Kulturë

“Containporary” e Kosovës gati për Bienalen e Venecias që shtyhet për 2021

Bienalja Ndërkombëtare e Arkitekturës në Venecia të hënën ka njoftuar se edicioni i 17-të me temën “How Will We Live Together” do të shtyhet për vitin e ardhshëm, përkatësisht prej 22 maji deri më 21 nëntor. Po kështu, edhe edicioni i 59-të i Bienales Ndërkombëtare të Artit, i paraparë të mbahej më 2021, është shtyrë për vitin 2022. “Containporary” me kurator Maksut Vezgishin, që do ta përfaqësojë Kosovën në këtë ngjarje, tashmë është gati, por do të presë të ekspozohet deri në mot

“Containporary” veçse ishte përfunduar në afat. Kjo vepër do ta përfaqësonte Kosovën në Bienalen e sivjetme të Arkitekturës në Venecia. Me të gjitha obligimet financiare të përfunduara, ekipi nga Kosova vetëm priste ditën për të shpërfaqur konceptin mbi mjedisin, i cili do të shkoqitej përmes një kontejneri.

Por Bienalja Ndërkombëtare e Arkitekturës në Venecia të hënën ka njoftuar se edicioni i 17-të me temën “How Will We Live Together” do të shtyhet për vitin e ardhshëm, përkatësisht prej 22 maji deri më 21 nëntor. Po kështu, edhe edicioni i 59-të i Bienales Ndërkombëtare të Artit, i paraparë të mbahej më 2021, është shtyrë për vitin 2022.

“Vendimi për të shtyrë Bienalen për Arkitekturën në Venecia në maj të vitit 2021 është pranim i asaj që është e pamundur të shkohet më tej – brenda kufizimeve të vendosura kohore – në jetësimin e një ekspozite të tillë komplekse e ndërkombëtare, për shkak të një sërë vështirësish objektive të shkaktuara nga efektet e emergjencës shëndetësore”, thuhet në njoftimin e afishuar në “e-flux.com”. “Duke qenë se gjendja e tanishme ka penguar ekspozitën në plotninë e saj, duke rrezikuar realizimin, transportin dhe praninë e veprave, madje edhe cilësinë e vetë ekspozitës, ‘La Biennale’ ka vendosur që të shtyjë datën e hapjes së edicionit të radhës të arkitekturës”.

E këtë vendim e kanë pranuar në mënyrë konsensuale përfaqësuesit e të gjitha shteteve pjesëmarrëse. Pasditen e së hënës ata kanë mbajtur edhe një videokonferencë online me organizatorët.

“Normalisht, ka qenë një konsensus i të gjitha shteteve anëtare që të shtyhet për vitin 2021. Ka qenë një vendim konsensual”, ka thënë Jehona Shyti, e cila në janar të këtij viti ishte emëruar nga MKRS-ja si komisionere e Pavijonit të Kosovës.

Në këtë konferencë, ku morën pjesë komisionerët dhe kuratorët e të gjitha shteteve pjesëmarrëse, tok me presidentin e Bienales, Roberto Cicutto, si dhe kuratorin Hashim Sarkis, vendimi për shtyrjen e Bienales mori miratimin e shumicës.

Edhe arkitekti Maksut Vezgishi, i cili është kurator i Pavijonit të Kosovës, kanë thënë se shumica vlerësuan që shtyrja do t’i ndihmonte të gjithë pjesëmarrësit për t’u paraqitur më lirë dhe më mirë.

Sipas tij, pjesëmarrësit në formë alfabetike janë prononcuar rreth vendimit.

“Për neve, si Kosovë, nuk ishte problem pjesëmarrja edhe në gusht për shkak se i kemi plotësuar të gjitha kushtet, madje kemi pasur edhe konfirmimin nga realizuesit italianë”, ka thënë Vezgishi.

Ai ka bërë me dije se projekti nga Kosova – “Containporary” – është dorëzuar në afatin e caktuar.

“Kosova i ka të gjitha obligimet e përfunduara”, ka shtuar arkitekti nga Prizreni.

Në një prononcim për gazetën në mars të këtij viti, Vezgishi kishte treguar se qysh në fillim ishte përcaktuar që qasja konceptuale të ishte mjedisi.

Një kontejner të cilin e kishte vënë re pranë një institucioni në kryeqytet, kishte shërbyer si pikënisje për idenë e tij.

“Ai shërben për largimin e ‘përmbajtjeve’ të ndryshme...Përmbajtja jemi vetë ne, atë që e kemi e hedhim, atë që e hedhim na përshkruan”, kishte thënë Vezgishi për instalacionin që do të paraqitej në “Arsenale”.

Më 17 janar të këtij viti, ish-ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, në bazë të kompetencave të tij, kishte emëruar Jehona Shytin si komisionere të Pavijonit të Republikës së Kosovës për pjesëmarrje në Bienalen e Venedikut, kurse arkitektin Maksut Vezgishi si kurator të kësaj ngjarjeje të rëndësishme ndërkombëtare.

Në bazë të vendimit të ministrit, komisionerja ka për detyrë të punojë ngushtë me kuratorin dhe të mbështesë ekzekutimin dhe menaxhimin e projektit me të cilin do të përfaqësohet Kosova në Bienale, si dhe të zhvillojë komunikimin e dyanshëm me zyrtarët e Venecias dhe me opinionin e gjerë. Ndërkaq, sipas po të njëjtit vendim, kuratori ka për detyrë që përmes kreacionit të tij të zbatojë dhe realizojë projektin e Kosovës në Bienale.

Sipas komisioneres Shyti, Kosova ka paguar qiranë për hapësirën dhe se, pavarësisht shtyrjes së edicionit, ky parapagim vlen edhe për vitin e ardhshëm. 104 mijë euro është vlera e qirasë së paguar.

“Kjo nënkupton se nuk kemi më obligime sa i përket qirasë, për shkak se ne kemi paguar dhe hapësira nuk është shfrytëzuar. Natyrisht që Bienalja i njeh këto shuma si të kryera, kurse shpenzimet e parapara për këtë vit do të barten në vitin e ardhshëm”, ka thënë Shyti.

Bienalja Ndërkombëtare e Arkitekturës – ku Kosova sivjet do të merrte pjesë për herë të katërt – fillimisht ishte shtyrë më datat 29 gusht deri më 29 nëntor për shkak te gjendjes së përballjes me pandeminë.

Por presidenti i Bienales, Roberto Cicutto, ka thënë se ka pranuar mesazhe të shumta që kërkonin shtyrjen e edicionit të 17-të për vitin e ardhshëm.

“Megjithatë, ‘Arkitektura’ do të organizojë gjatë vjeshtës ngjarje të ndryshme që e mbajnë në qendër të skenës pyetjen, më të rëndësishme se kurrë më parë, të asaj ‘How will we live together’”, citohet të ketë thënë Cicutto.

Edhe kuratori i ekspozitës, Hashim Sirkas, ka thënë se është i prekur nga vendosmëria e të gjithë pjesëmarrësve gjatë tre muajve të fundit.

“Shpresoj se data e re e hapjes do t’u mundësojë atyre të marrin frymë, e pastaj të përfundojnë veprat e tyre me kohën dhe përkushtimin që meritojnë”, ka thënë arkitekti dhe edukatori libanez.

Përmes ekspozitës së sivjetme me konceptin “How will we live together?” (Si do të jetojmë së bashku?), Sarkis u kishte bërë thirrje arkitektëve që të imagjinonin hapësira për të jetuar së bashku.

“Ne kemi nevojë për një kontratë të re hapësinore. Në kontekstin e thellimit të ndarjeve politike dhe rritjes së pabarazive ekonomike, ne u bëjmë thirrje arkitektëve të imagjinojnë hapësira në të cilat ne mund të jetojmë së bashku në mënyrë gjeneroze”, ishte thënë në deklaratën kuratoriale.

Në edicionin e 16-të të Bienales së Arkitekturës në Venecia 2018, kuratore e Pavijonit të Kosovës ishte artistja Eliza Hoxha me temën “Qyteti është gjithandej”. Më 2016, sherri i Ministrisë së Kulturës, Kosova s’u përfaqësua. Debutimin e vendit në këtë ngjarje e bëri arkitekti Përparim Rama më 2012 me veprën “Punuesi i filigranit”. Për komisar ishte caktuar arkitekti Bekim Ramku. “Punuesi...” mëtonte të hidhte dritë mbi trashëgiminë kulturore të Kosovës. Më 2014, Gëzim Paçarizi e kishte përfaqësuar Kosovën me “Visibility (imposed modernism)” (Dukshmëria - Modernizmi i imponuar).