Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Fazil Say: Natyra po vdes, artisti duhet të japë mesazhe

Fazil Say

Fazil Say: Koncerti im pianistik nuk është një protestë, por një vepër alarmuese që jep mesazhin: Të kini kujdes!

“Mendoj dhe besoj se artistët duhet të realizojnë vepra artistike që japin mesazhe me aq sa mundemi. Mesazhe për politikanët e audiencat. Muzika në këtë rast ka mesazh dhe rrëfen këtë situatë alarmante të tokës që, nëse nuk kujdesemi, natyra do të vdesë. Pra, kjo është filozofia e sotme e mendimit. Arti dhe ky koncert pianistik mund të jenë ndihmesë e madhe për këtë”, thotë pianisti e kompozitori i njohur turk, Fazil Say, të cilin vepra e tij botërore “Mother Earth” e ka sjellë për herë të parë edhe në Kosovë, për koncertin që do të mbahet të mërkurën mbrëma me Filharmoninë e Kosovës në përmbyllje të “Chopin Piano Festit”

Natyra e tij imponuese duket se bartet te krijimet e po ashtu tek interpretimi. Pianisti e kompozitori me nam, Fazil Say, të martën ka dhënë këshilla për dirigjentin Aurélien Azan Zielinski, e po ashtu për anëtarët e Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës derisa janë mbajtur prova për interpretimin e veprës së tij “Mother Earth” për piano dhe orkestër. Vetë ai  është solist në piano. Vazhdimisht ka kërkuar që ngjyrimet e tij specifike,  të jenë kuptimplota. 

Një ditë para koncertit që mbahet nga Orkestra e Filharmonisë së Kosovës në bashkëpunim me “Chopin Piano Fest Prishtina”, Say ka qenë i qetë në prova, por tejet imponues. Nga ajo që është parë, ai ka një natyrë ku mbërthehet njëfarë vrazhdësie qetësisht imponuese. Kjo deri diku shfaqet edhe te vepra e tij, “Mother Earth”.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Fazil Say (56) më 2024 i ka sjellë skenës muzikore një vepër që ka në qendër të vëmendjes natyrën. “Mother Earth”, si koncert për piano dhe orkestër, në rreth 30 minuta është një thirrje për zgjim në raport me ndryshimet klimatike. 

Artisti sikur kumbon se është koha e fundit për të ndalur shkatërrimin e natyrës. Me të hyrë në një sallë private në periferi të kryeqytetit të martën – pasi Filharmonia e Kosovës është varfanjake me ambiente e bredharake si qiraxhi – cicërimat e shpendëve vijnë si njëfarë elegjie. Say, i ulur në piano, luan e nganjëherë ndalet. Jep instruksionet e veta për Orkestrën. E ka interpretuar në vende të ndryshme deri në Osaka të Japonisë. Është aso krijuesi kalendarit të të cilit s’i shihet fundi sa u përket koncerteve. Ai e ngjall tokën e biodiversitetin nëpërmjet “Mother Earth”, por njëkohësisht tregon se natyra po vdes. 

Biografia e tij shkruhet me çmimet më të rëndësishme si pianist, telashet me shtetin amë, Turqinë, krijimet që sot bëjnë xhiro gjithandej globit dhe çdo sukses që mund të ketë një muzikant elitar.

“Është hera ime e parë që luaj këtu në Prishtinë me Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës dhe me maestro Zielinskin. Për këtë takim të parë me audiencën e këtushme kam të shkruar veprën time koncertale, pra vepër të re që titullohet ‘Mother Earth’. Është një vepër për krizën klimatike”, thotë Say për KOHËN pak minuta pas provës që ka zgjatur rreth dy orë. Me vete ka stafin, midis tyre edhe agjentin që ndërmjetëson çdo komunikim me të. Orkestrës vazhdimisht i ka kërkuar më shumë natyrshmëri dhe muzikalitet. Një tipar që përmendet vazhdimisht nga kritika është aftësia e tij për t’i dhënë muzikës një karakter dramatik dhe personal. Duket se sidomos këtë vepër sikur e ka diçka që s’do t’i devijojë asnjë ngjyrim. Është marrë personalisht duke këshilluar simulimin e lëvizjeve të dheut pasi vepra prek edhe tërmetin.

“Jemi në vijën e kuqe të problemeve klimatike me shuarje të pyjeve, me më pak ujë në lumenj e më pak të reshura dhe me stinët që po ndryshojnë. Kjo është situatë vërtet alarmuese”, thotë ai derisa flet për veprën e tij ku përdoren mjete të drejtpërdrejta për të përshkruar natyrën: goditje të fuqishme të perkusioneve për të evokuar tërmete, tinguj zogjsh dhe efekte që sugjerojnë erën e dallgët. Përderisa frymorëve u ka kërkuar tingull më të fortë, Say mendon se artistët duhet të japin mesazhe domethënëse.

“Mendoj dhe besoj se artistët duhet të realizojnë vepra artistike që japin mesazhe me aq sa mundemi. Mesazhe për politikanët e audiencat. Muzika në këtë rast ka mesazh dhe rrëfen këtë situatë alarmante të tokës që, nëse nuk kujdesemi, natyra do të vdesë. Pra kjo është filozofia e sotme e mendimit. Arti dhe ky koncert pianistik mund të jenë ndihmesë e madhe për këtë”, ka thënë Say, i cili në Prishtinë, sipas programit, do të interpretojë katër nga shtatë kohët e veprës. Vepra e tij – ku bukuria e natyrës bashkë me rrezikun në të cilin ajo ndodhet, vijnë tek audienca me një mprehtësi mjeshtërore të muzikantit –  s’ka veç simbolika të fuqishme. Ajo ka prekur thellë audiencat ngado që është luajtur. Vetë kompozitori i përmend edhe politikanët kur flet për mesazhet. E, me politikën s’është se i ka shkuar aq mirë puna.

Në Turqi për një kohë jo të shkurtër s’ka qenë fort rehat. Reagimet e tij për mungesën e lirisë krijuese e cenimin e sekularizmit e kanë bërë të vetën. Më 2012 u akuzua për “fyerje të vlerave fetare” pas disa qëndrimeve publike asokohe në “Twitter”, ku kishte shpërndarë vargje të poetit persian, Omar Khayyam, dhe komente satirike mbi fenë. Madje më 2013 ai u dënua me 10 muaj burg me kusht. Rasti shkaktoi reagime të forta ndërkombëtare, pasi shumë organizata për të drejtat e njeriut e panë si cenim të lirisë së shprehjes. Më vonë, gjykatat turke e rrëzuan dënimin dhe ai u shpall i pafajshëm. Megjithatë, procesi e ktheu atë në një simbol të debatit për lirinë artistike në Turqi. Administrata turke, edhe në nivel të ambasadave, s’e duronte fort. Por tash gjërat kanë ndryshuar. Turqia, të paktën publikisht, është krenare me të. Duket sikur të dyja palët kanë lëshuar “pe” nga pak.

“Problemet klimatike në Turqi tregojnë se çdo vit humbim pyje dhe miliona drurë po vdesin. Në disa qytete s’ka më ujë dhe ky është një problem i madh në Turqi. Koncerti im pianistik nuk është një protestë, por një vepër alarmuese që jep mesazhin: Të kini kujdes”, thotë Say në ata pak minuta të rezervuar për të folur për një media vendore. Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës e ka përshkruar si të mrekullueshme. Madje edhe për një arsye të veçantë.

Fazil Say në prova me Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës, të martën, një ditë para koncertit në Prishtinë 
 

“Më pëlqen puna që bëjmë bashkë. Ata, si shpirt ballkanik, e kuptojnë muzikën time shumë mirë”, thotë ai derisa ngrihet nga stoli i pianos për t’u çlodhur pas provave që mbahen para koncertit të së mërkurës.

E dirigjenti Aurélien Azan Zielinski vazhdon punën me Filharmoninë pasi në koncert do të interpretohet edhe “Simfonia Nr. 5 Op. 47” e Dimitri Shostakovich, që është një prej veprave me nam të këtij kompozitori.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Filharmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj, tregon se Fazil Say është një prej emrave me të cilët Filharmonia ka pasur komunikim vite më parë për një koncert të mundshëm, por rrethanat e kishin pamundësuar.

“Por këtë vit, kur u kthye ideja për ta ftuar në kuadër të ‘Chopin Fest Prishtina’, normalisht që menjëherë jam intriguar për ta rikthyer mundësinë e ardhjes së tij në Kosovë, punën e tij me Filharmoninë e Kosovës dhe interpretimin e një prej veprave të tij që aktualisht është në një turne duke u interpretuar nga orkestra të ndryshme”, thotë Selimaj. Sipas tij, është privilegj të koncertohet me emra të kalibrit të tillë.

“Natyrisht është shumë e vështirë që projekte të tilla të jetësohen në Prishtinë për shkak të hapësirës, ballafaqimi me probleme të cilat vazhdojnë ta shoqërojnë Filharmoninë në çdo hap të saj. Por puna e madhe, durimi i Orkestrës, puna e Orkestrës për të bërë të mundshme diçka që ka përmasa dhe peshë të tillë në kohën kur lufta është në mënyrë konsistente, që diçka e tillë të shkojë siç duhet, është vërtet për t’u admiruar pasi e ndiej në çdo moment vështirësitë me të cilat ballafaqohet Orkestra dhe s’është e lehtë të punohet në rrethanat në të cilat punon Filharmonia e Kosovës”, thotë Selimaj.
Nga prova e mbajtur Fazil Say ia sjell ritmet e muzikës që aktualisht i luan gjithandej globit. I lindur në Ankara, ai studioi në Shkollën e Muzikës “Robert Schumann” në Düsseldorf. Më pas, Fazil Say vazhdoi studimet në Konservatorin e Berlinit prej vitit 1992 deri në vitin 1995. Kompozoi veprën “Black Hymns” në moshën gjashtëmbëdhjetëvjeçare. Karriera e tij mori një hov të mëtejshëm pasi mori çmimin e parë në konkursin ndërkombëtar “Young Concert Artists International Auditions” në New York dhe prej asaj kohe ka një mesatare me më shumë se 100 koncerte në vit. Kësaj radhe pianoja koncertale me vlerë rreth 200 mijë euro është marrë me qira në Vjenë për të interpretuar maestroja, i cili shquhet edhe për qasje subjektive dhe emocionale mbi elegancën tradicionale dhe ekuilibrin klasik edhe kur luan vepra të kompozitorëve të tjerë. E, në Prishtinë ai vjen si versioni më origjinal i vetvetes duke qenë krijues dhe interpretues. E mesazhin e ka ekzistencial.