Koncerti me titull “Voices in Resonance” ka qenë gërshetim i libretit të këngës operistike botërore dhe vargjeve të bukura të këngës shqipe. Me dyshen e këngëtarëve, sopranon Adelina Paloja-dhe tenorin Ismet Vejseli, në përcjellje me piano nga Shkelzen Baftiari, repertori ka përmbledhur këngën e bukur e delikate. Në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare në Prishtinë, të dielën në një ditë përplot dinamikë për vendin, publiku pati fatin që atë ta përmbyllë me ritme e vargje të bukura të muzikës klasike
Secili koncert në Festivalin ndërkombëtar të muzikës kamertale “KamerFest” është unik më vetvete. Kapitulli i radhës – koncerti me titull “Voices in Resonance” – ka qenë gërshetim i libretit të këngës operistike botërore dhe vargjeve të bukura të këngës shqipe. Me dyshen e këngëtarëve, sopranon Adelina Paloja-dhe tenorin Ismet Vejseli, në përcjellje me piano nga Shkelzen Baftiari, repertori ka përmbledhur këngën e bukur e delikate.
Në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare në Prishtinë, në një ditë të jashtëzakonshme për vendin e përplot dinamikë, publiku pati fatin që atë ta përmbyllë me ritme e vargje të bukura të muzikës klasike. Trioja e koncertit të së dielës ka interpretuar vepra të çmuara të repertorit botëror klasik e atë vendor, përfshirë edhe këngë popullore.
Koncerti të dielën mbrëma ka nisur me këngën “Song to the moon” nga opera “Rusalka” e Antonin Dvorakut, e cila ka qenë tejet e bukur, e ndjeshme dhe delikate në interpretim të sopranos Paloja. Ajo ka kënduar edhe “Io son l’umile ancella” nga opera “Adriana Lecouvreur” e Francesco Cilea, e cila ka qenë thellësisht e ndjeshme ndërsa tejet harmonike ka qenë aria “Chi il bel sogno di Doretta” nga “La Rondine” e Puccinit.
Energjia tejet pozitive dhe admirimi për vetveten ka ardhur nëpërmjet këngës “I feel pretty” nga “West Side Story” ndërsa në duet me tenorin Ismet Vejseli ka interpretuar këngën tradicionale “Kur perëndon dielli”, “Brindisi, Libiano” nga opera “La Traviata” e Verdit si dhe arien “Dashuria dhe liria” nga “Goca e Kaçanikut” e Rauf Dhomit. Pikërisht në këtë dyshja ishin protagonistë të projektit me të cilin u shënua njëri prej momenteve historike të muzikës klasike shqiptare.
Paloja e Vejseli kanë qenë personazhet kryesore në veprën për të cilën janë dashur mbi gjysmë shekulli prejse u shkrua e 45 vjet prejse u inskenua në Tiranë. U inskenua në shkurt të vitit të kaluar nga një institucion pa shtëpi. Rrëfimi që sjell ka për kryefjalë dashurinë për atdheun. Sfidat për ta sjellë një operë në skenë janë dashuria për artin. E një pjesë e këtij rrëfimi ka ardhur me arien “Dashuria dhe liria” në “KamerFest”.
Sopranoja Paloja për herë të parë ka interpretuar në “KamerFest”.
“E kam vlerësuar iniciativën e profesoreshës Sihana Baivuku për ta krijuar festivalin ‘KamerFest’. Edhe pse ka shumë vite që jam në skenë, për mua është hera e parë që jam pjesë e këtij festivali. Pse pikërisht me këta dy artistë? Ideja ka ardhur në mënyrë që ta bëjmë këtë bashkimin midis Kosovës e Maqedonisë së Veriut, pasi edhe profesoresha Sihana Badivuku punon ndërmjet. Pikërisht me Ismetin kemi qenë të dy protagonistë në ‘Gocën e Kaçanikut’ dhe kjo ka qenë si një lloj vijimi i gjithë atij bashkëpunimi që kemi pasur”, është shprehur ajo.
Ka thënë se me këtë koncert janë përcjellë mesazhe për unitet e për të festuar me art.
“Me Shkëlzen Baftiarin ka qenë një përvojë e mirë të bashkëpunojmë. Janë dy artistë të çmuar dhe e falënderoj publikun i cili ka qenë i pranishëm sonte, megjithëse nuk është një ditë e zakonshme. Natyrisht, është një sakrificë për faktin se shumica e audiencës ose janë nga qytetet tjera, ose duke përcjellë rezultatet e zgjedhjeve dhe e determinon në një formë të ardhmen e qyteteve të Kosovës. Por mendoj se me këtë koncert e dhamë mesazhin për unitet, të festojmë me art, për një Kosovë me ditë të ndritura”, ka thënë sopranoja Paloja më tej.
Si solist, tenori Ismet Vejseli ka interpretuar “Adelaide” nga Beethoveni, e cila ka qenë harmonike e me plot humoreskë si dhe arien “La fleur que tu m’avais jetee” nga opera “Carmen” e Georges Bizet e cila ka qenë si serenatë dashurie që shpërthen në vuajtje dhe mbyllet me shprehje dashurie. Po kësaj vepre i është referuar duke thënë se repertori ka qenë goxha sfidues.
“Kam kënduar arie shumë të vështira që s’i kam kënduar askund tjetër. Kjo është hera e parë që i këndoj, për shembull, pjesa nga Bizet. E kam kënduar edhe në operën ‘Carmen’ të Bizet me Operën e Kosovës dhe aty jam inspiruar. Adelina pati shumë arie të vështira dhe të rëndësishme për soprano, kështu që mendoj se ka qenë program shumë sfidues”, ka thënë tenori Vejseli.
E ka theksuar përfshirjen e këngës shqipe në program si nevojë e domosdoshme për ta kultivuar atë.
“Programin e kemi vendosur së bashku me sopranon Adelina Paloja. Jemi munduar të marrim muzikë botërore, por edhe shqipe, për shkak se shohim se ka mungesë në secilin koncert. Ka shumë pak muzikë shqipe dhe mendoj se ne si shqiptarë që performojmë në këto skena dhe festivale duhet të jemi duke punuar në këtë aspekt. Kështu që programi ka qenë i larmishëm dhe në fund kemi përfunduar me ‘Libiamo’ nga ‘La Traviata’ dhe tregon që ne jemi këngëtarë operistikë”, ka thënë Vejseli më tej.
Ai ka kënduar edhe “La danza” nga Ciachino Rossini dhe “I love piano” nga Irving Berlin e cila ka qenë tejet atraktive dhe e përshtatur për lojën në piano të pianistit Baftiari. E ky i fundit ka interpretuar si solist një pjesë nga Claude Debussy.
Jo i paktë ka qenë publiku në sallë, i cili e ka duartrokitur fort në fund të koncertit treshen e interpretuesve të dielën mbrëma. Këngëtarja Shpresa Gashi ka vlerësuar performancën e tyre, duke e krahasuar atë me kushtet në sallë.
“Mburrem me kastën e re të këngëtarëve, sidomos me sopranot që kemi, por njëkohësisht edhe më dhimbsen. Është e paimagjinueshme që këta zëra kulmorë të këndojnë në këso sallash. Qe 50 vjet po presim. Edhe e ndjera Nexhmije Pagarusha priste vazhdimisht, insistonte. Asnjë qeveri nuk arriti ta bëj një sallë dinjitoze për këta këngëtarë që janë vërtetë profesionistë. Për mua, një këngëtare siç ishte sonte, të nxjerr ‘pianissimo’ nga një zë akut, ajo është kulmi. Aty është profesionizmi i këngëtarit”, është shprehur ajo.