuqi masën e sigurisë me arsyetimin që të mos rrezikohet interesi publik. Një ndërtesë shumëkatëshe ka nisur të ndërtohet me leje të Komunës së Pejës pasi institucionet e trashëgimisë kulturore ia kanë refuzuar projektin investitorit por janë vonuar për t’i dhënë përgjigje.
Por meqenëse shumëkatëshja e planifikuar prek zonën e mbrojtur të monumentit, Gjykata Themelore dhe ajo e Apelit në Prishtinë, kanë ndalur aktivitetin deri në zgjidhjen e çështjes administrative.
“Refuzohen si të pabazuara ankesat e të paditurës Komuna e Pejës dhe palëve të interesuara, Këshilli i Bashkësisë Islame me seli në Pejë dhe ‘Dukagjini Sh.P.K me seli në Pejë, ndërsa aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative. A.nr.3292/2025, i datës 05.02.2026, vërtetohet”, shkruhet në aktvendimin e nxjerrë nga kolegji i gjyqtarëve Hajriz Hoti, kryetar dhe anëtarët Ramiz Kuqi dhe Arsim Hamzaj.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoHistoria e kësaj çështjeje zë fill në janar të vitit 2024 kur investitori kishte paraqitur kërkesën për implementimin e projektit afarist-banesor “Puhovci 5” me etazhitet B+P+6K+KT. Por vendimin ndaj kësaj kërkese Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve e kishte nxjerrë më 11 tetor të po atij viti, duke shkelur krejt afatet e mundshme në raport me ofrimin e përgjigjes ndaj palës. Instituti e ka refuzuar kërkesën me arsyetimin se projekti me vëllim të madh planifikohej të ndërtohej në zonën e mbrojtur të monumentit. Instituti i Kosovës për Mbrojtje të Monumenteve gëzon të drejtën e vetos për raste të tilla. Më pas në emër të heshtjes administrative, Komuna e Pejës ka dhënë leje ndërtimi.
Por, siç përcakton Ligji për ndërtim, është Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ajo që jep leje – pas miratimit ose jo të projekteve nga institucionet e trashëgimisë kulturore – për objektet në zonat e mbrojtura të trashëgimisë kulturore. Avokati i njërës palë të interesit ka deklaruar se pala ka bërë ankesë edhe në këtë Ministri por s’ka marrë përgjigje.
Pas lëshimit të lejes nga Komuna e Pejës, Ministria e Kulturës është aktivizuar me kërkesë-padi dhe njëkohësisht ka kërkuar masë sigurie.
Gjykata Themelore vjet ka vendosur për masë sigurie. Por Gjykata e Apelit e kishte kthyer çështjen në rigjykim dhe rivendosje. Tash, me vendimin e protokolluar më 1 prill, Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi masën e sigurisë.
Në arsyetimin e aktvendimit shkruhet se pala e interesuar, Këshilli i Bashkësisë Islame, me seli në Pejë, në ankesë ka theksuar: “Aktvendimi është nxjerrë në kundërshtim me dispozitat e LKA-së dhe procedurën kontestimore...”
“Kurse pala e interesuar ‘Dukagjini Sh.p.k.’, me seli në Pejë, në ankesë thekson se ‘...Gjykata nuk ka vlerësuar as të drejtën pronësore të ndërhyrësit e cila është qartë e artikuluar në parashtresat e tij. Paditësja nuk mund të pengojë ushtrimin e të drejtës së ndërtimit në tokën ndërtimore të ndërhyrësit, kufizimi i padrejtë i ushtrimit të kësaj të drejte është jofunksionalist i barabartë me shpronësimin dhe sjell pasoja pasurore për shtetin...’”, shkruhet në arsyetim.
Duke i marrë parasysh këto pretendime ankimore të ankesave kolegji i Gjykatës së Apelit ka vlerësuar se të njëjtat janë të pabazuara.
“Andaj, sipas vlerësimit të kolegjit të Apelit, Gjykata e shkallës së parë me të drejtë ka vlerësuar se shtyrja e ekzekutimit të vendimit të ankimuar deri në vendosjen lidhur me padinë e paditëses, është e domosdoshme për të shmangur një dëm të rëndë, të pakthyeshëm ndaj interesave të propozueses së masës dhe se marrja e masës së sigurisë nuk cenon rëndë interesin publik”, shkruhet në arsyetim.
“Kolegji i Apelit vlerëson se aktvendimi i ankimuar i Gjykatës së shkallës së parë nuk ka të meta për shkak të të cilave nuk mund të vlerësohet ligjshmëria e tij, dispozitivi i aktvendimit është i kuptueshëm, nuk është në kundërthënie me vetveten ose me arsyet e aktvendimit, dhe se aktvendimi përmban arsye të mjaftueshme dhe bindëse për gjendjen faktike dhe juridike, për të vendosur në këtë çështje juridike, të cilat në tërësi i aprovon edhe kolegji i Apelit, dhe nga këto arsye ankesa si e tillë refuzohet, ndërsa aktvendimi i goditur me ankesë vërtetohet si i drejtë dhe i ligjshëm”, shkruhet në arsyetim. Aty bëhet e ditur se kolegji i Gjykatës së Apelit ka vlerësuar edhe pretendimet e tjera ankimore të ankueses, mirëpo të njëjtat i vlerëson si të pabazuara, ngase të njëjtat nuk provojnë një gjendje tjetër faktike nga ajo e vërtetuar nga Gjykata e shkallës së parë. Apeli ka udhëzuar shkallën e parë që kësaj lënde t’i japë prioritet për vendosje meritore duke u bazuar në Ligjin për Konfliktet Administrative që përcakton se lëndët e tilla duhet të trajtohen me prioritet nga Gjykata.
KOHA ka kërkuar qëndrime nga kompania “Dukagjini Sh.P.K.” e po ashtu nga Komuna e Pejës sa i përket këtij rasti. Asnjëra palë nuk është përgjigjur. Këshilli i Bashkësisë Islame në Pejë këto ditë ka angazhuar si përfaqësues ligjor, avokatin Hasan Shala, njëherësh ish-kryetar i Gjykatës së Apelit. Avokati Shala ka thënë se fillimisht Gjykata Themelore ka nxjerrë aktvendim për masë sigurie dhe më pas Gjykata e Apelit e ka kthyer në rishqyrtim dhe rivendosje.
“Kemi të bëjmë me një rast kur Komuna me kryesin e punëve dhe Bashkësinë Islame kanë bërë kërkesë për leje dhe Ministria e Kulturës dhe institucionet e veta nuk kanë vepruar për një kohë të gjatë. Meqenëse kemi pasur heshtje administrative, Komuna ka lëshuar leje për ndërtim. Më pas Ministria e Kulturës ka ushtruar padi. Por është ushtruar padi jashtë afatit. Do të thotë kemi heshtje administrative dhe padi pas afatit. Apeli fillimisht i ka thënë shkallës së parë t’i eliminojë këto gabime. Por gjykata e shkallës së parë nuk e ka përmirësuar këtë dhe prapë cakton masë të përkohshme. Tash i njëjti kolegj i Apelit nuk i vlerëson fare pretendimet e veta dhe vendos për masë të përkohshme”, ka thënë ai. Sipas Shalës me këtë vendim Këshillit të Bashkësisë Islame dhe kompanisë investitore i shkaktohen dëme të mëdha.
“Palët pretendojnë që ka ndikim nga jashtë dhe nga politika. Si përfaqësues ligjor shumë shpejt do t’ia dorëzoj një urgjencë Gjykatës Themelore për të nisur gjykimi. Përndryshe shkaktohet dëm i pariparueshëm që duhet ta kompensojë Ministria e Kulturës”, ka thënë ai. Sipas Shalës, pala që ai përfaqëson ka bërë ankesë edhe në Ministrinë e Mjedisit, por s’ka marrë përgjigje.
Gjykata Themelore nëpërmjet vendimit të saj të dytë kishte konstatuar se kërkesë-padia qe e afatshme dhe këtë ia ka konfirmuar Gjykata e Apelit.
“Gjykata, duke vepruar sipas udhëzimeve të Gjykatës së shkallës së dytë, pas shqyrtimit të padisë dhe shkresave të lëndës, ka nxjerrë aktvendimin A.nr.3292/2025, më datë 26.12.2025, me të cilin ka kthyer në plotësim padinë e paditëses, me të cilin vendim, paditësja ishte obliguar të sjellë dëshminë lidhur me atë se kur është njoftuar apo ka pranuar vendimin të cilin e ka kontestuar me padi”, shkruhet në arsyetimin e aktvendimit të Gjykatës Themelore që është vërtetuar tash nga Gjykata e Apelit. MKRS-ja më pas kishte plotësuar lëndën duke sqaruar se Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Pejë, i ka dorëzuar kërkesë më datën 11.07.2025 Komunës së Pejës për t’u informuar se a është lëshuar ndonjë leje ndërtimore. Më pas Komuna e Pejës, kërkesës i ishte përgjigjur më datën 15.07.2025, duke ia bashkangjitur edhe vendimin për leje ndërtimore të datës 30.04.2025.
“Paditësja ka theksuar se nga dita e nesërme ka nisur të rrjedhë afati për paraqitjen e ankesës, pasi nga data 15.07.2025, konsiderohet se paditësja ka rënë në dijeni për vendimin në fjalë. Paditësja më datën 04.08.2025, ka paraqitur ankesë ndaj vendimit në fjalë, dhe e njëjta po më datën 09.09.2025 i është drejtuar organit kompetent për zgjidhjen e ankesës, me kërkesë të re për nxjerrjen e aktit përkatësisht pasi që nuk i është përgjigjur lidhur me ankesën. Mirëpo edhe përkundër kësaj kërkese, paditësja nuk ka pranuar asnjë vendim, andaj e njëjta më datën 01.10.2025 ka paraqitur padi në gjykatë, dhe me të cilën ka kërkuar që të anulohet vendimi për dhënien e lejes së ndërtimit”, shkruhet në arsyetimin e aktvendimit të Gjykatës Themelore.
Monumenti ndodhet në lagjen e quajtur “Sahat Kulla” të Pejës. Sipas të dhënave të Ministrisë së Kulturës, u ndërtua në vitin 1587.
“Xhamia mori emrin nga fjala turke ‘taft’ që do të thotë dru, ngase në fillim ishte e konstruktuar tërësisht nga druri. Mirëpo në vitet e mëvonshme i është bërë rekonstruksioni. Xhamia ka konstruksionin e drurit, ndërsa muret janë të kombinuara me gurë dhe tulla të veshura me lloç”, shkruhet në databazën online të trashëgimisë kulturore. Aty sqarohet se në enterierin e objektit veçohet mafilli ose galeria e cila zë sipërfaqen mbi portën hyrëse, si dhe tavani i drurit i këtij ndërtimi fetar.
“Objektin e karakterizon në njëfarë mënyre arkitektura e xhamive të cilat janë ndërtuar nga vendasit, pra me kupolë të brendashkruar dhe e mbuluar nga kulmi me tjegulla. Çatia është katër ujore. Objekti nuk ka ndryshuar në pamje dhe me sa kemi njohuri nuk ka pasur as ndonjë ndryshim të funksionit. Në vitin 1999 xhamia është plaçkitur dhe demoluar brenda. Muret e jashtme dhe minarja janë dëmtuar nga predhat artilerike. Xhamia është restauruar në vitin 2010, është në gjendje të mirë dhe shfrytëzohet”, shkruhet në databazë.
Sa i përket ndërhyrjeve pa leje në perimetrin e zonës së mbrojtur, kjo nuk është hera e parë në këtë xhami.
Në vitin 2019 në brendi të xhamisë ishin bërë ndërhyrje pa leje nga institucionet e trashëgimisë kulturore.
Gjithçka kishte filluar pas miratimit të një kërkese nga ana e Këshillit të Bashkësisë Islame në Pejë për nisjen e punimeve për instalimin e ngrohjes qendrore dhe zëvendësimin e dyshemesë me pllaka qeramike. KBI s’e kishte përfillur faktin se monumenti i shekullit të 16-të është pjesë e Listës së trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme dhe për çfarëdo ndërhyrjeje duhet leje nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Institucionet e trashëgimisë kulturore asokohe kishin bërë “sehir” me deklarata boshe.
Ligji për trashëgimi kulturore përcakton qartë se janë institucionet e trashëgimisë kulturore ato që japin leje për ndërhyrje në monumentet ose zonën mbrojtëse të tyre.
“Aplikimi për leje për ndërtimin e ndërtesave ose krijimtari tjetër brenda zonës së mbrojtur të një monumenti arkitektural, ose brenda një hapësire konservuese arkitekturale, ose që ndikon nё mjedisin e një asambleje, paraqitet për shqyrtim në institucionin kompetent. Institucioni kompetent ka veto mbi dhënien e një lejeje të tillë. Nëse Institucioni kompetent nuk përgjigjet brenda 15 ditëve në lidhje me aplikimin për ndërtimin e ndërtesave ose zhvillimeve të tjera, leja mund të përcaktohet nga autoriteti relevant për planifikim dhe ndërtim”, shkruhet në nenin 6 të Ligjit.