Kulturë

“Carmen” ngufatet midis shkëlqimit në skenë dhe mjerimit në prapaskenë

“Carmen” ngufatet midis shkëlqimit në skenë dhe mjerimit në prapaskenë

Në një mbrëmje që ka ndërthurur mjeshtërinë muzikore me dramatiken skenike, me nxehtësi përvëluese, Opera e Kosovës ka sjellë veprën e tretë operistike prejse ka filluar si institucion. “Carmen” e Georges Bizet, një nga veprat më të njohura të repertorit klasik botëror ia ka ofruar publikut shfaqjen e një performance që do të mbahet në mend gjatë, sidomos për shkak të eksperiencës bashkë me vapën e me kaosin teknik (Foto: Arben Llapashtica)

Me “Carmenin” e Operës së Kosovës, ajo që mund të ishte një përvojë e plotë e operës u nda më dysh. Në një anë, arti i pastër që lufton për të mbijetuar dhe, në anën tjetër, një organizim që ia prish hijen asaj bukurie që ishte ndërtuar me kaq përkushtim. Një pruduksion i tillë shkëlqen në skenë, por hijezohet nga prapaskena me mungesë kushtesh bazike për shfaqje të tilla, prej sallës që ngufat publikun e deri te imazhi kur fiken dritat e skenës

Ishte një mbrëmje që premtonte magji. Por “Carmen” e kompozitorit francez Georges Bizet ka frymuar me vështirësi në sallën “AMC” në periferi të Prishtinës, me gjithë fuqinë e pasionit, rebelimit dhe tragjedisë së saj të përjetshme. Organizuar nga institucioni relativisht i ri, Opera e Kosovës, zërat e fuqishëm, ngjyrat e kostumeve, koreografia që mbushte hapësirën me jetë dhe drama që ndizte sytë e publikut, kanë krijuar për një çast ndjesinë se gjithçka ishte në vendin e vet, se muzika këndonte, trupi hidhte valle, e shpirti prekej. Historike mbetet premiera të martën mbrëma e operës, e cila rikthehet në skenën vendore gati dy dekada pas inskenimit të parë. 

Por magjia nisi të çahej nga realiteti: nga ajri i rëndë që ngufaste turmën, monitorët që më shumë errësonin se ndriçonin, në misionin për të kuptuar se çka ndodh në skenë, kabllot që përplaseshin me këmbët e të pranishmëve, deri te njerëzit që largoheshin nga publiku për të kërkuar një pikë fryme.

Dhe kështu, ajo që mund të ishte një përvojë e plotë e operës u nda më dysh. Në një anë, arti i pastër që lufton për të mbijetuar dhe, në anën tjetër, një organizim që ia prish hijen asaj bukurie që ishte ndërtuar me kaq përkushtim.

Në një mbrëmje që ka ndërthurur mjeshtërinë muzikore me dramatiken skenike, me nxehtësi përvëluese, Opera e Kosovës ka sjellë veprën e tretë operistike prejse ka filluar si institucion. “Carmen” e Georges Bizet, një nga veprat më të njohura të repertorit klasik botëror ia ka ofruar publikut shfaqjen e një performance që do të mbahet në mend gjatë, sidomos për shkak të eksperiencës bashkë me vapën e me kaosin teknik që e ka shoqëruar atë prej fillimit deri në fund.

Pas inskenimit të “Gocës së Kaçanikut” dhe “La Triviatas”, në dy vjetët e kaluar, Opera e Kosovës ka sjellë veprën “Carmen”, e cila në vija të trasha tregon dashurinë, obsesionin dhe xhelozinë, një trekëndësh i rrezikshëm. Vepra është bërë një pjesë integrale e repertorit të teatrove operistikë në mbarë botën dhe është bërë një nga operat më të njohura botërore. Është shkruar në zhanrin e operës komike. Ngjarjet zhvillohen në Spanjën jugore dhe tregojnë historinë e rënies së Don Josés, një ushtari naiv i cili joshet nga dredhitë e Carmenit.

Në katër akte të mbushura me pasion, dramë dhe tension të përhershëm, “Carmen” ka sjellë në Prishtinë një rrëfim dashurie të pamundur që përfundon në tragjedi. Është e frymëzuar nga novela që është shkruar nga Prosper Mérimée në vitin 1845, e që bazohet në një rast vrasjeje që ka ndodhur në Spanjën e vitit 1830. Ndërkaq si operë, “Carmen” ka pasur premierën më 3 mars 1875, në Théâtre national de l'Opéra-Comique në Paris. Pas një “lufte” me drejtuesit e teatrit për ta lënë të paprekur fundin tragjik, Georges Bizet priste fishkëllima dhe brohoritje. Por, pas përfundimit të shfaqjes, publiku kishte rënë një heshtje. Vepra u kritikua aq shumë sa Bizet gati sa nuk e humbi titullin e “Legjionit të Nderit” dhe asnjëherë nuk e pa suksesin e operës “Carmen”, pasi kishte vdekur vetëm 3 muaj pas premierës së saj, pas 33 reprizash të veprës nëpër teatro evropianë.

Në katër akte të mbushura me pasion, dramë dhe tension të përhershëm, “Carmen” ka sjellë në Prishtinë një rrëfim dashurie të pamundur që përfundon në tragjedi (Foto: Arben Llapashtica)

Historia nis me Carmenin (Vikena Kamenica), një jevge e bukur dhe e pavarur, që punon në një fabrikë cigaresh dhe e shkatërron qetësinë e Don Josés (Carlos Cardoso), një ushtar i rezervuar që fillimisht i reziston joshjes së saj, por shpejt bie në rrjetën e pasionit. Kamenica e portretizon Carmenin me një forcë të brendshme që përthyhet në çdo shikim, lëvizje dhe notë, ndërsa Cardoso sjell një Don José të tensionuar, i cili me kalimin e kohës lëshohet në një marrëdhënie që e përpin me gjithçka që ka.
Që në hapje, uvertura e famshme e përçan qetësinë me një energji që paralajmëron shpërthimin e pasioneve të mëvonshme, një nismë që orkestra e Operës e ka përçuar me ndjeshmëri të admirueshme nën drejtimin e Peter Valentoviqit. Muzika nuk është thjesht sfond, por palcë e narratives. “Habanera” e Carmenit, e kënduar prej solistes nga Tirana, Kamenica, e cila në skenë ka synuar të reflektojë pasionin dhe bindjen për dashuri e për të qenë e lirë. Sopranoja shqiptare ka treguar se tërë këtë vepër e ka përjetuar me emocion të madh.

“Me thënë të drejtën, shumë emocion. Në radhë të parë që jam për herë të parë në Operën e Kosovës, e kam thënë dhe normalisht është një emocion i bartur, duke pretenduar që ‘ah, duhej të ishte shumë më përpara’, atë që e themi gjithmonë edhe për Teatrin, që të bëhet sa më shpejt, i Operës së Kosovës, që normalisht kultura, arti, artistët e këtij vendi e meritojnë kaq shumë, të gjithë shqiptarët, edhe ne pse jo, për ta bërë atë shkëmbimin e bukur, të dashur, profesional dhe me shumë dashuri e shumë respekt që kemi për njëri-tjetrin”, ka thënë për KOHËN solistja Vikena Kamenica.

Në këtë rol ajo nuk është debutante, por në skenën me publik kosovar, i është dukur sikur e performon për të parën herë.

“Kam njëzet vjet që e bëj këtë rol, por emocioni këtu më dukej sikur po e bëj për herë të parë, sikur e performoja për herë të parë dhe me thënë të drejtën jam ndier shumë mirë nga pritja e publikut, ndihem shumë e emocionuar dhe ndjeva lot që të më shkonin, kështu që kam marrë një nga ato grimcat e bukura që në karrierën time do të shënjohen shumë me një emocion dhe lumturi për këtë performancë të parë”, ka shtuar ajo.

Pas një nate ku arti ka shkëlqyer në mes të zhurmës, nxehtësisë dhe rrëmujës teknike, “Carmen” ka lënë pas vetes një kujtim të dyfishtë: një triumf të pasionit skenik dhe një “shuplakë” për realitetin infrastrukturor (Foto: Arben Llapashica)

Micaëla (Zana Abazi-Ramadani), një vajzë e re dhe e ndershme që sjell mesazhe nga nëna e Don Josés, përpiqet ta kthejë atë në rrugën e duhur, por ndjenjat e tij janë tanimë të pakthyeshme. Në skenë shfaqet Escamillo (Vitaliy Bilyy), toreadori i famshëm, vetëbesimi i të cilit magjeps Carmenin dhe krijon trekëndëshin fatal të dashurisë. Përmes skenave dinamike me grup, vallëzimeve dhe dueleve, ngjarja zbulohet ngadalë drejt kulmimit dramatik: Carmeni e refuzon Don Josén, duke ia thënë haptas se ajo nuk i përket askujt, dhe në momentin më të errët, në fund të aktit të katërt, Don José e ther me thikë atë, ndërkohë që brenda dëgjohen brohoritjet për Escamillon.

Kur Micaëla këndon arien e saj plot lutje dhe mirësi, e mbështetur nga ndriçimi i zbehtë, ndien një paqe të brishtë që i kundërvihet “zjarrmisë” së Carmenit. Zana Abazi-Ramadani, e cila në operë e luan me mjeshtëri rolin e saj, ka treguar se sa përvojë e mrekullueshme ka qenë ky rol në operë.

“Për mua është jo vetëm hera e parë që bashkëpunoj me institucionin e Operës, kam pasur edhe bashkëpunime të tjera, por është hera e parë që debutoj në këtë rol, Mikaelës në operën ‘Carmen’. Faktikisht, për mua nuk ishte edhe aq e vështirë, ta them të drejtën, por Mikaela kërkon një vokal të jashtëzakonshëm, domethënë shpirti i saj tregon gjithçka që edhe në kohë të sotme, vajzat sakrifikojnë për dashurinë, kështu që po besoj që ajo vetëm edhe reflektoi para publikut”, ka thënë ajo.
Roli i Zunigës (Shaban Behramaj), superiorit të Don Josés, e shton tensionin ushtarak në sfondin e historisë, ndërsa personazhet dytësore si La Dancaïre (Denis Skura), La Remendado (Rizah Jahaj), Mercédès (Elona Sadiku), Frasquita (Urta Haziraj) dhe Morales (Harris Bajraktari) e mbushin skenën me jetë, humor dhe gjallëri të përkohshme që dallon prej tragjedisë në ardhje. Nën mjeshtërinë e dirigjentit Peter Valentoviq dhe regjinë e Ognyan Draganoffit, e gjithë ngjarja rrjedh me ritëm, tension dhe shpërthime emocionale që përçohen me mjeshtëri nga secili interpretues në skenë.

Sopranoja Urta Haziraj, që e ka luajtur rolin e Frasquitas në operë, ka treguar se është dashur të largohen disa gjëra nga opera, për shkak të skenave të caktuara, mirëpo e tëra me katër akte është sjellë si origjinali.

“Njëra nga eksperiencat më të bukura që kam pasur në skenë, ka shkuar mjaft bukur sonte dhe po shpresoj që do të rishihemi me publikun më 24 korrik, në reprizën e kësaj opere. Në fakt, ka gjëra të cilat janë larguar nga opera, për shkak të skenave të caktuara, mirëpo si formë, si tërësi është sjellë e tëra me katër akte si origjinali”, ka thënë ajo.

Në pistën e ngritur, mes tjerash janë shfaqur në vallëzime ekzotike anëtarët e Baletit të Kosovës, djem e vajza me kostume të sofistikuara. Pa ngatërrime me anëtarët e tjerë të veprës, ata kanë fluturuar lehtë mbi skenë, gjatë pjesëve që janë interpretuar vetëm me instrumente të orkestrës. Këtu përfshihet pjesa hyrëse e aktit të parë, dhe pjesët mbyllëse të secilit prej katër akteve.

E famshmja “Toreador Song” e Escamillos, interpretuar nga Vitaliy Bilyy i ka dhënë një ndjesi triumfi operës, dhe performanca e tij, në skenën e stërmbushur me figurantë, është shquar për elegancë dhe kontroll vokal. Përplasjet mes Don Josés dhe Carmenit, veçanërisht në duetet e tensionuara në aktin e tretë dhe të katërt, janë pasuruar nga orkestrimi dramatik që e ka rritur tensionin emocional.

Me pjesëmarrjen e koristëve të rinj nga kori i fëmijëve “Okarina” e të të rriturve nga Kori i Operës së Kosovës, ata kanë sjellë atmosferë komuniteti dhe gjallëri, sidomos në skenat para fabrikës e në ato të oborrit ku toreadori performon.

Me gjithë përkushtimin e dukshëm artistik, nata operistike e vitit është rënduar nga sfida të shumta teknike dhe organizative që e kanë lënë në hije përjetimin e përgjithshëm.

Temperatura e lartë në sallë ka bërë që qëndrimi në publik të jetë një përvojë shumë e vështirë, me mungesë të kushteve elementare për komoditet, as freski, as ventilim funksional.

Që në hapje, uvertura e famshme e përçan qetësinë me një energji që paralajmëron shpërthimin e pasioneve të mëvonshme, një nismë që orkestra e Operës e ka përçuar me ndjeshmëri të admirueshme nën drejtimin e Peter Valentoviqit (Foto: Arben Llapashica)

Dy monitorë të vendosur në dy skajet e skenës madhore supozohej të ofronin përkthimin e libretit në shqip dhe anglisht. Por më shumë nuk kanë funksionuar, duke i lënë të pranishmit të kapen pas fragmenteve të intuitës për t’i ndjekur ngjarjet. Në skajet e skenës, kabllot e shtrira në mënyrë të çrregullt jo vetëm që binin në sy, por sillnin ndjesinë e një përgatitjeje të nxituar. Kjo pamje prapaskenike, e largët nga një standard profesional, e ka zhbërë magjinë e ndërtuar me aq kujdes nga interpretimi skenik e vokal dhe bëhej dëshmi e një potenciali artistik që, për të shkëlqyer plotësisht, ka nevojë për mbështetje dhe kushte dinjitoze.

Nga ana e organizatorëve është thënë se ka qenë mjaft sfiduese inskenimi i kësaj vepre. 

Rreze Kryeziu-Breznica, e cila është kryetare e bordit drejtues të Operës së Kosovës, ka treguar se sipas saj, nga tri veprat operistike që institucioni i ka realizuar deri më tani, kjo pa dyshim ka qenë më e mira, e këto pritshmëri edhe i kishin pasur si organizatorë.
“Kur je pjesë e një organizimi të tillë, e sidomos e një produksioni, siç ishte opera ‘Carmen’, nuk është që as rrugës, as gjatë performancës, arrin të kënaqesh ose të përjetosh, siç edhe ndodh me audiencën. Megjithatë, ky produksion më mori shumë me vete, po besoj që ishte i suksesshëm dhe kjo është vërejtur edhe nga vetë përshtypjet e audiencës, është definitivisht nga tri produksionet e mëdha që i kemi realizuar, unë mendoj që nga organizimi e deri te performanca e sotme ishte një nga produksionet e realizuara më mirë, në fakt kjo edhe pritej nga ne si institucion i Operës së Kosovës, sepse rrugës ne po zhvillohemi së bashku”, ka thënë ajo.

Ka treguar se me gjithë problematikat teknike dhe infrastrukturore, e vlerësojnë si fitore çka do që inskenohet, me të mira dhe me të meta.

“Kjo është sfida më e madhe, kjo është shumë sfidë. Ka probleme të jashtëzakonshme, jo vetëm infrastrukturore, por deri te problematikat teknike. Është e vështirë, por vetëm me pasion, me dashni, me shumë përkushtim ne arrijmë dhe jo rastësisht, secilin prej produksioneve të cilat ne i realizojmë, e konsiderojmë si fitore, me të mirat dhe të metat, të cilat mund t’i kenë ato”, ka shpjeguar për KOHËN Rreze Kryeziu-Breznica.

Meriton Ferizi, ushtrues detyre i drejtorit të Operës së Kosovës, ka thënë se është pritur mirë prej publikut, me duartrokitje të pandalshme.

“Prej të gjitha atyre përgatitjeve për një muaj, besoj që edhe publiku e tregoi me duartrokitje frenetike, i pritën shumë mirë të gjithë këtë produksion, ata 200 pjesëmarrës artistë që ishin në skenë, orkestrën, korin, solistët, baletin, korin e fëmijëve e kështu me radhë”, ka thënë ai.

Por përtej skenës së madhërishme, gjithçka tjetër është ndier si pengesë ndaj artit. Institucionit të Operës, realizimi i kësaj vepre, i ka kushtuar 300 mijë euro, siç e konfirmuar Ferizi.

“Ne nuk kemi punëtorë të brendshëm të punësuar që marrin rroga dhe të gjithë këta pjesëmarrës që i keni parë, janë të angazhuar, kështu që është një buxhet rreth 300 mijë euro, ashtu siç kanë ndodhur edhe operat e tjera, domethënë kah të shkosh, po të krijosh vetë skenografinë, sepse në mungesë të sallës, duhet ta krijosh skenën, kostumet, orkestrën ta angazhosh, korin, të gjithë pjesëmarrësit, solistët, dirigjentin, regjisorë e i gjithë ai ekipi, stafi përcjellës, sepse s’kemi të punësuar, shkon rreth 300 mijë euro”, ka treguar ai.

Sipas tij, për një vit Opera kërkon prej buxhetit të shtetit afro 1 milion euro, për t’i realizuar planet deri në fund të vitit. Kjo vepër do ta ketë edhe reprizën e vet pas dy ditësh të premierës.

“Ne kërkojmë gjithmonë në planin vjetor mbi 1 milion euro në realizimin e planit vjetor. Fillimisht na jepen diku 500 mijë euro, pastaj me kërkesa të ndryshme, na alokojnë mjetet e tjera të nevojshme për ta përfunduar ose për t’i realizuar planet deri në fund të vitit, do të thotë deri në fund të vitit, Opera i merr rreth 1 milion euro”, ka thënë Ferizi.

Nga syri i publikut, profesoresha e muzikës, Besa Luzha, ka treguar se kjo ka qenë një mbrëmje fantastike. Me ariet që shumica e artdashësve i dinë, sipas saj, kjo vepër erdhi në skenë me interpretim në mënyrë të shkëlqyeshme.

“Kjo ka qenë një mbrëmje shumë e bukur, kjo operë e ka tematikën shumë popullore, një dramë dashurie, xhelozie, pasioni, për fat të keq përfundon edhe në mënyrë tragjike, me vrasje, që njerëzit nuk e kanë normalisht për qejf, por muzikalisht është një vepër që shumë shpejt depërton te publiku. Shumicën e arieve i dinë njerëzit ose i dëgjojnë. Erdhi në skenë interpretuar në mënyrë të shkëlqyeshme, me një kastë shumë të mirë”, ka treguar përshtypjet e saj profesoreshë Besa Luzha.

Pas një nate ku arti ka shkëlqyer në mes të zhurmës, nxehtësisë dhe rrëmujës teknike, “Carmen” ka lënë pas vetes një kujtim të dyfishtë: një triumf të pasionit skenik dhe një “shuplakë” për realitetin infrastrukturor. Publiku ka pasur mundësi të përthithë çdo notë, lëvizje, e çdo emocion nga skena, por njëkohësisht është përballur me një sallë që nuk e nderon madhështinë e artit që pret.

Lexo edhe: