Për herë të parë prejse u fut nën mbrojtje pesë vjet më parë, Qendra Historike e Prishtinës synon të bëhet me Plan të Konservimit dhe Menaxhimit të Integruar. Një prej pikave të planit ia zgjeron kufijtë e saj që shpeshherë ishin kontestuar veçmas në përplasjen midis Komunës së Prishtinës dhe Ministrisë së Kulturës për sheshin “Xhorxh Bush”. Sipas këtij draft-dokumenti, QHP-ja ka tetë zona konservimi, në letër duket si aset me potencial të lartë, por qysh në hartimin e një dokumenti si ky kanë lindur telashet dhe akuzat për mungesë profesionalizmi
Kufijtë e Qendrës Historike të Prishtinës, përfshirë zonën e mbrojtur në kuadër të kësaj qendre, sidomos vitin e kaluar, janë përmendur shpesh shkaku i përplasjeve për projektin në sheshin “Xhoxh Bush”. Me draftin e Planit të Konservimit dhe Menaxhimit të Integruar të Qendrës Historike të Prishtinës, kufijtë e zonës së mbrojtur zgjerohen dhe përthekojnë edhe katedralen “Nëna Terezë”. Dokumenti për të cilin ka afat edhe sot (e enjte) të dërgohen komente nëpërmjet Platformës shtetërore të konsultimeve publike, në 359 faqe rrumbullakon historikun e QHP-së bashkë me gjendjen aktuale dhe planet për të ardhmen. Komentet – të paktën ato publike – s’janë krejtësisht në vijë me hartimin që ka bërë grupi punues, përderisa ka raste kur qysh në fillim të procesit janë tërhequr anëtarë shkaku se, sipas tyre, ka munguar qasja serioze e profesionale.
Bartëse e hartimit të planit është Ministria e Kulturës e ndihmuar nga UN-Habitat në Kosovë dhe ekipet punuese kanë përfshirë edhe Komunën e Prishtinës, Ministrinë e Mjedisit, Këshillin e Kosovës për Trashëgimi Kulturore dhe një organizatë të shoqërisë civile.
Sipas Planit, Qendra Historike e Prishtinës është përcaktuar në tërësinë e saj si zonë konservuese, por për shkak të rëndësisë historike, shkallës së transformimit dhe kufizimeve ligjore është ndarë në 8 zona konservuese me kushte dhe rregulla përkatëse. Sipas Planit, të gjitha zonat në Qendrën Historike do të kenë statusin e zonave konservuese, por dallimet në konsistencën me strukturën urbane, kontributin, integritetin arkitektonik dhe nivelin e transformimeve të pësuara ndër vite, do të përcaktojnë rregulla dhe kushte të personalizuara për secilën zonë.
“Parametrat kryesorë të kategorizimit dhe ndarjes së tyre përfshijnë: Rëndësinë historike: Disa zona karakterizohen me përmbajtje më të lartë të aseteve të trashëgimisë kulturore dhe ruajtje më të mirë të autenticitetit (tipologjitë, vëllimet, rrugët organike, parcelat, lartësitë)”, shkruhet në Plan. Më pas tregohet se janë marrë parasysh edhe shkalla e transformimit e parametrat ligjorë.
“Zona brenda perimetrit të Qendrës Historike të Prishtinës është e ndarë në 8 zona konservimi, së bashku me Parkun e Qytetit si zonë e veçantë, të cilat dallojnë mes vete për nga rëndësia historike, prania e aseteve të trashëgimisë kulturore dhe shkalla e transformimit të strukturës urbane”, shkruhet në Plan.
Kurse ndarja e zonave në kuadër të Zonës Mbrojtëse të Qendrës Historike të Prishtinës ndahet në Zonat për rimodelim, Korridoret urbane, Zonat për konsolidim dhe Zonat për zhvillime me interes publik.
Zona e parë e konservimit, sipas Planit, përfshin 25 asete të trashëgimisë kulturore, të kategorisë profane, sakrale dhe utilitare, midis tyre Muzeun Kombëtar të Kosovës, Xhaminë e Gurit, Xhaminë e Jashar Pashës, Xhaminë e Mbretit, Hamamin e Madh, Shkollën e parë shqipe, shtëpi banimi dhe ndërtesa të tjera me vlerë arkitektonike dhe historike. Të gjitha këto kontribuojnë në vlerën kulturore dhe identitetin urban të zonës. Rëndësia e konservimit llogaritet shumë e lartë.
“Ndërhyrjet në këtë zonë do të jenë të orientuara drejt mbrojtjes dhe përmirësimit të tipareve dhe veçorive të zonës, duke përfshirë ruajtjen e karakterit historik dhe strukturës urbane, ruajtjen dhe mbrojtjen e aseteve të trashëgimisë kulturore dhe ndërtesave të tjera me vlera arkitektonike, pa ndryshime në volum dhe lartësi, mbrojtjen e tipareve të peizazhit historik urban, ngritjen e cilësisë së hapësirave publike dhe zbutjen e efekteve të ndërhyrjeve në kontrast me kontekstin urban, si ndërtesat bashkëkohore ose shfrytëzime që mund të jenë në kundërshtim me karakterin historik të zonës”, shkruhet në Plan. Jepen të dhëna goxha specifike për ndërhyrjet, përshirë konservimin deri te dukja e fasadave dhe çative.
Te Zona e dytë e konservimit, e cila preket nga rruga “Agim Ramadani”, konstatohet se rritja e lartësisë së ndërtimeve ka sjellë një ndryshim të ndjeshëm në volumet e ndërtesave, të cilat tani kanë një shkëputje më të madhe, duke reduktuar hapësirat e lira ndërmjet ndërtesave.
“Në ndërtimet e reja, përveç fasadave me suva të bardhë ose gri, dominojnë edhe panele alumini ose xhami, duke krijuar një kontrast të fortë me materialet tradicionale. Ballkonet e mëdha dhe dritaret panoramike janë më të pranishme në ndërtesat e reja, duke ndryshuar ritmin e fasadave dhe duke krijuar një estetikë më të fragmentuar”, shkruhet në draftin final të dokumentit. Përderisa rëndësia e konservimit është vlerësuar e lartë, ceket se ndërhyrjet në këtë zonë do të jenë të orientuara drejt mbrojtjes dhe përmirësimit të tipareve dhe veçorive të zonës, duke përfshirë ruajtjen e karakterit historik dhe strukturës urbane, ruajtjen e aseteve të trashëgimisë kulturore dhe ndërtesave të tjera me vlera arkitektonike pa ndryshime në volum dhe lartësi.
Te Zona e tretë e konservimit hyn pjesa e qytetit ku ka nisur procesi i modernizimit të Prishtinës, me zbatimin e planit urbanistik të vitit 1953, i cili ka zëvendësuar çarshinë e qytetit dhe pjesë të tjera me ndërtesa të mëdha administrative, si Kuvendi i Kosovës, ish-qendra tregtare “Gërmia”, Kuvendi Komunal, Teatri Kombëtar e ndërtesa të tjera. Është zonë me tipologji të shumta, ku ndërthuren bulevardi “Nëna Terezë” e deri te rruga “UÇK”. Përderisa rëndësia e konservimit llogaritet të jetë e lartë, më Plan synohet që të ruhet karakteri historik i periudhave të modernizmit dhe strukturës urbane të zonës. Përcaktohet edhe etazhiteti i ndërtimeve të reja.
Te Zona e 4-të e konservimit hyjnë asetet kryesore kulturore si shkolla ‘’Elena Gjika’’, ‘’Sami Frashëri’’, ‘’Sahatkulla’’ dhe shtëpitë tradicionale, përfshirë atë ku funksionon Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve.
“Ndërhyrjet në këtë zonë do të jenë të orientuara drejt mbrojtjes dhe përmirësimit të tipareve dhe veçorive të vlerës së zonës, duke përfshirë ruajtjen e karakterit historik dhe strukturës urbane të zonës, ruajtjen e aseteve të trashëgimisë kulturore dhe ndërtesave të tjera me vlera arkitektonike pa ndryshime në volum dhe lartësi, mbrojtjen e tipareve të peizazhit historik urban, zbutjen e efekteve të ndërhyrjeve në kontrast me kontekstin urban, si ndërtesat bashkëkohore ose shfrytëzime që mund të jenë në kundërshtim me karakterin historik të zonës. Në këtë zonë synohet po ashtu rikthimi i mureve në fasadat ballore, veçanërisht në ato zona ku tradicionalisht shtëpitë kanë qenë të radhitura në varg dhe të ndara nga rruga me mure rrethuese. Kjo do të ndihmojë në rivendosjen e karakterit historik dhe urban të zonës, duke rikthyer ndarjen tradicionale midis hapësirës publike dhe asaj private”, shkruhet të objektivat përderisa rëndësia e konservimit radhitet si e lartë.
Te Zona e 5-të e konservimit tregohet se ajo prezanton moment historik në strukturën urbane të Prishtinës, sepse paraqet intervenimin e parë të frymës moderniste, me qëllim rrënimi të strukturës paraprake me ndikime të frymës osmane.
“Zona përfshin kompleksin e parë të ndërtesave shumëbanesore në Prishtinë, të njohur si ‘Bllokat’, të ndërtuar gjatë viteve ‘60, si dhe kompleksin e qendrës tregtare artizanale ‘Romantika’ të ndërtuar gjatë viteve ‘80, të identifikuara me potencial për mbrojtje ligjore”, shkruhet në Plan. Përderisa rëndësia e konservimit është e lartë, në fokus janë “Bllokat” dhe “Romantika”.
Zona e 6-të e konservimit prek “Emin Gjikun”, Arkivin e Prishtinës, xhaminë “Jusuf Celebiu” dhe shtëpi banimi. Karakteristike për këtë zonë konsiderohet hapësira e ‘’Tregut të Gjelbër’’ si hapësirë definuese e zonës, por aktualisht në gjendje jo të mirë. Përderisa rëndësia e konservimit llogaritet e nivelit të mesëm, Plani parasheh konservim të integruar me fokus në mbrojtjen e monumenteve individuale.
“Rikthim i autenticitetit aty ku është e mundur duke lejuar ndërtime të reja dhe harmonizim për ndërtesat në kontrast me kontekstin përreth, me respektim të rregullave (shputë, vëllim, lartësi, materiale, ngjyra, etj.)”, shkruhet në dokument.
Te Zona e 7-të, rëndësia e konservimit del të jetë e lartë përderisa konstatohet se përfshin 8 asete të mbrojtura – shtatë shtëpi banimi dhe një xhami tërësisht e izoluar nga ndërtimet përreth – si dhe gjashtë ndërtesa kontribuuese me potencial për të fituar statusin e mbrojtjes.
“Ndërtimi i blloqeve të larta të banimit pranë këtyre aseteve të trashëgimisë kulturore ka zbehur prezencën e tyre, duke reduktuar dukshmërinë dhe ndikimin e tyre kulturor në strukturën urbane. Në disa raste, ky zhvillim kërcënon integritetin e aseteve të trashëgimisë kulturore duke ndryshuar kontekstin e tyre dhe duke kufizuar vlerën e tyre historike”, shkruhet në dokument.
Te Zona e 8-të hyn Parku i Qytetit, ku ndalohet ndërtimi i ndërtesave të përhershme e po ashtu parkimi nuk lejohet, përveç qasjes teknike për mirëmbajtje me kufizime.
“Lejohen ndërhyrje të përkohshme për ngjarje kulturore dhe sociale dhe veprimtari komerciale. Duhet ruajtur hapësira e gjelbër, pamjet drejt zonës historike dhe lidhjet përmes shtigjeve”, shkruhet në Plan.
Plani është goxha specifik edhe për zonën e mbrojtur përreth perimetrit të Qendrës Historike ku preken lagjet prej “Tophanës”, për të vijuar te stadiumi “Fadil Vokrri” e deri te përfshirja e Katedrales së qytetit. Rekomandohet mbikëqyrja e veprimtarive në mënyrë që të ketë harmoni me QHP-në. Plani përfshin po ashtu edhe kartat shpjeguese të aseteve të mbrojtura si monumente në krejt hapësirën që përfshin ky dokument.
Por në hartim të tij nuk ka pasur arkeologë, megjithëse brenda QHP-së ka edhe zona arkeologjike.
Arkeologu Milot Berisha, njëherësh menaxher i parkut të vetëm arkeologjik në Kosovë, “Ulpiana” ka bërë një reagim publik në raport me draftin final të Planit. Sipas tij, ky është një dokument strategjik, i cili synon të përcaktojë kornizën afatgjate të ruajtjes, menaxhimit dhe zhvillimit të balancuar të qendrës historike të qytetit.
“Pikërisht për shkak të kësaj peshe strategjike, ky dokument meriton trajtim të kujdesshëm, dialog të hapur dhe përfshirje reale profesionale. Qendra Historike nuk është vetëm ajo që shihet mbi tokë. Ajo është edhe një hapësirë me shtresa historie që nuk duken, por që ekzistojnë dhe kërkojnë vlerësim të përgjegjshëm”, ka shkruar ai. Sipas Berishës, çdo plan që synon ta trajtojë këtë hapësirë në mënyrë serioze fiton forcë dhe besueshmëri kur ndërtohet mbi dije profesionale dhe konsultim të mirëfilltë.
“Kjo duhet parë si mundësi për përmirësim të procesit, jo si kritikë ndaj askujt”, ka shkruar ai. Sipas Berishës, Prishtina nuk është një toponim i rastësishëm.
“Në lexim semantik, ai lidhet me latinishten prīstinus (pristine) – fillestar, i lashtë, origjinal, i paprekur – duke sugjeruar idenë e vazhdimësisë dhe autenticitetit. Pa pretendime dogmatike, ky kuptim na fton ta shohim qytetin jo vetëm si realitet modern, por si bartës të një kujtese të thellë historike. Në këtë kontekst, diskursi shkencor ka sjellë edhe paralele me botën e vonë-antike, përfshirë referenca si Prima Iustiniana, si ftesë për hulumtim dhe kujdes të shtuar”, ka shkruar ai. Sipas tij, për këtë arsye, një plan konservimi i integruar nuk duhet të kufizohet vetëm në trajtimin e asaj që shihet.
“Ai duhet të integrojë edhe dimensionin nëntokësor, toponiminë, vazhdimësinë historike dhe mekanizmat realë të mbrojtjes dhe mbikëqyrjes, në mënyrë që të jetë i zbatueshëm, i qëndrueshëm dhe i besueshëm në kohë. Ky është një qëndrim konstruktiv dhe plotësisht jopolitik. Nuk është kundër zhvillimit, por në favor të një zhvillimi të qëndrueshëm, ku planifikimi urban, trashëgimia kulturore dhe dija profesionale ecin së bashku”, ka shkruar ai.
Nëpërmjet komunikimeve me disa persona, KOHA ka marrë vesh se krejt në fillim të procesit, ka anëtarë që janë tërhequr, siç kanë thënë ata, pasi kanë parë mungesë serioziteti qysh në përbërje të grupit.
Arkitektja e ish-drejtoresha ekzekutive e Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, Gjejlane Hoxha, ka thënë se ende s’ka arritur ta lexojë draftin. Por, sipas saj, është shumë mirë që është punuar një dokument dhe një përmbledhje.
“Me siguri që gjatë kohës ky dokument duhet të plotësohet e të zhvillohet sikurse krejt planet zhvillimore. Është dokument i parë dhe mendoj se është shumë mirë që është bërë ky dokument. Pritet në të ardhmen e afërt të shihet se çfarë është bërë dhe çfarë të plotësohet”, ka thënë ajo. Këto ditë në Platformën e konsultimeve publike është publikuar edhe Plani i konservimit dhe menaxhimit për Çarshinë e gjatë në Pejë.