Imazhet që bënë xhiron e botës janë shenjat e kujtesës për dëbimin masiv të shqiptarëve nga regjimi serb. Por tash janë bashkuar në një libër edhe disa rrëfime për atë kapitull të trishtë. “Bllaca ’99 – Përjetimet e të dëbuarve me dhunë nga forcat serbe”, sjell histori personale të rrëfimtarëve, të cilat kanë peshën e kujtesës kolektive. Promovimi i librit të mërkurën në po atë vend, ka rikthyer kujtimet e ka përcjellë porosi. Aty ishte kufiri ku takoheshin vdekja, shpresa e jeta
“Çdo gjë që është shqiptare duhej shtypur, sipas vetëdefinimit të dhunës serbe, duhej të shuhej çdo fije shprese dhe duhej ulur dinjitetin deri në përulje”, ka shkruar Avni Spahiu derisa ka kujtuar ditët e deportimit me forcë nga Kosova në Maqedoni, tash Maqedonia e Veriut. Spahiu, midis dhjetëra të tjerëve, kujtimeve u është kthyer për librin “Bllaca ’99 – Përjetimet e të dëbuarve me dhunë nga forcat serbe”.
Bëhet fjalë për një botim ku refugjatë, gazetarë e anëtarë të shoqatave humanitare kanë shkruar për fundmarsin e fillimprillin e vitit 1999. Asokohe mbi 400 mijë shqiptarë ishin detyruar që nëpërmjet trenave të dëboheshin për në Maqedoni.
Rikujtimi që mban gjallë atdhedashurinë
Për dallim të pranverës së ftohtë e me shi të vitit 1999, të mërkurën buzë kufirit moti ka qenë tjetër. Të pranishmit – shumica refugjatë të dikurshëm – janë dukur ndryshe. Kanë munguar shumë veta. Midis tyre Laurent Kastrati. I lindur në tetor të vitit 1998, gjatë qëndrimit në Bllacë do të pësonte pneumoni të thellë. Nuk ia kishte dalë të mbijetonte. Tash do të ishte 25-vjeç. Midis të pranishmëve të mërkurën qe një tjetër fëmijë i asaj kohe – Besa Luta, e bija e Sherife Lutës, gruas që u bë fotografia e ballinave të media ndërkombëtare që ecte e dëbuar nga shtëpia me vajzën në gji.
Libri që estetikisht çalon me të madhe, përmban rrëfime që secili më vete do të mund të ishte botim i veçantë. Hapësira buzë kufirit tash frymon ndryshe. Është shndërruar në kompleks memorial “Bllaca 1999”. Duket ambient i mirëmbajtur. Qindra veta të bashkuar aty kanë marrë botimin prej afro 300 faqesh. Shumica protagonistë të ngjarjeve të vitit 1999 dhe po ashtu edhe rrëfimtar në botim. Shoqata për kthimin e shqiptarëve të shpërngulur nga trojet e veta që udhëhiqet nga Jahja Lluka synon që ky të jetë vetëm vëllimi i parë.
Vetë Lluka përderisa ka falënderuar Komunën e Hanit të Elezit për përkrahjen e këtij botimi, ka thënë se kontributin më të madh për liri e kanë dhënë ata që s’jetojnë më.
“Fatkeqësisht se ata që kanë dhënë kontribut të rëndësishëm për këtë liri sot nuk janë më mesin tonë. Mirëpo, duhet ta dinë që në zemrat e popullit shqiptar janë çdoherë”, ka thënë ai.
Kurse kryetari i Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi, ka thënë se si institucion do të bëjnë të pamundurën që ngjarjet e vitit 1999 të kujtohen.
“Vetëm duke i rikujtuar do të mbajmë gjallë ndjenjën e atdhedashurisë dhe do të jemi vigjilentë ndaj armiqve që aq shumë na deshën të ndarë e të spastruar etnikisht”, ka thënë ai.
Pushteti qendror ka munguar në këtë ceremoni. Deputeti Besnik Tahiri, derisa ka ndarë momente kur vetë ishte refugjat i dëbuar për në Maqedoni, ka thënë se bëhet fjalë për një ngjarje të shënuar në historinë kombëtare dhe subjekt të hulumtimeve shkencore, akademike për qëndresën e shqiptarëve dhe sakrificës së kombit.
“Në shtetin e pavarur të Kosovës tash flasim pa forcat serbe dhe në vendin që sot njihet nga e gjithë bota demokratike me synime euroatlantike. Këtë e kemi arritur falë njerëzve që gjeneratë pas gjenerate i kanë bërë ballë okupatorit”, ka thënë ai.

Triptiku i gjenocideve ndaj shqiptarëve
Në cilësinë e recensentëve të librit kanë folur historianët Hakif Bajrami e Parim Kosova. Bajrami ka bërë thirrje që shqiptarët t’i japin krah njëri-tjetrit.
“Në fund të shekullit XX Serbia i kishte bërë tri programe që ta shfaroste një pjesë të popullit shqiptar dhe ta serbizonte Kosovën. Një program e mbante emrin ‘Gjenocidi ideor”. Aty thuhet se shqiptarët janë racë pa emër, pa histori, pa të kaluar dhe duhet të shfarosen jo nëpër etapa, por menjëherë”, ka thënë ai. Sipas Bajramit, programi i dytë mban emrin “Gjenocidi teorik” dhe programi i tretë “Gjenocidi praktik”.
“Këto tri programe plasohen në libër. Ky libër duhet të shërbejnë si lektyrë shkollore që fëmijët të mësojnë për kampin e Bllacës. Unë e kam përcjellë kampin nga malet, nga uniforma e UÇK-së dhe Zyra e Adem Demaçit. Tërë bota është mahnitur me mikpritjen e shqiptarëve të Maqedonisë dhe për këtë përkulemi para tyre. Ky element nuk duhet harruar dhe duhet të hyjë në çdo enciklopedi kombëtare”, ka thënë ai.
Ndërsa historiani Parim Kosova ka thënë se me qëllim që ta pasurojë edhe më tej këtë Qendër Përkujtimore, Jahja Lluka filloi edhe mbledhjen e dëshmive nga përjetuesit shqiptarë dhe ndërkombëtarë të kësaj tragjedie të shkaktuar nga serbët.
“Serbia filloi të realizonte këtë objektivë nëpërmjet operacionit ‘Patkoi’ duke llogaritur se momenti më i mirë ishte gjatë bombardimeve të NATO-s. Këtë golgotë të shqiptarëve Lluka nëpërmjet materialit të mbledhur nga përjetuesit ka arritur të argumentojë rrallshëm tmerret e shqiptareve që kishin përjetuar gjatë dëbimit”, ka thënë ai.
Nëpërmjet një monologu aktori Xhevat Limani ka sjellë për të pranishmit historinë e foshnjës Laurent Kastrati. Është rrëfim i Daim Hysenit, i cili kishte ndërmarrë hapa që foshnja të dërgohej në spital. Kurse një ansambël fëmijësh nga Hani i Elezit kanë improvizuar valle.

Qendra përkujtimore e pafinalizuar në përmbajtje
Qendra përkujtimore “Bllaca ‘99” e përuruar me Murin e Kujtesës në vitin 2021 është shenjë e deportimit të shqiptarëve të Kosovës nga forcat serbe gjatë bombardimit të NATO-s. Aty vagonët e trenit janë simbolikë e asaj që ka ndodhur. Megjithëse duket pastër dhe e mirëmbajtur, ka nevojë të kurohet. Është e varfër përmbajtësisht. Aty jepet një e dhënë e përgjithshme se mbi një milion shqiptarë janë dëbuar nga Kosova dhe disa citate të udhëheqësve të botës perëndimore kur kanë folur për atë që ka ngjarë në Kosovë.
Vagonët e trenit i kanë të mbështjella dritaret me llastiqe ngjyrë të kuqe. Arsyeja: ato ishin thyer dhe vagonët ishin vandalizuar pas inaugurimit. Hapësira e brendshme do të mund të shërbente si ambient muzeor. Fotografitë që janë të ngjitura nga jashtë janë për mjerim. Nuk e kanë vendin aty.
Telashet e kishin përcjellë këtë hapësirë qysh prej kohës kur është iniciuar. Qeveria e Kosovës kishte ndarë 100 mijë euro për ta përkrahur fazën fillestare të realizimit të projektit të Qendrës përkujtimore për gjenocidin mbi shqiptarët “Bllaca 1999”.
Vendimi i marsit të vitit 2019 për ndarjen e mjeteve e kishte plotësuar atë të shkurtit, nëpërmjet të cilit është aprovuar propozimi për themelimin e qendrës. Mjetet qenë ndarë nga kategoria e shpenzimeve rezervë.
Propozimi ishte bërë nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve me seli në Shkup dhe nga Shoqata për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur nga Trojet e Veta me seli në Prishtinë. Shoqata drejtohej nga Jahja Lluka, njëherësh këshilltar i kryeministrit të atëhershëm të Kosovës, Ramush Haradinaj. Në këtë rast Qeveria kishte ndarë buxhet për realizimin e projektit, bashkëpropozues i të cilit qe një nga këshilltarët e kryeministrit.
“Bllaca 1999” ishte ideuar si një qendër përkujtimore për të cilën, sipas ideatorëve, më vonë do t’i hapej konkurs mbarëkombëtar për projektim të saj. Grupi kishte bërë edhe disa vizita studimore jashtë vendit, por asgjë më shumë.
Tash aty merret vesh pak gjë. “Ne të gjithë kemi parë imazhet e familjeve të vendosura në trena, fëmijë që qajnë për prindërit që nuk mund t’i gjejnë. Refugjatë që tregojnë se si të dashurit e tyre u ndanë dhe u zhdukën”, shkruhet në Murin Përkujtimor. Janë fjalët e sekretares së asokohshme të Shteteve të Bashkuara, Madeleine Albright. Por me gjendjen e tanishme, fjalitë e saj pak janë të prekshme në qendrën përkujtimore “Bllaca ‘99”.