Projekti i rinovimit dhe restaurimit të plotë të objektit të Galerisë Kombëtare të Kosovës ka arritur në gati 1.7 milion euro pasi tash kanë dalë edhe punë shtesë si “Rikyçja e ndërtesës së Galerisë Kombëtare të Kosovës në rrjetin elektrik” që kap vlerën prej 18 mijë e 400 eurosh dhe “punë shtesë” me mbi 123 mijë euro. Objekti i GKK-së po rrumbullakon një vit prej se është mbyllur, përderisa së paku deri më tash nuk ka një afat për rihapje përderisa ky vit sipas institucionit “shënon një kapitull të ri në historinë e tij, jo vetëm në zgjerimin e kapaciteteve fizike”
Galerisë Kombëtare të Kosovës i janë shtuar shpenzimet për restaurim dhe renovim të plotë. Ndërtesës që gjendet brenda kampusit të Universitetit të Prishtinës nuk i mjaftojnë 1 milion e 474 mijë euro, sa është vlera e kontratës së lidhur në prill të vitit të kaluar. Kanë dalë punë shtesë. Edhe për rilidhjen me rrjetin e energjisë elektrike, nevojiten mjete shtesë.
“Rikyçja e ndërtesës së Galerisë Kombëtare të Kosovës në rrjetin elektrik” dhe “Punë shtesë në punët për zbatimin e projektit të hollësishëm (zbatues kryesor) të arkitekturës dhe të inxhinierisë për renovimin e ‘Galerisë Kombëtare të Kosovës’ në Prishtinë” janë dy aktivitete të reja të prokurimit që ka zhvilluar Ministria e Kulturës për Galerinë Kombëtare të Kosovës. E para, nëpërmjet thirrjes së hapur, është mbyllur me 18 mijë e 400 euro, duke përzgjedhur kompaninë që ka ofertuar me çmimin më të lirë. Kurse për punët shtesë, Ministria e Kulturës ka negociuar me grupin e kompanive që po implementon projektin kryesor. Janë marrë vesh që punimet shtesë të përfundojnë me 123 mijë e 603 euro. Në total, shpenzimet shtesë arrijnë në 142 mijë euro. Kur kësaj shume i shtohet vlera e projektit kryesor, del se ndërtesa e institucionit më të lartë të artit pamor në vend nuk restaurohet pa 1 milion e 676 mijë e 546 euro.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoSipas dosjes së tenderit, te punimet shtesë hyjnë demontimi i komplet “klimave” me njësitë e brendshme dhe të gjitha pajisjet e jashtme, përfshirë rrjetin e tyre, prerja e betonit të pllakës së kulmit, katit, mureve e të tjera, si dhe furnizimi dhe montimi i kanaleve ujëmbledhëse lineare të parafabrikuara. Këto janë vetëm disa nga punimet.
KOHA, para një jave, ka pyetur ushtruesen e detyrës së drejtorit të GKK-së, Alisa Gojani, se përse ka lindur nevoja për punime shtesë në Galerinë Kombëtare të Kosovës dhe kur planifikohet të përfundojë projekti dhe të rihapet GKK-ja. Por ajo nuk është përgjigjur. Të njëjtave pyetje nuk u është përgjigjur për një javë as Ministria e Kulturës.
KOHA, në fillim të vitit të kaluar, ka raportuar se planet e Ministrisë së Kulturës për renovimet dhe restaurimet e ndërtesave kulturore kanë mospërputhje midis çmimeve me të cilat tenderohen dhe planeve që i ka bërë vetë ky institucion në Ligjin mbi ndarjet buxhetore për këtë vit.
Mospërputhjet janë të vërejtshme në shumë projekte. Përderisa vetëm 500 mijë euro ishin të parapara për vitin 2025 për kinematë e Prishtinës, Pejës dhe Prizrenit, Ministria e Kulturës synonte që ta kalonte disa herë këtë shumë vetëm për kinemanë “Lumbardhi” në Prizren. Te renovimi i Galerisë Kombëtare të Kosovës, situata ishte e njëjtë.
Nëpërmjet thirrjes së hapur, Ministria e Kulturës, deri më 6 janar, kishte kërkuar kompani për të kryer punët me tenderin me titull: “Punë për zbatimin e projektit të hollësishëm (zbatues kryesor) të arkitekturës dhe të inxhinierisë për renovimin e ‘Galerisë Kombëtare të Kosovës’ në Prishtinë dhe punë për zbatimin e projektit të hollësishëm (zbatues kryesor) të arkitekturës dhe të inxhinierisë për rivitalizimin e kinemasë ‘Lumbardhi’ në Prizren”. Vlera e parashikuar për këto ndërhyrje ishte fiks 2.7 milionë euro.
Por, me Ligjin mbi ndarjet buxhetore të atij viti, si projekt kapital figuronte “Renovimi i Galerisë Kombëtare” me 500 mijë euro, ndërsa nga 700 mijë euro ishin paraparë për dy vjetët pasues. Në Ligjin mbi ndarjet buxhetore të këtij viti figuron se për renovimin e GKK-së janë paraparë 600 mijë euro si bartje nga viti i kaluar.
Galeria Kombëtare e Kosovës, e themeluar më 1979, prej vitit 1999 funksionon në ndërtesën ku gjendet aktualisht. Prej kohësh, zyrtarët e këtij institucioni kanë pasur kërkesa për ndërhyrje, sidomos sa u përket hapësirave ku mbahen veprat e koleksionit të përhershëm.
Prej vitit të kaluar, Galeria Kombëtare e Kosovës ka ndërruar hapësirat për shkak të renovimit. Kjo çështje ka ndikuar edhe në hartimin dhe miratimin e programit vjetor të institucionit më të lartë të artit pamor në vend. GKK-ja vitin e kaluar kishte ekspozita që përfshinin disiplina të ndryshme artistike, si dhe bashkëbisedime midis artistëve vendorë dhe ndërkombëtarë. Me këtë hap është zhbërë edhe ajo që ishte Galeria e Ministrisë së Kulturës, ose “Qafa”, duke u shndërruar në Galeri të Vogël në shërbim të GKK-së.
Për këtë vit, institucioni ka planifikuar një ekspozitë retrospektive të akademikut Xhevdet Xhafa dhe një ekspozitë personale të Doruntina Kastratit. Për të dyja, përgatitjet kanë nisur në vitin 2025. Për vitin 2026, GKK-ja synon që të kthehet në ndërtesën e saj, e cila ndodhet në fazë restaurimi, ku përfshihet edhe zgjerimi i hapësirave të punës dhe atyre për fondin e veprave. Pjesa tjetër e programit zhvillohet në atë që ishte Galeria e Ministrisë së Kulturës. Gjithsej planifikohen dhjetë ekspozita. Nëpërmjet një njoftimi për media, në fillim të këtij viti, GKK-ja kishte bërë të ditur se programi për vitin 2026 përfshin ekspozita që trajtojnë kontekstin kompleks bashkëkohor përmes çështjeve gjinore, klasore, migrimit dhe ballafaqimit me të kaluarën. Sipas institucionit, ky vit shënon një kapitull të ri në historinë e GKK-së, jo vetëm në zgjerimin e kapaciteteve fizike, “por edhe në përpjekjet e vazhdueshme për të rikonfiguruar dhe sfiduar narrativat margjinalizuese dhe patriarkale që kanë shënuar fillimet dhe zhvillimin e tij”.