Çmimi prestigjioz për letërsi “Booker”, sivjet iu nda romanit “Flesh” të autorit David Szalay. Ai u zgjodh fitues në mesin e 153 romaneve të paraqitura nga një juri që përfshinte shkrimtarin irlandez, Roddy Doyle dhe aktoren, Sarah Jessica Parker. Sipas Doyle, kryetar i jurisë, kryepersonazhi i romanit, István, i përket një grupi që rrallë përfaqësohet në letërsi: burrave të klasës punëtore
Shkrimtari kanadezo-hungarezo-britanik, David Szalay, fitoi çmimin “Booker” për letërsi për romanin “Flesh” (Mishi), që sjell historinë e jetës së një burri të zakonshëm gjatë disa dekadave, ku ajo që nuk thuhet në faqe është po aq e rëndësishme sa ajo që thuhet.
Szalay, 51 vjeç, mposhti pesë finalistë të tjerë, përfshirë favoritët, Andrew Miller dhe Kiran Desai, për të marrë këtë çmimin jashtëzakonisht të lakmuar letrar, i cili sjell një shpërblim prej 50 mijë funtesh (rreth 66 mijë dollarë) dhe një rritje të madhe të shitjeve dhe profilit të fituesit.
“Flesh” u zgjedh fitues në mesin e 153 romaneve të paraqitura nga një juri që përfshinte shkrimtarin irlandez, Roddy Doyle dhe aktoren e serialit “Sex and the City”, Sarah Jessica Parker.
Doyle tha se “Flesh” – një libër “për jetën dhe aspektin e çuditshëm të të jetuarit” – u bë zgjedhja unanime e jurisë pas një takimi pesorësh.
Romani rrëfen jetën e Istvánit të heshtur, nga marrëdhënia e tij adoleshente me një grua më të madhe në moshë, te periudha e vështirë si emigrant në Britani të Madhe, e deri tek depërtimi i tij në shoqërinë e lartë londineze. Autori ka thënë se donte të shkruante për një emigrant hungarez dhe “për jetën si përvojë fizike, për atë se si është të jesh një trup i gjallë në botë”.
Duke pranuar trofeun në “Old Billingsgate” të Londrës – dikur treg i peshkut i shndërruar në sallë ngjarjesh luksoze – Szalay falënderoi jurinë që shpërbleu romanin e tij “të rrezikshëm”.
Para të pranishmëve e kujtoi momentin kur kishte pyetur redaktoren e tij “nëse mund ta imagjinonte një roman të quajtur ‘Flesh’ duke fituar çmimin ‘Booker’”.
“Më kujtohet Hannah Weston, redaktorja ime në shtëpinë botuese ‘Jonathan Cape’ në Londër, kur po flisnim për titullin e librit ndoshta një vit më parë dhe po mendonim nëse ishte e mundur që një roman i quajtur ‘Flesh’, të fitonte çmimin ‘Booker’. Kjo tregon diçka për rrezikun e emërimit të tillë të një romani, që në atë kohë mendonim se ishte veprim i pazakontë. Gjithsesi, Hannah, tani e ke përgjigjen tënde”, tha ai.
Doyle, kryetar i jurisë, tha se Istváni i përket një grupi që rrallë përfaqësohet në letërsi: burrave të klasës punëtore. Ai shtoi se që nga leximi i librit, ai i vështron më me kujdes rojet që qëndrojnë para dyerve të bareve të Dublinit.
“Tani i shikoj më me vëmendje, sepse ndiej se mund t’i njoh pak më mirë”, tha Doyle, i cili fitoi çmimin “Booker” në vitin 1993 me “Paddy Clarke Ha Ha Ha”, një roman me histori të ndjera dhe plot humor të jetës së klasës punëtore në Dublin. “Ai na paraqet një lloj njeriu që na fton të shikojmë përtej fytyrës”.
Szalay, i lindur në Kanada, i rritur në Britani të Madhe dhe i cili jeton në Vjenë, kishte qenë në mesin e finalistëve për t’u shpërblyer me çmim “Booker” në vitin 2016, me romanin e tij “All That Man Is”, një seri tregimesh për nëntë burra shumë të ndryshëm nga njëri-tjetri.
“Mendoj se në romane të zhanrit fantazi mund të merren rreziqe. Mund të merren rreziqe estetike, formale, ndoshta edhe morale, çka në forma të tjera, për shembull në libra narrativ, nuk mund të bëhet në të njëjtën masë. Mendoj se një pjesë e arsyes për këtë është thjesht se romanet janë relativisht të lira për t'u prodhuar”, tha Szalay në ceremoninë e pranimit të çmimit “Booker”.
“Flesh” u vlerësua nga shumë kritikë, por irritoi disa të tjerë me refuzimin për të plotësuar boshllëqet në historinë e kryepersonazhit, István – pjesë të mëdha të jetës së tij, përfshirë burgosjen dhe shërbimin ushtarak në Irak, mbeten jashtë faqeve – një burrë kokëfortë, pa shprehje, që më së shpeshti thotë vetëm fjalën “në rregull”.
“Na pëlqeu përmbajtja e shkrimit”, tha Doyle. “Na pëlqeu se si aq shumë u zbulua pa qenë ne të vetëdijshëm që po zbulohej... Ta shohësh këtë burrë teksa rritet, plaket, dhe të mësosh aq shumë për të, por në një mënyrë pa u ndihmuar nga ai. Nëse boshllëqet do të ishin mbushur, libri do të kishte më pak fuqi te lexuesi”, shtoi ai.
Szalay konsiderohej si i jashtëm në garën e këtij viti. Favoritët kryesorë sipas tregjeve të basteve ishin, shkrimtari britanik Andrew Miller, me dramën familjare të fillimviteve ’60, “The Land in Winter” dhe autorja indiane, Kiran Desai, me sagën globale “The Loneliness of Sonia and Sunny”, romani i saj i parë që nga “The Inheritance of Loss”, i cili ia rrëmbeu çmimin “Booker” në vitin 2006. Finalistët e tjerë ishin, romani “Flashlight” nga Susan Choi, një sagë familjare me kthesa të papritura, “Audition” nga Katie Kitamura, një tregim për aktrimin dhe identitetin, dhe “The Rest of Our Lives” nga Ben Markovits, për një udhëtim të krizës së mesjetës.
Çmimi “Booker” u themelua në vitin 1969 dhe ka krijuar një reputacion si çmimi që transformon karrierat e shkrimtarëve. Ndër fituesit e kaluar janë shkrimtarët, Salman Rushdie, Ian McEwan, Arundhati Roy, Margaret Atwood dhe Samantha Harvey, e cila fitoi çmimin e vitit 2024 për romanin “Orbital”, një “fabul hapësinore” rreth gjashtë astronautëve në orbitë.