Organizatorët e Garës Evropiane të Këngës “Eurovision” kanë njoftuar se planifikojnë të ndryshojnë sistemin e votimit të garës më të famshme muzikore në Evropë për të siguruar drejtësi, lëvizje kjo që vjen pas pretendimeve për ndërhyrje nga qeveria e Izraelit.
Unioni Evropian i Transmetuesve që organizon garën ka bërë të ditur të premten se ndryshimet janë bërë “me qëllim për të forcuar besimin, transparencën por edhe angazhimin e audiencës”.
Izraeli ka garuar në “Eurovision” për më shumë se 50 vjet dhe e ka fituar katër herë. Por thirrjet që Izraeli të përjashtohet u shtuan pas nisjes së luftës ndaj Hamasit në Gazë. Pretendimet që qeveria e Izraelit ka ndërhyrë i frynë edhe më shumë debatit.
Në shtator, transmetuesi publik holandez AVROTROS – duke cituar vuajtjet e njerëzve nga lufta në Gazë – pati thënë se nuk mund ta justifikojë më gjatë pjesëmarrjen e Izraelit në garë. Edhe shtete të tjera shprehën të njëjtin qëndrim. Transmetuesi holandez vazhdoi duke thënë se “ka prova të ndërhyrjes nga qeveria e Izraelit gjatë edicionit të fundit të garës, dhe se ngjarja ishte përdorur si instrument politik”. Deklarata nuk pati dhënë hollësi.
Në të njëjtin muaj, Golan Yochpaz, shefi ekzekutiv i transmetuesit publik të Izraelit, Kan, pati thënë se “nuk ka arsye përse të mos jenë pjesë e rëndësishme e ngjarjes kulturore, që nuk duhet të bëhet politike”.
Kan po ashtu pati thënë atë kohë se ishte i bindur që EBU-ja “do të vazhdojë të ruajë karakterin apolitik, profesional e kulturor të garës, sidomos në prag të edicionit jubilar të 70-të të ‘Eurovisionit’” vitin e ardhshëm.
Si pjesë e masave të reja të “Eurovisionit”, në garën e edicionit të ardhshëm – që pritet të mbahet në maj në Vjenë – numri i votave për metodën me pagesë do të përgjysmohet. Pra tash shikuesit mund të votojnë deri në 10 herë, sipas EBU-së.
Pos kësaj, juritë profesionale do të rikthehen në gjysmëfinale për herë të parë që prej vitit 2022 – lëvizja mundëson ndarjen e peshës së votës mes audiencës dhe jurisë në raportin 50:50.
Organizatorët kanë thënë po ashtu se do t’i forcojnë masat mbrojtëse për të penguar aktivitete të dyshimta ose të koordinuar të votimit dhe do të forcojnë sistemet e sigurisë që monitorojnë, zbulojnë ose parandalojnë modele mashtruese.
Drejtori i garës, Martin Green, ka thënë se neutraliteti dhe integriteti i garës është i rëndësisë së madhe për EBU-në, anëtarët e saj dhe audiencën, duke shtuar se ngjarja “duhet të mbetet hapësirë neutrale dhe nuk duhet të instrumentalizohet”.
Asambleja e përgjithshme e EBU-së më 4-5 dhjetor pritet të shqyrtojë nëse Izraeli mund të marrë pjesë në garën e vitit të ardhshëm. Votimi për pjesëmarrje do të ndodhë nëse transmetuesit anëtarë vendosin se hapat e rinj janë “të pamjaftueshëm”, ka thënë Green.