Ylli botëror Dua Lipa, të martën ka ateruar në Prishtinë. Ajo është kryefjala e edicionit të sivjetmë të “Sunny Hill Festval” i cili tashmë numëron së prapthi. Do ta pushtojë skenën në natën e parë më 1 gusht.
Disa ditë para ardhjes në Kosovë, ajo ka thënë se ky do të jetë edicioni më i madh i festivalit.
“Jam e lumtur që do vij në shtëpinë time, në Prishtinë javën e ardhshme. Ky do të jetë edicioni më i madh. Jam shumë krenare se sa shumë është rritur. Mezi pres t’iu shoh të gjithëve. Ju dua shumë”, ka thënë ajo në një video.
Shawn Mendes, Headie One, Anyma, MYGAL b2b Edgar Kerri, TSHA, Cil, Sienna Spiro, Tommy Gold, Peggy Gou, Skream, Fatboy Slim, Bookie, Sugar Rush, Mochakk, Artssassin, Ledri, Yanina, Pint, Tayna dhe shumë të tjera, janë disa prej emrave që sjell sivjet “Sunny Hill Festival” për tre net.
“Sunny Hill” tashmë ka epitetin e festivalit më të madh në këto anë të Evropës. Ylli botëror i popit, Dua Lipa është në turin e saj botëror “Radical Optimism” dhe nga Kosova turneu do të vazhdojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e më pas në atë që njihet si Amerika Latine. Në edicionin e sivjetmë të “Sunny Hill Festival” Lipa pritet të elektrizojë skenën e madhe të premten. Me 62 metra gjerësi e mbi 30 metra thellësi dhe 18 metra lartësi skena kryesore e Festivalit do të jetë nikoqire e Lipës, Shawn Mendes, Headie One, Anyma, MYGAL b2b Edgar Kerri, TSHA, Cil, Sienna Spiro, Ledri, Yanina, Pint, Tayna, Era dhe Kidës.
Dua Lipa në turin më të madh të karrierës së saj sa i përket Evropës Juglindore do të ndalet vetëm në Prishtinë.
“Training season”, “End of an era”, “Break my heart”, “One kiss”, “Levitating” “Illusion”, “Falling forever”, “Love again”, “Be the one”, “New Rules”, “Don’t start now”, “Dance that night” e “Houdini” janë prej hiteve që ylli botëror nga Kosova do të performojë edhe në “Sunny Hill” në Bërnicë të Epërme.
Hapësira ku festivali mbahet prej vitit të kaluar, sivjet do të ketë edhe dy skena të tjera. “C4” është 34 metra e gjerë e mbi 20 metra thellësi dhe 13 metra e lartë. Organizatorët kanë thënë se e kanë dizajnuar për artistët që sjellin energji alternative dhe eksperimentale duke u mbajtur nën ritme të muzikës deri në orët e para të mëngjesit.
Tommy Gold, Peggy Gou, Skream, Fatboy Slim, Bookie, Sugar Rush, Mochakk, Artssassin janë artistët që këtë edicion do të performojnë në këtë skenë. Ndërsa “The next stage” është menduar për artistët e rinj dhe publik që kërkon tjetër ndjesi alternative nga ”Sunny Hill Festival”. Hapësira prej afro 17 hektarësh në fshatin në periferi të Prishtinës ka mundësuar që “Sunny Hill” pos artistëve me nam botëror të ketë edhe alamet hapësire për mbajtjen e ngjarjes së madhe.
Vitin e kaluar personazhe qendrore qenë Bebe Rexha, Burna Boy, Stormzy e DJ Snake, derisa figura qendrore në skenën C4 – DJ me nam në botë “Black Coffee”. Të gjata kanë qenë katër netët e fundit në Prishtinë, ku për adhuruesit e muzikës dhe yjtë botërorë të muzikës, dielli ka lindur dhe perënduar me “Sunny Hill Festival”. Elektrizuese ishte finalja në Bërnicë të Poshtme, me DJ Snake deri në orët e para të mëngjesit. Ky ka qenë edicioni i katërt i festivalit, dhe i pari në shtëpinë e vet.
Kurse edicioni i pestë, nuk e ka Dua Lipën si spektatore. Por ajo është kryefjala që do të sjellë ndjesinë e skenave botërore në Kosovë.