Pas më shumë se një viti në renovim, Galeria Kombëtare e Kosovës është rikthyer në objektin e vet me investimin më të madh deri më tash. Për herë të parë, institucioni ka një depo sipas standardeve për ruajtjen dhe konservimin e koleksionit shtetëror të artit. Rinovimi prej 1.7 milion eurosh u inaugurua me ekspozitën “Jo gjithë njerëzit ekzistojnë në të tashmen e njëjtë”
Galeria Kombëtare e Kosovës ka rihapur dyert për publikun pas më shumë se një viti renovim, duke vënë në funksion hapësira të reja që synojnë përmirësimin e ruajtjes së koleksionit shtetëror dhe kushteve për ekspozim. Pjesa kryesore e investimit afro 1.7 milion eurosh është ndërtimi i depos së parë institucionale për ruajtjen dhe konservimin e veprave të koleksionit permanent të Galerisë Kombëtare të Kosovës.
Rihapja e institucionit është shënuar të enjten me një konferencë për media, ndërsa në mbrëmje është inauguruar ekspozita kolektive “Jo gjithë njerëzit ekzistojnë në të tashmen e njëjtë”, e kuruar nga Hana Halilaj.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPërveç përmirësimit të infrastrukturës ekzistuese dhe kushteve për ekspozim, projekti ka sjellë për herë të parë një depo të ndërtuar sipas standardeve për ruajtjen dhe konservimin e koleksionit shtetëror të artit. Kjo hapësirë konsiderohet ndër arritjet më të rëndësishme të renovimit, pasi krijon kushtet e domosdoshme për ruajtjen afatgjatë të veprave që përbëjnë trashëgiminë artistike të Kosovës.
Konferenca për media e mbajtur të enjten paradite i ka paraprirë hapjes së ekspozitës kolektive “Jo gjithë njerëzit ekzistojnë në të Tashmen e njëjtë”, kuruar nga Hana Halilaj, e cila inauguroi objektin e rinovuar në mbrëmjen e së njëjtës ditë.
Objekti i Galerisë ishte mbyllur në javën e fundit të majit të vitit të kaluar për t’iu nënshtruar renovimit të plotë. GKK-ja ishte zhvendosur në atë që njihej si Galeria e Ministrisë së Kulturës më pas galeria “Qafa”, e kur e mori GKK-ja u quajt Galeria e Vogël. Projekti ka përfshirë përmirësimin e infrastrukturës ekzistuese, të kushteve të punës dhe prezantimit për artistët, si dhe përvojës së vizitorëve. Përveç rindërtimit të depos, ndërhyrjet kanë përfshirë sistemin e klimatizimit, ndriçimin, përshtatjen e lartësisë së tavaneve dhe të hapësirave ekspozuese sipas nevojave të institucionit. Një milion e 474 mijë euro, ishte vlera e kontratës së lidhur në prillin e vitit të kaluar por një vit më vonë dolën edhe punë shtesë. Edhe për rilidhjen me rrjetin e energjisë elektrike, u morën mjete shtesë duke rritur kështu koston. “Rikyçja e ndërtesës së Galerisë Kombëtare të Kosovës në rrjetin elektrik” dhe “Punë shtesë në punët për zbatimin e projektit të hollësishëm (zbatues kryesor) të arkitekturës dhe të inxhinierisë për renovimin e ‘Galerisë Kombëtare të Kosovës’ në Prishtinë” ishin dy aktivitete të reja të prokurimit që kishte zhvilluar Ministria e Kulturës për Galerinë Kombëtare të Kosovës. E para, nëpërmjet thirrjes së hapur, ishte mbyllur me 18 mijë e 400 euro, duke përzgjedhur kompaninë që ka ofertuar me çmimin më të lirë. Kurse për punët shtesë, Ministria e Kulturës kishte negociuar me grupin e kompanive që po implementonte projektin kryesor. Ishin marrë vesh që punimet shtesë të përfundojnë me 123 mijë e 603 euro. Kësisoj, një milion e 676 mijë e 546 euro doli kostoja finale e rinovimit të objektit të mesit të viteve ’30 e ndërtuar fillimisht si një njësi ushtarake e Ushtrisë Jugosllave, më pas si bibliotekë prej vitit 1955 deri më 1981 kur u adaptua si sallë ekspozite nga arkitekti Agush Beqiri për Muzeun Revolucionar të kohës, e prej vitit 1995 si galeri arti dhe zyrtarisht në atë që tani është Galeria Kombëtare e Kosovës prej vitit 1999.

Kryetarja e këshillit drejtues të Galerisë Kombëtare të Kosovës, Renea Behluli, ka thënë se institucioni ka kaluar një transformim të madh gjatë katër vjetëve të fundit, pavarësisht sfidave me të cilat ishte përballur.
“Këto katër vjet kemi organizuar mbi 30 ekspozita, koleksioni është pasuruar me mbi 350 vepra të reja, që ka qenë procesi më i madh institucional në historinë e koleksionimit publik në Kosovë, është regjistruar plotësisht koleksioni me mbi një mijë e 200 vepra dhe nisëm digjitalizimin e tij”, ka thënë ajo.
Sipas saj, Galeria ka pasur shumë mungesa kur ajo erdhi në kryesi të institucionit.
“Në pranverën e 2022-s kur e morëm mandatin, Galeria Kombëtare ka pasur mungesë të burimeve njerëzore, të programit edukativ dhe të programit hulumtues. Kjo ka vështirësuar funksionimin adekuat të institucionit. Katër vjet pas, jemi institucion shumë i avancuar, me program vjetor të plotë, me dyer të hapura ndaj artistëve të brezit të ri dhe atyre që më parë nuk janë përfshirë, me bashkëpunime ndërkombëtare që e kanë pasuruar programin”, ka thënë Behluli.
Zëvendësuesja e drejtorit të Galerisë Kombëtare, Alisa Gojani, ka thënë se investimi më i rëndësishëm nga renovimi është ndërtimi i depos për koleksionin shtetëror të veprave artistike.
“Investimi që është bërë në depo është një prej punëve më të rëndësishme që kanë ndodhur deri më tash gjatë gjithë renovimeve të Galerisë, e të cilat kanë qenë brenda në objekt që kanë pasur të bëjnë me sallat, me hapësirat. Objekti i Galerisë është objekt i adaptuar, fillimisht për Muze të Revolucionit e më pas për Galeri Kombëtare”, ka thënë ajo në konferencë.
Klimatizimi, ndriçimi e lartësia e tavanit janë midis ndërhyrjeve tjera në objektin e Galerisë Kombëtare të Kosovës. Sipas Gojanit, renovimi ka qenë i domosdoshëm.
“Ka qenë një investim i domosdoshëm dhe shumë i nevojshëm, mbase shumë më herët, por ja që ka ndodhur tash. Por kurrë nuk është vonë, pasi ruajtja dhe prezervimi i koleksionit shtetëror që ne e ruajmë në Galerinë Kombëtare ka qenë domosdoshmëri sepse ne e kemi obligim që ato vepra të mos i mbajmë vetëm për vete, por ato t’i përcjellim edhe për gjeneratat e ardhshëm”, ka konsideruar ajo.
Ekspozita “Jo gjithë njerëzit ekzistojnë në të tashmen e njëjtë”, e kuruar nga Hana Halilaj, me të cilën inaugurohet objekti i rinovuar i Galerisë, mbledh veprat e 43 artistëve nga koleksioni i institucionit dhe synon të ofrojë lexime të ndryshme mbi mënyrën se si historia, politika dhe shoqëria ndikojnë në përvojat njerëzore.
Kuratorja Hana Halilaj ka thënë se peizazhi si tematikë simbolizon fjalën e lirë artistike dhe përtej.
“Ekspozita sjell vepra nga viti 1970 deri më tash, duke prezantuar disa nga veprat më të hershme në koleksion. Si pikënisje e ka pikërisht peizazhin si një tematikë e cila në momentet kur fjala e lirë dhe lëvizja shpesh kanë qenë të kufizuara, ka qenë një moment i rëndësishëm dhe diçka që artistët vazhdimisht i janë rikthyer”, ka thënë ajo teksa ka shpjeguar se kjo dallohet edhe tek artistët shqiptarë kur Kosova ishte krahinë e ish-Jugosllavisë e deri te periudha e pasluftës.
“Duke hulumtuar koleksionin dhe duke konsideruar se çfarë ka brenda narrativa më kritike që artistët e asaj kohe e kanë konsideruar, shumë prej tyre kanë qenë të preokupuar me peizazhin dhe territorin si gjeografi. Mbi të gjitha, gjithë kjo dëshirë e tyre ta sjellin mesazhin si ide, lexohet si një qëndrim politik, duke marrë parasysh kontekstin e Kosovës si një provincë gjatë periudhës së Jugosllavisë, e më pas në vitet ’90 me trazirat politike në vend, institucionet paralele dhe më pas konteksti i pasluftës”, ka thënë Halilaj.

Ekspozita përfshin edhe një seksion të veçantë në depo, aty ku ruhet koleksioni, e që fton publikun të reflektojë mbi veprat dhe artistët që mbesin jashtë çdo përzgjedhjeje kuratoriale.
Sipas kuratores Halilaj, kjo është një mënyrë për të treguar se hapësira ekspozuese, pavarësisht renovimit, asnjëherë nuk është e mjaftueshme.
“Ekspozita vazhdon me një pjesë të kuruar veçanërisht në koleksionin e Galerisë, si një mënyrë për të treguar se asnjë ekspozitë asnjëherë nuk është e plotë. Shpesh çfarëdo hapësire, pavarësisht renovimit, hapësira ekspozuese nuk është mjaftueshëm e madhe për të përfshirë të gjithë emrat, të gjitha perspektivat. Secila ekspozitë dhe secili grupim i veprave të caktuara është një moment i mirë për të kuptuar se çfarë mbetet jashtë dhe çfarë mund të konsiderohet për të ardhmen”, ka thënë Halilaj.
Objekti i Galerisë ishte mbyllur në javën e fundit të majit të vitit të kaluar për t’iu nënshtruar renovimit të plotë. Projekti ka përfshirë përmirësimin e infrastrukturës ekzistuese, kushteve të punës për artistët dhe përvojës së vizitorëve.
Galeria Kombëtare e Kosovës, e themeluar më 1979, prej vitit 1999 funksionon në ndërtesën ku gjendet aktualisht. Prej kohësh, zyrtarët e këtij institucioni kanë pasur kërkesa për ndërhyrje, sidomos sa u përket hapësirave ku mbahen veprat e koleksionit të përhershëm. Prej vitit të kaluar kur Galeria Kombëtare e Kosovës ka ndërruar hapësirat për shkak të renovimit, kjo çështje kishte ndikuar edhe në hartimin dhe miratimin e programit vjetor të institucionit më të lartë të artit pamor në vend.