Kulturë

Fundi i muzikës pa para, Shoqata lansohet si fillim i një epoke të re

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në bashkëpunim me “Kosova Music Rights Society” ka mbajtur konferencën informuese me temën “Fuqizimi i të drejtave muzike

Të martën Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në bashkëpunim me “Kosova Music Rights Society” ka mbajtur konferencën informuese me temën “Fuqizimi i të drejtave muzike përmes menaxhimit kolektiv”. Në këtë ngjarje është bërë edhe lansimi zyrtar i organizatës së menaxhimit kolektiv për të drejtat e autorit në fushën e muzikës

Nëse një kafene a restorant me atmosferë muzikore ka xhiro vjetore nga 401 mijë deri në 450 mijë euro në vit, fiks 5 mijë e 260 euro do t’i paguajë për muzikë. Por që artisti të përfitojë nga kjo duhet të anëtarësohet në shoqatën që quhet “Kosova Music Right Society”. Ky është organi i ri që është lansuar zyrtarisht të martën në ceremoninë në të cilën ka marrë pjesë edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti. Ai dhe të tjerët shoqatën e kanë cilësuar si fillim të një epoke të re, ku artisti mbrohet dhe përfiton nga krijimtaria e tij

Dita e fundit e këtij viti do të shënojë fundin e epokës së transmetimit pa pagesë të muzikës në ngjarje a ambiente në shërbim të publikut. Festivalet, kafehanet, restorantet, qendrat tregtare, ngjarjet sportive e dyqanet, prej 1 janarit të vitit 2026 do të jenë të detyruar që të paguajnë tarifat për përdorimin e veprave muzikore të mbrojtura. Mbledhja e tarifave do të bëhet nga shoqata “Kosova Music Right Society”. Nëpërmjet një procesi që ka nisur vitin e kaluar, Ministria e Kulturës ia ka marrë licencën shoqatës APIK, është regjistruar shoqata e re, është bërë miratimi i tarifave dhe tashmë obligimi për pagesa është punë e kryer. 

Të martën Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në bashkëpunim me “Kosova Music Rights Society” ka mbajtur konferencën informuese me temën “Fuqizimi i të drejtave muzikore përmes menaxhimit kolektiv”. Në këtë ngjarje është bërë edhe lansimi zyrtar i organizatës së menaxhimit kolektiv për të drejtat e autorit në fushën e muzikës.

“Kapitull i ri i menaxhimit kolektiv të të drejtave autoriale”

I pranishëm në këtë konferencë ka qenë edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti. Krejt në fillim ai ka bërë një lojë fjalësh – siç vepron zakonshëm – duke ngritur pyetje. 

“A mund të mbrohet diçka që dëgjohet? Ne e asociojmë dëgjimin me shpirtin, fundja çiftelitë deri në vitet ‘90 vetëm janë falur, asnjëherë nuk janë shitur. Përse mos të mbrohet edhe ajo që dëgjohet?”, ka thënë ai. Më pas ka hyrë pak në histori duke thënë se rrugën e institucionalizimit të muzikës në vendin tonë e ka trasuar kompozitori Lorenc Antoni, në fillim të shekullit XX. Sipas tij, me shkrimet e tij të para shkencore për folklorin dhe për punën kërkimore që ai ka bërë e më pas Shkolla e Parë e Muzikës në Prizren shënuan institucionalizimin e muzikës. 

“Çdo nismë e jona, si kjo e sotmja, qëndron mbi supet e maleve shpirtërore që janë ndërtuar dhe vazhdojnë ta bëjnë Kosovën një vend hipermuzikor. Për këtë arsye ne u kemi detyrim kësaj krijimtarie dhe këtyre krijuesve”, ka thënë kryeministri në detyrë, Albin Kurti. 

Sipas tij, të martën është shënuar një hap që shkon përtej muzikës. Sipas tij, në thelb të kësaj nisme të krijimit të “Kosova Music Rights Society” dhe punës që i pret përpara qëndron një ide më e madhe. 

“Ajo e të drejtës për të zotëruar frytin e punës sonë, për të fituar edhe autori nga dobia publike. Kjo nuk është vetëm çështje ligjore, por edhe morale, kulturore e filozofike. Shoqëria që njeh dhe e mbron krijimtarinë është shoqëri e cila beson në vetvete. Shoqëri e cila beson në të tashmen dhe në të ardhmen e saj. Po ashtu është shoqëri, e cila edhe i respekton artistët e vet përveçse i do ata”, ka thënë ai. Sipas Kurtit, KMRS-ja tani është më shumë se një organizatë besimi midis krijuesve dhe shtetit, si dhe midis publikut dhe artit. 

“Me këtë hap Kosova hyn në një kapitull të ri të menaxhimit kolektiv të të drejtave autoriale, duke u bërë pjesë e traditave botërore institucionale dhe rrjetit evropian të bashkëpunimit me organizata si SACEM e Francës, (Shoqëri e Autorëve, Kompozitorëve dhe Muzikantëve) dhe potencialisht me bashkëpunim me të gjitha të tjerat në botë, një partneritet që dëshmon për seriozitetin e kësaj nisme dhe për hapjen tonë drejt standardeve ndërkombëtare”, ka thënë ai. 

Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Bislim Bislimi, ka thënë se bëhet fjalë për një moment të rëndësishëm. 

“Kjo shënon një moment të rëndësishëm, një hap vendimtar drejt mbrojtjes së të drejtave të krijuesve tanë, forcimit të themeleve të infrastrukturës së sistemit ligjor e institucional për zhvillimin tonë social, kulturor e ekonomik, në vijë me objektivat shtetërore të asocimit të Kosovës me standardet e BE-së në fushën e të drejtës së autorit dhe të drejtave të përafërta”, ka thënë ai. Sipas Bislimit, themelimi i kësaj organizate është shumë më tepër sesa një përmbushje formale institucionale. Ka thënë se para së gjithash është shenjë e njohjes dhe mirënjohjes së punës së krijuesve dhe artistëve. 
“Organizata e re do të shërbejë si organizëm i autorizuar për menaxhimin e të drejtave të autorit dhe të drejtave të përafërta në fushën e muzikës, në emër të autorëve, kompozitorëve, interpretuesve dhe producentëve. Ajo do të menaxhojë lejimin zyrtar të veprave të muzikës”, ka thënë Bislimi. 

Kurse kryetarja e organizatës “Kosova Music Rights Society”, Kaltrina Mehmeti, ka përmendur se krijuesit e muzikës në Kosovë kanë punuar për më shumë se dy dekada pa mbrojtje ligjore.

“Kjo industri e muzikës kaq e fuqishme në Kosovë dhe jashtë saj, paradoksalisht ka funksionuar më shumë se 25 vjet pa asnjë mbrojtje ligjore dhe pa asnjë kompensim në emër të së drejtës së autorit. Është momenti që ky borxh moral t’i përkushtohet komunitetit artistik, që të njihet me të drejta më bazike e themelore, ashtu si çdo qytetar i Kosovës”, ka thënë Mehmeti.

Një rrugëtim që nisi më 2012 dhe kapërcimi në shoqatë të re

Kosova tenton prej vitit 2012 që nëpërmjet organizatave për menaxhimin kolektiv të të drejtave të autorit të nisë respektimin e Ligjit për mbrojtjen e të drejtave të autorit dhe të drejtave të përafërta. Por me gjithë negociatat mbi marrëveshjet për tarifa, një gjë e tillë nuk është bërë.  Pas marrjes së licencës së organizatës APIK, që menaxhohej nga kompozitori e producenti Florent Boshnjaku,  organizata e re në mënyrë të shpejtë ia ka dalë t’i ketë tarifat. 

Në korrik të këtij viti Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit njoftoi palët dhe publikun se “Kosova Music Rights Society” ka publikuar draft-tarifat për shfrytëzimin e veprave të mbrojtura të muzikës për vitin 2026. KMRS-ja është e licencuar nga MKRS-ja në prill të këtij viti. 

“Publikimi i këtyre tarifave bëhet në përputhje me nenin 102 të Ligjit për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta. Nëse në afat prej tridhjetë (30) ditësh nga publikimi i tarifave asnjë organizatë përfaqësuese ose përfaqësues tjetër i përbashkët i autorizuar i përdoruesve të lëndës së mbrojtur me të drejtën e autorit nuk e njofton organizatën e menaxhimit kolektiv dhe Zyrën se nuk i pranon tarifat, do të konsiderohet se tarifat janë miratuar për vitin kalendarik”, shkruhej në njoftim. 

Prej atëherë KOHA ka kontaktuar me KMRS-në, por përfaqësues të saj nuk kanë treguar gatishmëri për ta zbërthyer këtë proces, para se të miratoheshin tarifat. Disa herë i kishin shtyrë takimet. Disa prej akterëve të skenës muzikore të kontaktuar asokohe nga KOHA nuk kishin njohuri për këtë proces.  E, në ceremoninë e së martës kanë qenë të pranishëm disa pjesëtarë të skenës muzikore, si: MC Kresha, Naim Abazi e Afrim Muçiqi.  

Anëtarësimi deri në 350 euro, tarifat varësisht prej xhiros

Tarifat janë miratuar. Për të përfituar nga mbrojtja kolektive e të drejtave të autorit, artistët duhet të regjistrohen ose të anëtarësohen në shoqatë. Për ata me xhiro vjetore deri në 30 mijë euro, anëtarësimi kushton 20 euro në vit, për ata me xhiro nga 30 mijë deri në 100 mijë euro në vit, anëtarësimi kushton 200 euro, kurse për ata që tejkalojnë këtë xhiro vjetore, anëtarësimi kushton 350 euro. 

Por thelbi i këtij procesi janë pagesat për transmetim muzike. 

Nëse një kafene a restorant me atmosferë muzikore ka xhiro vjetore nga 401 mijë deri në 450 mijë euro në vit, fiks 5 mijë e 260 euro do t’i paguajë për muzikë. Për koncerte e shfaqje muzikore organizatorët do të paguajnë 4 për qind të të hyrave të ngjarjes dhe kjo përqindje rritet nga viti në vit. Spektaklet e muzikës do të paguajnë 17 euro për të drejtat e autorit nëse shpenzimet e organizmit janë një mijë euro. Kjo varet edhe nga bileta e hyrjes. Kur rriten shpenzimet përshkallëzohet edhe tarifa. Te ngjarjet sportive shembulli i parë është se nëse bileta hyrëse është 5 euro dhe mblidhen 250 veta, do të paguhen 25 euro si tarifë për të drejtat e autorit. Rrjetet tregtare deri në 300 metra katrorë do të paguajnë fiks 80 euro në vit, mbi këtë sipërfaqe nga 0.10 centë për metër katror në vit. 

Kafenetë e restorantet me atmosferë muzikore do të paguajnë në bazë të xhiros vjetore. Deri në 50 mijë euro paguhen 150 euro në vit. 

Kafehanet e restorantet tradicionale do të paguajnë tarifën në bazë të banorëve që ka komuna. Shkallëzimi nis me 15 euro për 10 mijë banorë. Agjencitë e shitjeve e zyrat e tjera që ofrojnë shërbime për publikun do të tarifohen në bazë të numrit të punëtorëve. Prej 1 deri në 6 punonjës paguhet nga 60 euro në vit. Sallat e sportit do të kenë tarifë 0.40 centë për metër katrorë, kurse hapësirat e ushqimit të shpejtë, varësisht prej karrigeve që kanë për klientë. Për 10 vende, tarifa është 50 euro në vit. 

Prej krejt shumave të grumbulluara, me artistët bëhet kontratë. “Mbledhja dhe shpërndarja e të ardhurave nga tarifat e mbledhura, duke siguruar që artistët të marrin pjesën që u takon në mënyrë transparente”, shkruhet në ueb-faqen e KMRS-së. 

Në marsin e vitit 2018, Ministria e Kulturës kishte njoftuar për arritjen e marrëveshjes midis APIK dhe televizioneve e radiove. Katër kanalet e Radiotelevizionit të Kosovës do të paguanin shumën vjetore prej 30 mijë eurosh tarifë të përgjithshme për të pasur të drejtë të shfrytëzojë muzikën për transmetim. Televizionet me frekuencë kombëtare do të paguanin nga 6 mijë euro në vit tarifë, televizionet regjionale 1 mijë e 200 euro tarifë vjetore, TV-të lokale 600 euro, kanalet kabllore muzikore 2 mijë e 400 euro, kanalet e tjera kabllore 1 mijë e 800 euro, radiot nacionale 3 mijë 600 euro, ato regjionale 720 euro, radiot lokale 480 euro, TV-të dhe radiot me fuqi të ulët do të paguanin 240, respektivisht 180 euro. Në Kosovë qysh prej vitit 2012, njësoj si Shoqata e Autorëve, Prodhuesve dhe Interpretëve të Kosovës - APIK, ekziston edhe VAPIK, që ka të bëjë me menaxhimin kolektiv të të drejtave të autorit dhe të drejtave të përafërta në fushën audiovizuale.