“Cirku fluturues” me regji të Fatos Berishës ka marrë trofeun e tij të parë. Në festivalin “Fabrique du Cinema”, i cili shënoi edicionin e tij të pestë të shtunën, filmi kosovar fitoi çmimin për filmin më të mirë të gjatë të huaj.
Shpërblimi për “Cirkun Fluturues” vjen pas premierës së tij botërore në festivalin e kategorisë A, “Tallinn Black Nights Film Festival” në Estoni, që sivjet shënoi edicionin e 23-të. Aty filmi ishte edhe pjesë e konkurrencës kryesore, shkruan sot “Koha Ditore”.
Filmi, për të cilin Berisha ka shkruar edhe skenarin, përshkruhet si komedi e zezë e bazuar në një ngjarje të vërtetë, që ndodh në fund të viteve ’90 në Kosovë, në prag të luftës.
“‘Dodona’, teatri i vogël i Prishtinës, mbyllet si institucioni i fundit publik. Katër personazhet kryesore, aktorët e rinj, Kushtrimi, Donati, Fatmiri dhe Leka, shikojnë posterin e shfaqjes së tyre duke u hequr. Është komedia surrealiste e quajtur ‘Cirku fluturues’, e frymëzuar nga seritë legjendare britanike ‘Monty Python’s Flying Circus’, por ‘diçka krejtësisht ndryshe’ do të ndodhë. Ata marrin një ftesë për të performuar në Festivalin e Teatrit në Shqipëri, por nuk kanë pasaporta”, është përshkrimi i filmit, producente e të cilit është Vjosa Berisha. Aty tregohet se katër aktorët vendosin ta marrin këtë rrugë, edhe pse mënyra e vetme është duke kaluar ilegalisht kufijtë e Malit te Zi dhe të Shqipërisë.
Filmi kosovar në “Fabrique du Cinema”, që mbahet në Romë, të shtunën mbrëma ka lënë pas filmin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës “The French Teacher” të regjisores Stefania Vasconcellos, “Abode” nga India të Jaya Jose Raj dhe “The Strategy of the Pekingese” nga Spanja të Elio Quiroga.
“Cirku fluturues” është mbështetur nga QKK-ja, Qendra Kombëtare e Kinematografisë dhe Agjencia e Filmit e Maqedonisë Veriore. QKK-ja projektin “Cirku fluturues” e kishte përkrahur me 5 mijë euro për zhvillim skenari qysh në vitin 2014. Më 2016 ishe përkrahur me 150.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)