Galeria Kombëtare e Kosovës, në kapitullin e fundit të finalizimit të procesit për pasurimin e fondit publik me vepra arti, vjet ka ndërruar qasjen sa i përket blerjes së veprave. Për pasojë buxheti ka mbetur i pashfrytëzuar dhe s’është ndarë as për sivjet. Çmimet e veprave të propozuara, sfidat metodologjike e infrastrukturore janë midis arsyeve që jep Këshilli Drejtues. Anëtarët e komisionit përzgjedhës thonë se kanë përfunduar punën e tyre me dorëzimin e propozimeve dhe arsyetimin e tyre. E Ministria e Kulturës, që qëndron në krye të krejt përgjegjësisë, ka heshtur
Galeria Kombëtare e Kosovës ka vendosur që vjet të mos blihet asnjë vepër e artit dhe të kthehen prapa 400 mijë euro. Ky vendim është marrë krejt në fund të procesit, kur para Këshillit Drejtues është shpalosur Raporti i komisionit përzgjedhës bashkë me veprat e zgjedhura, çmimet dhe arsyetimin e asaj përzgjedhjeje. Si bazë për këtë vendim qëndrojnë disa arsyetime.
Këshilli Drejtues në fund të procesit që është miratuar nga vetë ky organ, ka vendosur që të ndërrohet qasja pasi ka sfida metodologjike e buxhetore. Infrastruktura e çmimet e veprave janë po ashtu arsye. KOHA në dy tekste paraprake ka shpërfaqur anën e dokumenteve e raporteve të këtij procesi. E po ashtu edhe përvojën e artistëve në këtë proces bashkë me komunikimin që ata kanë pasur me Këshillin Drejtues dhe komisionin përzgjedhës. Në këtë tekst trajtohen përgjigjet e vetë institucionit, Këshillit Drejtues dhe anëtarëve të komisionit përzgjedhës.
“Këshilli Drejtues i GKK-së ka zgjedhur të mos marrë vendim të ngutshëm”
KOHA nëpërmjet postës elektronike ka kërkuar sqarime për procesin në adresë të zëvendësueses së drejtorit të Galerisë Kombëtare të Kosovës, Alisa Gojani, të Këshilli Drejtues nëpërmjet kryetares së këtij organi, Renea Behluli, dhe të kryesueses së komisionit përzgjedhës, njëherësh kuratore në GKK, Hana Halilaj. Krejt bashkë janë përgjigjur në pako me arsyetimin se pyetjet janë të njëjta dhe se Këshilli Drejtues dhe GKK-ja në këtë proces kanë vepruar si një organ i vetëm dhe se bëhet fjalë për një proces të përbashkët dhe të unifikuar institucional. Institucioni ka qenë i gatshëm në çdo kohë për të ofruar sqarime dhe për të krijuar qasje në dokumentet e lëndës. Në përgjigje tregohet fillimisht konteksti historik dhe procesi i pasurimit të GKK-së me vepra arti qysh prej themelimit më 1979. Përmenden vitet ’90 e më pas edhe kthesa e rëndësishme e vitit 2021, kur GKK-ja trashëgoi rreth 120 vepra nga koleksioni i hotelit “Grand”. Tregohet për buxhetin prej një milion e 50 mijë eurosh të ndarë nga Qeveria më 2022, dy thirrjet publike të Ministrisë së Kulturës e po ashtu edhe për pasurimin e koleksionit të GKK-së me 82 vepra nga aristë vendorë e të huaj pas hapjes së bienales nomade “Manifesta 14”. Përtej kësaj jepet edhe një pasqyrim për analizimin e boshllëqeve historike dhe mungesën e theksuar të përfaqësimit gjinor, komisionin e brendshëm të vitit 2023 dhe përvetësimin direkt të veprave të artisteve vendore. Më pas dilet te vendimi i nëntorit 2023 i asokohe ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, tash ministër në detyrë, që mandaton GKK-në për përvetësime apo blerje direkte.
“Procesi nuk ka përfunduar. Pas një pune shtatëmujore në dhjetor të vitit 2024, është propozuar lista me vepra nga Komisioni Profesional dhe Galeria Kombëtare e Kosovës (GKK) është e gatshme për implementim të fazës së parë, sapo të finalizohen kushtet institucionale dhe buxhetore”, shkruhet në përgjigje. Sqarohet se për të siguruar një qasje më të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, GKK-ja ka themeluar një komision të jashtëm mbi bazën e kriterit të përfshirjes së profesionistëve të fushës me njohuri të thelluara mbi artin bashkëkohor në Kosovë e po ashtu të bëhet përfaqësimi ndërbreznor për të siguruar këndvështrime historizuese dhe kritike mbi zhvillimet e artit në periudha të ndryshme. Komisioni përbëhej nga Hana Halilaj, kryesuese njëherësh kuratore në GKK dhe anëtarët Arta Agani, kuratore e artiste, Edi Muka, kurator, Shkëlzen Maliqi, kritik i artit dhe Vesa Sahatçiu, historiane e artit. Në përgjigjet e GKK-së tregohet se komisioni e nisi punën në qershor 2024 dhe në dhjetor doli me raport.
“Pas dorëzimit të raportit nga komisioni, me ç’rast kanë përfunduar mandatin dhe përgjegjësinë e tyre, Këshilli Drejtues i GKK-së ka zgjedhur të mos marrë vendim të ngutshëm në dhjetor 2024, për shkak të vitit fiskal dhe natyrës së ndjeshme të procesit. Blerja direkte e veprave të artit bashkëkohor, pa precedent institucional të ngjashëm, ka sjellë sfida metodologjike e buxhetore”, shkruhet në përgjigjen e institucionit ku Këshilli Drejtues kryesohet nga Renea Behluli dhe përbëhet edhe nga anëtarët: Guri Çavdërbasha, Somer Şpat, Linda Gusia, Agron Blakçori dhe Bariu Zenelaj, përfaqësues i MKRS-së. Kjo përbërje është emëruar nga ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, në vitin 2022, me përjashtim të Bariu Zenelajt, i cili ka zëvendësuar Arlinda Hajrullahun në fillim të vitit të kaluar. Artrit Bytyçi kishte dhënë dorëheqjen në mars të vitit 2024 dhe nuk është zëvendësuar.
Pikëpyetjet për çmime dhe perceptimi publik
Telashe tjetër për miratimin e atij raporti që përcaktonte veprat që duhej përvetësuar del të jenë çmimet.
“Disa nga çmimet e propozuara për përvetësim janë vënë në pyetje për shkak të perceptimit publik. Edhe pse këto çmime janë në përputhje me tregun ndërkombëtar dhe reflektojnë vlerën reale të punës së artistëve bashkëkohorë, në një kontekst si ai i Kosovës, ku arti e kultura rrallëherë kanë qenë prioritet publik apo buxhetor, është e natyrshme që disa nga këto shifra të perceptohen me skepticizëm. Ky hendek mes vlerës reale të artit dhe mënyrës si ai përjetohet në përditshmëri është sfidë shoqërore e kulturore”, shkruhet në përgjigje. Sqarohet se pikërisht edhe këtu e shohin rolin e tyre si institucion publik.
“Jo vetëm të blejmë art, por të ndërtojmë një gjuhë të përbashkët rreth tij. Në këtë prapavijë kemi tentuar të ofrojmë një metodologji të qartë të blerjes dhe logjikën prapa blerjeve”, shkruhet në përgjigje. Sipas GKK-së, përtej vlerës reale të veprave kanë zgjedhur të jenë sensitivë duke konsideruar se si në të kaluarën çështja e çmimeve ka marrë disproporcion mediatik, shpesh duke shkëputur diskutimin nga konteksti i ndërtimit të një modeli afatgjatë për koleksionimin publik dhe rëndësisë së koleksionimit si shtyllë e ndërtimit të historisë së artit brenda një institucioni dhe më gjerë.
“Ka artikuj mediatikë ku një çmim i përveçëm vendoset në qendër të debatit. Për të ilustruar se sa lehtë ky diskutim mund të rrezikojë të reduktohet në shifra, duke lënë në hije rëndësinë strategjike të koleksionit si trashëgimi e përbashkët kulturore. Këto çmime nuk janë pengesë në vetvete, por kërkojnë përgjegjësi të qartë në vendimmarrje dhe në komunikim me publikun”, shkruhet në përgjigje. Sqarohet se detyra institucionale është të ndërtojnë një model koleksionimi që respekton punën e artistëve, pasuron kujtesën publike dhe mbetet i qëndrueshëm për të ardhmen, pa e vendosur peshën e gabuar mbi individët apo mbi ndonjë segment të vetëm të sistemit.
Renovimi e mungesa e hapësirave
Arsyetim më vete del të jetë hapësira. Në përgjigje shkruhet se momentalisht ndërtesa kryesore e Galerisë është në proces të renovimit dhe janë duke u ndërtuar depo të reja që do të mundësojë ruajtje afatgjate me kushte atmosferike të kontrolluara dhe konservim profesional si parakushte për një koleksion dhe arkiv që ruhet në të ardhmen. Por se GKK-ja ka telashe me hapësira dihet publikisht dhe anëtarët e Këshillit Drejtues kanë qenë në dijeni për këtë të paktën prej kur kanë marrë pozitat, dy vjet para se të planifikojnë përvetësimin e veprave nga artistët. Sipas GKK-së, procesi i përvetësimit nuk është ndërprerë, përkundrazi, është strukturuar në faza të qarta për të garantuar vazhdimësi dhe përvetësim të përgjegjshëm, dhe me metodologji transparente.
“Galeria Kombëtare e Kosovës dhe Këshilli Drejtues i saj janë në komunikim të vazhdueshëm me departamentet përkatëse të Ministrisë së Kulturës, me qëllim që faza e parë të zbatohet sapo të sigurohen kushtet institucionale, buxhetore dhe procedurale. Ne mbetemi të përkushtuar që ky proces të vazhdojë me integritet profesional dhe në përputhje me parimet e menaxhimit të qëndrueshëm të fondit publik”, shkruhet në përgjigje. Por GKK-së, Ministria e Kulturës ia ka bërë me dije se për sivjet s’ka buxhet të paraparë për përvetësim të veprave të artit dhe se varësisht nga shpenzimet mund të bëhet ndonjë riorientim në fund të shtatorit. Në përgjigje përgjegjësia e Këshillit Drejtues për dështimin e procesit vitin e kaluar as që përmendet. Shkruhet se Këshilli ka të drejtë të miratojë apo refuzojë propozimet e komisionit të angazhuar dhe se Këshilli Drejtues ka vendosur që “përvetësimet të realizohen në faza të qarta për të siguruar transparencë, menaxhim të kontrolluar dhe ndërtim të një modeli të qëndrueshëm koleksionimi”. Kanë bashkangjitur atë që titullohet “Raport dhe planprogram për përvetësimin e veprave për koleksionin e GKK-së”, përmbajtjen e të cilit KOHA e ka publikuar në tekstin e parë të kësaj serie.
“Në kushte kur mungojnë standardet e koleksionimit dhe përvojat e mëhershme në këtë fushë janë të kufizuara, KD ka zgjedhur të veprojë me kujdes, për të mos e reduktuar këtë proces në një vendim të njëhershëm, por ta ndërtojë si praktikë afatgjate përtej një viti kalendarik”, shkruhet në përgjigje.
Shfajësimi i komisionit dhe heshtja e Ministrisë së Kulturës
KOHA ka kërkuar sqarime edhe nga anëtarët e komisionit që ka bërë përzgjedhjen e veprave. Kryetarja Hana Halilaj, njëherësh kuratore në Galerinë Kombëtare të Kosovës, përtej përfaqësimit në përgjigjet e GKK-së, ka ofruar edhe sqarime shtesë sa i përket konceptit mbi të cilin është bërë zgjedhja e periudhave dhe artistëve, mënyrës se si është zhvilluar puna dhe përgjegjësisë që kishte komisioni.
“Komisioni ka dorëzuar raportin narrativ, i cili përmban një pasqyrë të historikut të koleksionimit në GKK, detaje mbi hulumtimin e kryer nga komisioni, metodologjinë e ndjekur, si dhe listën e artistëve të propozuar. Për disa muaj me radhë komisioni ka zhvilluar takime të rregullta, ka shqyrtuar katalogë dhe materiale nga arkivat ë GKK-së, ka realizuar vizita në studiot e artistëve, si dhe takime me familjarë të tyre në rastet kur ata nuk jetojnë më. Nga ky hulumtim i gjerë, i cili shpresojmë të shërbejë si referencë edhe në të ardhmen, komisioni ka propozuar një numër të caktuar veprash për përvetësim”, ka thënë ajo. E pyetur se përse procesi nuk ka përfunduar dhe a kanë kërkuar përgjegjësi për këtë, ka treguar se Komisioni ka kërkuar sqarime dhe përgjegjësi mbi ecurinë e procesit dhe ka marrë përgjigje nga Këshilli Drejtues lidhur me vendimin e tyre për shtyrjen e procedurës. Ka thënë se për mënyrën e menaxhimit të procesit dhe hapat e mëtutjeshëm Galeria është deklaruar nëpërmjet përgjigjeve të institucionit dhe s’ka diçka të veçantë për të thënë.
Anëtarja e komisionit, Vesa Sahatçiu, ka thënë se përzgjedhja e veprave është bërë në saje të standardeve dhe kritereve të artikuluara dhe të elaboruara në raport dhe se i kanë ndjekur të gjitha procedurat e kërkuara nga institucioni.
“Pas përfundimit të listës së veprave për t’u përvetësuar dhe raportit, gjë që përfundoi në nëntor të vitit 2024, mandati ynë mori fund dhe ne nuk kishim asnjë mandat të mëtejshëm për të kërkuar llogari nga institucioni. Në pranverë të këtij viti ne morëm disa e-maila drejtuar GKK-së nga disa artistë, të cilët ishin pjesë e procesit dhe e kuptuam se procesi kishte ngecur. Si ish-komision ne ua dërguam një letër mirëkuptimi për brengat e tyre, duke ua kumtuar po ashtu faktin se mandati ynë kishte përfunduar me dorëzimin e raportit në nëntor të 2024-s”, ka thënë fillimisht ajo. Raporti nuk është protokolluar në nëntor, por në dhjetor. Pas publikimit të tekstit të parë, Sahatçiu e ka plotësuar përgjigjen e saj.
“Procesi ka qenë i ‘goditur’ me vonesa dhe unë, si anëtare e komisionit, kam insistuar në takime më të shpeshta dhe jam interesuar të dija pse ka vonesa. Takimet ‘de facto’ kanë filluar në qershor të 2024-s, të caktuara nga GKK-ja”, ka thënë ajo. Sipas saj, pas dorëzimit të listës dhe raportit në fund të mandatit, nuk kanë marrë më asnjë informatë se ku qëndron procesi dhe nëse ai ka përfunduar me sukses.
“Tutje vetëm tash, pas artikullit të publikuar nga ‘Koha Ditore’, unë, si ish-komisionere, jam informuar se ‘de facto’ puna jonë profesionale ishte anuluar dhe se një proces tjetër kishte filluar nga Këshilli Drejtues. Për brengat dhe korrespondencat e artistëve: edhe këtu, me vonesë, ne anëtarët e jashtëm të komisionit jemi informuar, pra vetëm pas emaileve të dërguara nga artistët në pranverë të këtij viti (2025). Ka ‘emaila’ me artistë, sidomos për procesin e marrëveshjeve, të cilat unë, si anëtare e jashtme, nuk i kam, pra nuk më janë ndarë asnjëherë. Dhe mbetet mister pse do të ndodhte një mosinformim i tillë”, përfundon ajo.
Ekipi i KOHËS pasi ka dërguar pyetje nëpërmjet postës elektronike për këtë temë, ka takuar anëtarë të Komisionit me kërkesën e tyre. Kanë shpërfaqur shumë pakënaqësi në raport me procesin, por në deklarimin zyrtar kanë pasur thuajse krejt tjetër rrëfim. Historinë zyrtarisht pak a shumë të gjithë e kanë treguar njëjtë. Edi Muka ka thënë se janë interesuar për të ditur si shkon puna pas dorëzimit të raportit, por thjesht në baza personale, pasi nuk kishin më asnjë mandat apo të drejtë për të kërkuar llogari e më së shumti për të ditur se çfarë u bë me punën e tyre, si dhe për të ditur se si ka vazhduar komunikimi me artistët.
“Për fat të keq, në pranverën e këtij viti u kontaktuam nga disa artistë dhe mësuam se procesi nuk ishte zhvilluar më tej. Në përgjigje të kësaj situate ua kemi dërguar një letër të gjithë artistëve me të cilët kemi qenë në kontakt, për të shprehur mbështetjen dhe mirëkuptimin tonë për shqetësimin e tyre”, ka thënë ai.
Shkëlzen Maliqi ka sqaruar se ngecja pas dorëzimit të raportit është bërë për arsye që nuk u janë treguar qartë.
“Pas ankesës interne të disa artistëve me të cilët GKK-ja i ka pati nisur bisedimet për kontrata të blerjeve – komisioni nuk është marrë me këtë punë – në pranverë kemi kërkuar nga MKRS dhe GKK shpjegime dhe transparencë, por me sa di s’kemi marrë njoftime”, ka thënë ai. Ka shtuar se konsideron se puna dhe vlerësimet si komision i kanë bërë me kompetencë dhe pa asnjë lëshim të qëllimshëm dhe abuziv dhe ka përsëritur se anëtarët e komisionit nuk kanë marrë informata se çfarë po ndodh në relacionin MKRS – GKK. E anëtarja e komisionit, Arta Agani, e cila për një mandat ka udhëhequr Galerinë, s’ka pasur kurrfarë përgjigjeje. Ka rekomanduar që për këtë çështje të komunikohet me kryesuesen e komisionit dhe Galerinë Kombëtare.
Ministria e Kulturës nuk është përgjigjur për këtë çështje për 13 ditë. KOHA ka kërkuar përgjigje nga vetë ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku, i cili ka emëruar përbërjen e organit më të lartë të GKK-së, anëtarët e Këshillit Drejtues dhe prej të cilëve kërkon llogari edhe mban përgjegjësi që i ka përzgjedhur. Çekut, sikurse këshilltares së tij Zana Fetiut dhe sekretarit të MKRS-së, Bislim Bislimi, pyetjet u janë përsëritur disa herë.