Rrëfimi dinamik për raportet familjare, “Father Mother Sister Brother” ka rrëmbyer çmimin kryesor në edicionin e 82-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Venecia, në ceremoninë e mbajtur të shtunën mbrëma, e me të cilën ka marrë fund maratona 11-ditore e shkëlqimit të elitës hollywoodiane me autorë evropianë dhe mjeshtërit aziatikë dhe një dozë të fortë tensioni politik, me luftën izraelite në Gazë dhe thirrjet për paqe
Filmi i cili jep tri pasqyra njëkohësisht në tri anë të botës, në Dublin, në Paris e në Shtetet e Bashkuara, për marrëdhëniet e prindërve me fëmijët e tyre të rritur, është laureati i sivjetmë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Venecia. “Luani i Artë” i është dhënë filmit të gjatë artistik “Father Mother Sister Brother” të regjisorit amerikan Jim Jarmusch.
I përshkruar si një formë e një triptiku, secili prej kapitujve të filmit zhvillohet në të tashmen dhe secili është në një vend të ndryshëm.
Me syze dielli karakteristike e kostum elegant regjisori Jarmusch e pranoi çmimin.
“Si regjisorë, nuk motivohemi kurrë nga konkurrenca, por kjo është diçka që e vlerësoj vërtet”, ka thënë ai derisa ka falënderuar jurinë dhe audiencën për vlerësimin e filmit. Ceremonia është transmetuar direkt në platformat e festivalit. “Arti nuk ka nevojë t’i drejtohet drejtpërdrejt politikës për të qenë politik. Ai mund të krijojë empatinë e cila është hapi i parë drejt zgjidhjes së problemeve tona”, ka vazhduar Jarmusch.
Juria e kryesuar nga regjisori amerikan Alexander Payne ka vlerësuar që ky film të jetë më i miri i këtij edicioni të festivalit të filmit me reputacion në skenën e kinematografisë botërore.
Juria është përbërë edhe nga aktorja dhe shkrimtarja braziliane Fernanda Torres, shkrimtari i shquar iranian Mohammad Rasoulof, regjisori, shkrimtari e producenti rumun Cristian Mungiu, regjisori francez Stéphane Brizé, regjisorja italiane Maura Delpero dhe aktori e producenti kinez Zhao Tao.
Filmat që ishin në garë për “Luanin e Artë” të këtij viti ishin, ndër të tjerë, “Frankenstein” i Guillermo del Toro, “The Wizard of the Kremlin” i Olivier Assayas, “Jay Kelly” i Noah Baumbach, “The Voice of Hind Rajab” i Kaouther Ben Hania, “A House of Dynamite” i Kathryn Bigelow, “The Sun Rises on Us All” i Cai Shangjun, “The Testament of Ann Lee” i Mona Fastvold, “Bugonia” i Yorgos Lanthimos, “No Other Choice” i Park Chan-ëook, “The Smashing Machine” i Benny Safdie dhe “La Grazia” i Paolo Sorrentino.
Çmimin e Madh të Jurisë e ka marrë “The Voice of Hind Rajab” nga regjisorja Kaouther Ben Hania nga Tunizia. Pasi ka pranuar çmimin, ka thënë se “filmi ishte thirrje për shpëtim të cilin e gjithë bota mund ta dëgjonte, por askush nuk u përgjigj”.
“Ky zë do të vazhdojë të jehojë derisa të vihet në vend llogaridhënia dhe drejtësia. Kinemaja nuk mund ta kthejë atë dhe as nuk mund ta fshijë mizorinë që u krye kundër saj. Por kinemaja mund ta ruajë zërin e saj”, ka thënë ajo. Drama e bazuar në jetë reale mban fokusin tek operatorët telefonikë nga Shoqata Palestineze e Gjysmëhënës së Kuqe, të cilët mundohen t’i japin durim Hind Rajabit që është e bllokuar, teksa lutet që ta nxjerrin nga makina, në të cilën janë të vdekur halla e saj, xhaxhai dhe tre kushërinj. “Kam shumë frikë, ju lutem ejani”, thotë vajza e vogël përmes incizimeve origjinale të zërit, teksa thirrjet e saj për mëshirë shkojnë duke u shpeshtuar. Siç kishte raportuar “Reuters” pas premierës së filmit të mërkurën, filmi “The Voice of Hind Rajab” kishte marrë brohoritje të stuhishme 24-minutëshe. “Pritja që i është bërë në premierë, e bën filmin ‘The Voice of Hind Rajab’ të preferuarin e turmës për ta fituar ‘Luanin e Artë’”, kishte shkruar “Reuters”, por nuk ka ngjarë kësisoj.
“Luanin e Argjendtë” për Regjisorin më të mirë e ka marrë amerikani Benny Safdie për filmin “The Smashing Machine”. Pasi ka pranuar çmimin, e ka vlerësuar këtë moment si ëndërr të bërë realitet.
“Të jem këtu, midis gjigantëve të së kaluarës dhe gjigantëve të këtij viti, më lë pa fjalë. Filmi im është një test për empatinë radikale dhe empatia është më e rëndësishme se kurrë”, ka thënë ai.
“Volpi Cup” për Aktoren më të mirë i është dhënë Xin Zhilei për rolin e saj në filmin “The Sun Rises on Us All”.
Aktori e regjisori i teatrit Toni Servillo, ka marrë po këtë çmim si Aktori më i mirë për performancën e tij në filmin “La Grazia” të Paolo Sorrentinos. Veterani i filmit e teatrit e ka admiruar regjisorin Payne e më pas ka përmendur edhe Palestinën.

Duke pranuar çmimin për Skenarin më të mirë për filmin “At Work”, regjisorja franceze Valerie Donzelli mbajti një fjalim falënderimi në gjuhën frënge. Midis tjerash ajo e quajti çmimin si “premtim” për filmat e tjerë të radhës. Bashkëskenarist i filmit është francezi Gilles Marchand.
Çmimi për aktorin apo aktoren më të mirë në zhvillim “Marcello Mastroianni”, që mban emrin e aktorit ikonik italian, është ndarë për aktoren zvicerane Luna Welder për rolin e saj në filmin “Silent Friend” të Ildikó Enyedi.
Çmimin “Luani i së Ardhmes” e ka marrë ukrainasja Nastia Korkin për filmin “Short Summer”. Gjatë fjalimit të saj, ka kujtuar se janë bërë më shumë se një mijë ditë prej pushtimit të plotë rus të Ukrainës. Plot një mijë e 291.
“Edhe ata që nuk janë prekur direkt, prapë janë të infektuar, të prekur, sidomos kur vendosin të ikin. Shpresoj që do të mbajmë sytë të hapur dhe të gjejmë një mënyrë për të ndalur luftën. Këtë film ua dedikoj gjyshërve të mi të cilët nuk jetojnë më, por të cilët do të vazhdojnë të jetojnë nëpërmjet këtij filmi”, ka thënë ajo pasi ka pranuar çmimin.
Në ceremoninë e çmimeve kryesore, ka qenë portreti i disenjatorit të shquar në botën e modës, Giorgio Armani, i cili vdiq ditë më parë. Është nderuar me duartrokitje të gjata. Është vlerësuar si mjeshtër i arteve të bukura dhe mbi të gjitha si personalitet xhentil.
Në nderim të tij, sivjet është ndarë çmimi “Armani Beauty Audience Aeard”. Atë e ka marrë filmi “Calle Malaga” nga Maryam Touzani.
“Gëzimi që ndiej është i thellë, por e tillë është edhe dhimbja që ndiej sepse si shumë prej nesh, nuk mund ta harroj tmerrin që ndodh çdo minutë, çdo sekondë mbi popullin e Gazës, popullin e Palestinës. Ne i fshijmë lotët tanë dhe refuzojmë të humbasim anën njerëzore tonë. Politika mund të dështojë, por arti është dhe do të jetë gjithmonë një shtëpi për drejtësi, liri dhe humanitet”, është shprehur ajo ndërsa reagime janë dëgjuar nga publiku në lidhje me fjalimin e saj.
Çmimi “Luani i Artë” për arritje jetësore i është ndarë filmbërësit, aktorit, e regjisorit operistik gjerman, Werner Herzog, i cili mori pjesë në festival me filmin e tij më të ri “Ghost Eleplants” si dhe filmbërësit e piktorit amerikan, Julian Schnabel, filmi i të cilit – “In the hand of Dante” – po ashtu u shfaq në kuadër të programit të Festivalit, jashtë garës.
Vitin e kaluar, spanjolli Pedro Almodóvar mori “Luanin e Artë” për filmin “The Room Next Door”, Brady Corbet mori “Luanin e Argjendtë” për Regjisorin më të mirë për punën e tij në filmin “The Brutalist dhe Nicole Kidman fitoi “Volpi Cup” për Aktoren më të mirë.
Çmime janë ndarë gjithashtu në kuadër të kategorive “Orizzonti”, “Venice Immersive” dhe “Venice Classics”. Në të parën, Filmi më i mirë është zgjedhur “On the road” nga David Pablos. Regjisori më i mirë është zgjedhur Anuparna Roy për filmin “Songs of Forgotten Trees”. Në fjalimin e saj emocional ka bërë thirrje për solidaritet kundër “ngjarjeve katastrofike në Palestinë”. Ka thënë se “...çdo fëmijë meriton paqe, liri dhe çlirim dhe Palestina nuk bën përjashtim në këtë rreth”.
Çmim special nga juria mori filmi “Lost Land” nën regji të Akio Fujimoto.
Aktorja më e mirë në këtë kategori u shpall Benedetta Porcaroli për rolin në filmin “The Kidnapping of Arabella” ndërsa Aktori më i mirë për Giacomo Covi për rolin në filmin “A Year of School”. Çmimin për Skenarin më të mirë e mori Ana Cristina Barragan për filmin “The Ivy”. Duke pranuar çmimin ka kujtuar luftën në Gazë dhe fjalimin e pranimit të çmimit e ka nisur me “Liri Palestinës!” në gjuhën spanjolle. Filmi më i mirë i shkurtër në këtë kategori u vlerësua “Without Kelly” nga Lovisa Siren.
Në kuadër të kategorisë “Venice Classics” janë ndarë dy çmime: Dokumentari më i mirë është vlerësuar “Mata Hari” nën regji të Joe Beshenkovsky dhe James A. Smith ndërsa Filmi më i mirë i restauruar është zgjedhur “Bashu, The Little Stranger” nga Bahram Beyzale.
Në kuadër të “Venice Immersive”, çmimi kryesor u dha për filmin “The Clouds are Two Thousand Meters Up” nga Singing Chen.
Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Venecia, i mbajtur çdo vit në Ishullin Lido, që nga viti 1932, ende mban primatin e një ngjarjeje historike e plot prestigj. Në skenën e këtij festivali kufijtë e rrëfimit të ndërthurur me shprehjen kinematografike janë tregues e shpesh edhe përcaktues të vazhdueshëm të formësimit të peizazhit global të filmit.
Shpeshherë i atribuohet titulli i festivalit i cili e hap sezonin e festivaleve botërore, e filmat që marrin vlerësime në të, shihen si favoritë për çmimet “Oscar”.
Ceremonia u prezantua nga aktorja italiane Emanuela Fanelli. E Festivali mbylli rrugëtimin e 82-të kinematografik me premierën e filmit “Chien 51” të Cedric Jimenez.