Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“DokuFesti” i çerekshekullit me 104 filma garues nga bota e trazuar

“25 për 25:

“25 për 25: është mënyra jonë e të shënuarit e viteve që nuk jemi ndalur së lëvizuri. Numrat që përsëriten, rrotullohen dhe qëndrojnë në një ritëm derisa një linjë e ndërpret kallëpin, njejtë si festivali ka synuar gjithmonë të ekzistojë. Në këtë rrugë të gjatë të festivalit, kemi shumë për çka të jemi mirënjohës, por jemi po ashtu të palodhur sepse ka ende filma për të parë, biseda për të nisur dhe mendje për të ndryshuar në një qytet që jemi duke e zbuluar së bashku. Kështu është ndërtuar ‘DokuFesti’. Kështu ka qëndruar. Kështu do të jemi: vazhdimisht në mosbindje”, ka shpjeguar Festivali konceptin e sivjetmë

Numri rekord prej tre mijë e 687 filmash nga të katër anët e botës ia kanë mësyrë edicionit jubilar të festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest” e prej tyre janë përzgjedhur 104. “Persistent Defiance” (Mosbindje e vazhdueshme) është thirrja me “25 për 25” e filmat reflektojnë kohën e trazuar të së tashmes, duke e kthyer filmin në një akt rezistence, kujtese dhe reflektimi. Po kjo temë e kthen edhe kohën te “çaku” i parë i Festivalit, para një çerek shekulli dhe ka një arsye për këtë

Festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest” ka zbuluar programin garues të edicionit jubilar.  Janë plot 104 filmat që do të konkurrojnë në tetë kategori zyrtare gjatë festivalit që mbahet prej 7 deri më 15 gusht në Prizren. Me thirrjen “Persistent Defiance” (Mosbindje e vazhdueshme), festivali sivjetmë me “25 për 25” synon të sjellë rrëfime që reflektojnë kohën e trazuar të së tashmes, duke e kthyer filmin në një akt rezistence, kujtese dhe reflektimi.

Edicioni i çerekshekullit vjen pas interesit rekord nga kineastët e mbarë botës. Tre mijë e 687 filma gjithsej kanë qenë në adresë të festivalit, numra të cilët janë rekord për çdo vit. Ekipi i programuesve ka përzgjedhur 104 veprat që do të garojnë e pjesë e konsiderueshme e tyre do të shfaqen si premiera botërore duke e dëshmuar pozitën e “DokuFest” si një nga festivalet më të rëndësishme të filmit dokumentar në rajon e më gjerë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në komunikatën e festivalit të martën pasdite thuhet se përzgjedhja e sivjetme vazhdon traditën e prezantimit të filmave më të rinj e më të guximshëm të vitit, të cilët trajtojnë disa prej çështjeve më urgjente globale. Organizatorët kanë paralajmëruar se në ditët në vijim do të publikohen edhe programet e tjera të festivalit, përfshirë seksionin “View from the World”, programin “Country in Focus”, juritë ndërkombëtare, diskutimet publike, masterklasat dhe programin muzikor.

Drejtori artistik i “DokuFestit”, Veton Nurkollari, ka thënë se shpallja e filmave në garë është një prej momenteve më të rëndësishme të punës njëvjeçare të ekipit programues.

“Ka ardhur më në fund momenti për të ndarë përzgjedhjen e filmave në garë dhe jam jashtëzakonisht i lumtur që mund të prezantoj kaq shumë filma për të cilët jemi kujdesur dhe kemi menduar gjatë, filma që na befasuan dhe të tjerë që na kanë prekur thellësisht. Por, mbi të gjitha, filma që pasqyrojnë botën e trazuar në të cilën jetojmë”, citohet të ketë thënë ai në komunikatën për media të “DokuFestit”.

Aty, sipas Nurkollarit, temat që dominojnë këtë edicion lidhen drejtpërdrejt me konfliktet, krizën klimatike dhe transformimet shoqërore.

“Sepse bota është në flakë dhe shumë kineastë i përgjigjen këtij momenti kataklizmik me filma që, në njëfarë mënyre, i bëjnë edhe vetë të marrin flakë: qoftë duke trajtuar vetë elementin e zjarrit, pasojat shkatërrimtare që luftërat e përgjakshme krijojnë ose lënë pas në komunitete, mbrojtësit e pyjeve dhe militarizimin e policisë, apo të nxehtin e shkretëtirës dhe shkrirjen e përshpejtuar të akullnajave. Zjarri është kudo, ndërsa dokumentaristët nga e gjithë bota sjellin histori për të gjitha këto me një hijeshi dhe dinjitet pothuaj të pakrahasueshëm”, citohet të ketë thënë ai.

Po në këtë komunikatë, udhëheqësi i programit të filmit të shkurtër, Samir Karahoda, ka vlerësuar se filmi i shkurtër mbetet një prej formave më të guximshme të kinemasë bashkëkohore.

“Edhe këtë vit, ‘DokuFest’ vazhdon të sjellë autorë që sfidojnë format tradicionale të rrëfimit dhe na ftojnë ta shohim botën nga këndvështrime të reja. Në një kohë kur bota po ndryshon me ritme të shpejta, filmi i shkurtër mbetet hapësira ku autorët guxojnë të eksperimentojnë, të trajtojnë tema të ndjeshme dhe të vënë në pikëpyetje realitetin që na rrethon”, shkruhet të ketë thënë Karahoda, duke shtuar se përzgjedhja e këtij viti bashkon zëra nga vende të ndryshme. E ka cilësuar si ftesë për të parë me më shumë vëmendje dhe për ta kuptuar më thellë kohën në të cilën jetojmë.

“Gara Ndërkombëtare e Filmit të Shkurtër dhe Gara Kombëtare dëshmojnë se filmi i shkurtër mbetet një nga format më të guximshme të shprehjes në kinemanë bashkëkohore”, citohet më tej të ketë deklaruar Karahoda.

Në një bisedë me KOHËN, udhëheqësi i “DokuLab”, Eroll Bilibani, ka theksuar se “DokuFesti” prej vitesh është shndërruar në shumë më tepër sesa një festival shfaqjesh filmike. Ka listuar edhe disa nga faktorët që ndikojnë në jehonën përherë më të madhe të Festivalit në skenën ndërkombëtare.

“Ka institucione të ndryshme që promovojnë Festivalin. Ajo natyrisht që rrit interesimin për të shfaqur film në ‘DokuFest’. Vitin e kaluar e kemi filluar Forumin e Filmave të Shkurtër që është një tjetër tregues që në ‘DokuFest’ nuk është vetëm shfaqja e filmave, por gjithashtu investohet në bashkëprodhime dhe në krijimin e mundësive për gjetje alternative të financimit të filmit, siç është distribuimi, që mungon te ne në Kosovë, por edhe në Ballkan në përgjithësi”, ka thënë ai.

Sipas tij, vëmendje e veçantë vazhdon t’i kushtohet Garës Kombëtare.

“Ka disa vjet që jemi duke e forcuar kategorinë e Garës Kombëtare, sepse aty kemi premiera kombëtare, sipas rregulloreve tona. Në juri sjellim njerëz që janë nga festivalet me reputacion dhe ashtu e shohim një mundësi të mirë të promovimit të filmit vendor”, ka thënë Bilibani.

Në Garën Kombëtare (National) do të prezantohen filmat: “Adem” i Edona Ademit, “All Good” i Basha Tronit, “angel777” i Brilant Pirevës, “Antimuzeu” i Renis Hykës, “Sytë e Bernës” i Ermal Gërdovcit, “Valle” i Hana Bucalijës, “Mirupafshim në Kosovën e lirë” i Durim Klaiqit, “Prej 6-ve në 5” i Erlisë Beqirit, “Keep Going” i Valmira Hysenit, “Gjuha e diasporës” i Diell Currit, “Searching for Poetry” i Lorin Terezit, “Stolen Life” i Viron Robocit, “The Gelina of Ribnovo” i Valon Ballabanit, “Dy jetë në çorape të ngushta” i Besim Ugzmajlit dhe “Tokë e lagët” i Jon Brovinës.

Në kategorinë “Balkan Short Dox” do të garojnë: “3 Gjenerata” nga Alberta Sinani, “Butterfly” nga Sara Stijoviq, “Closure” nga Zulfikar Filandra, “Goats!” nga Tonçi Gaçina, “Leave This Room Buried” nga Iva Kraljeviq, “Letters from Home” nga Ibro Hasanoviq, “Mother Company” nga Alexander Raptotasios dhe Konstantinos Thomaidis, “SLET 1988” nga Marta Popivoda, “The Divine Feminine” nga Ivana Todoroviq, “The Other Spring” nga Monica Maria Moraru, “This Desirable Device” nga Mina Simendiq, “Towards Where to Breath” nga Stefan Pavloviq dhe “White Veil nga Zhiga Ciber.

Ndërkohë, në kategorinë “Balkan Feature Dox” janë përzgjedhur “2M²” i Volkan Üce, “A State Film” i Roland Sejkos, “As the Spring Arrives, Water Recalls the Nomads” i Dilşad Aladağ, “Peacemaker” i Ivan Ramljakut, “Something Familiar” i Rachel Taparjanit, “Sunset” i Milosh Jaqimoviqit, “The Dream & The Lie” i Elena Dorfmanit, “The Thing to Be Done” i Srgjan Kovaçeviqit dhe “Yugo Goes America” nga Aleksa Borkoviq dhe Filip Grujiq.

Filma të tjerë nga e gjithë bota listohen në kategori të tjera si “International Feature Dox”, “International Short Dox”,  “International Shorts”, “Human Rights Dox” dhe “Green Dox”.

Tema e sivjetme e Festivalit –  “Persistent Defiance” – e rikthen vëmendjen 25 vjet më parë kur nisi “DokuFesti”. Organizatorët kujtojnë se në nisje të edicionit të parë kishte rënë shumë shi. Se nuk kishte pasur qartësi në vizion të ngjarjes, por se kishte vullnet për të punuar në hapësirën gjysmëfunksionale të kinemasë “Lumbardhi”.

“Bota është duke u djegur, por dyert hapen në orën tetë. Historia e përsërit veten e këtë gusht, në mënyrën tonë edhe ne e gjejmë veten në përsiatje. Përgjatë 25 vjetëve, rrallë ka pasur një çast për t’u ndalur e për të festuar. Ka pasur gjithmonë diçka të papërfunduar, nën presionin, apo një arsye për të shtyrë gëzimin deri në momentin që në botë do të gjendej më shumë sens. Në fakt, ky moment nuk gjen ende një datë. Ndoshta të gjendurit gjithmonë në kohë të papërshtatshme, është kthyer në himnin tonë: ne e tregojmë veten, i hapim kinematë dhe sërish ndalemi të shohim, edhe kur të parit kthehet në akt të parehatshëm”, shkruan “DokuFest” në shpjegimin e temës.

Aty më tej shkruhet se këtë vit “të treguarit e vetes është akt politik, qenësor, një perspektivë thelbësore që i shtrin rrënjët në qëndresë dhe mosbindje. Qëndresë dhe mosbindje. Ndaj të gjitha strukturave, hierarkive apo çfarë rrëfehet t’i përngjajë normales”.

Edicioni i 25-të i “DokuFest” pritet ta shndërrojë sërish Qendrën Historike të Prizrenit në hapësirën ku kinemaja, debati publik dhe arti ndërthuren në program të pasur ndërkombëtar që e konfirmon festivalin si njërën prej ngjarjeve më të rëndësishme kulturore në vend dhe në rajon.