Kulturë

“Exil” me rrëfimin e inxhinierit nga Kosova edhe në “Berlinale”

Prishtinë, 18 dhjetor – “Exil” i Visar Morinës s’e ka ndërmend ta përmbyllë vitin pa një tjetër sukses. Pas lajmit se do të jepet premierë botërore në festivalin prestigjioz amerikan “Sundance Film Festival”, është një tjetër i kësaj kategorie që do të ketë premierë evropiane. Bëhet fjalë për “Berlinalen”. Me këtë film Morina rikthehet në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Berlin pas tre vjetësh. Aty më 2016 do të shfaqej “Babai”, filmi debutues i tij i metrazhit të gjatë.

Suksesi i ka ardhur regjisorit furishëm duke e dyfishuar atë. Trembëdhjetë ditë më parë arriti që të siguronte premierën botërore në “Sundance Film Festival”, i cili do të mbahet prej 26 janarit deri më 2 shkurt. Aty do të jetë në garë. Në “Berlinale” do të jetë kuadër i kategorisë “Panorama”. Edhe lajmin për stacionin e radhës të “Exil” regjisori e ka marrë në vrullin e punës për finalizimin e filmit.

“Terrene të (pa) zakonta” është përshkrimi që selektori Michael Stutz ia ka bërë konceptit të filmave që janë pjesë e programit “Panorama” në edicionin e 70-të të Festivalit të Filmit në Berlin. Për të njëjtit ka thënë se ofrojnë një pikëpamje pluraliste për migrimin. E historia e një emigranti nga Kosova do të jetë pjesë e 18 filmave, historitë e të cilëve do të shfaqen në festivalin prestigjioz që do të mbahet nga 7 deri më 17 shkurt. Mishërim i një gjenerate në lindje të kineastëve kokëfortë, i ka përshkruar disa filma të programit austriaku Stutz.

“Exil”, i dyti i metrazhit të gjatë për Morinën, për të cilin ka shkruar edhe skenarin, shpalos rrëfimin për Xhaferin, një inxhinier i kimisë me origjinë nga Kosova, i cili ndihet i diskriminuar dhe i ngacmuar në vendin e punës, gjë që e zhyt atë në krizë të identitetit. Morina, i cili kishte shkuar në Gjermani para 26 vjetësh, për gazetën ka thënë se është në presion të punës dhe duke punuar që ta përfundojnë filmin në kohë për premierë.

Morina e ka nisur me hapa të mbarë rrugëtimin e “Exilit” që vjen katër vjet pas “Babait”, me të cilin mblodhi mbi 15 çmime në festivale ndërkombëtare.

“Është lajm fantastik dhe shumë i mirë për të gjithë. Unë besoj që ky film nuk do të ndalet me kaq, por do të ketë rrugëtim të gjatë në shumë festivale. Jam shumë i lumtur që jam pjesë e këtij filmi”, ka thënë Astrit Kabashi, të cilit në filmin “Babai” ia kishte besuar rolin kryesor, babait Gëzimit e atë të Nolit, të birit, aktorit të ri Val Maloku.

Morina për filmin e tij 110-minutësh, përveç Kabashit ka në kastë emra të njohur aktorësh, si aktoren gjermane Sandra Hüller, fituese e Çmimit aktorja më e mirë në “Berlin Film Festival” në vitin 2006, me rolin e saj në filmin “Requiem”, aktorin gjerman me prejardhje kroate, Mishel Matiçeviq, e ata shqiptarë, Valentina Dubovci, Flonja Kodheli, Getuart Hajrizaj, Ameli Kabashi e të tjerë.

I bindur se “Exil” do të ketë shumë sukses është edhe Yll Uka, producenti kosovar i filmit.

(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)