Botë

Franca përballet sot me protestat më masive në vitet e fundit

France

Foto: Associated Press

Franca po përgatitet për një nga ditët më të mëdha të protestave në vitet e fundit, teksa sindikatat do të kenë një shfaqje të rrallë uniteti për të ushtruar presion mbi kryeministrin e ri, Sebastien Lecornu, që të rishqyrtojë shkurtimet buxhetore dhe të veprojë për pagat, pensionet dhe shërbimet publike.

Rreth 800,000 njerëz pritet të dalin në rrugë në marshime në të gjithë vendin të enjten, sipas policisë, ndërsa nga protestat do të preken shkollat, transporti hekurudhor dhe ajror. 

Rreth 80,000 policë është vendosur të jenë në terren gjatë marshimeve.

Pritet të jetë dita më e madhe e demonstratave që nga viti 2023, kur një numër i madh njerëzish dolën në rrugë për të protestuar kundër përdorimit të pushteteve ekzekutive për të shtyrë përpara rritjen jopopullore të moshës së pensionit francez në 64 vjeç nga Emmanuel Macron, pa një votim në parlament, raporton The Guardian.

Dita e demonstratave vjen në një kohë krize politike në Francë, pasi Macroni javën e kaluar emëroi aleatin e tij të ngushtë Lecornu si kryeministrin e tretë brenda një viti - pasi dy të parët, François Bayrou dhe Michel Barnier, u rrëzuan nga parlamenti për shkak të mosmarrëveshjeve të ashpra mbi buxhetin.

Lecornu, i cili e fillon mandatin e tij në detyrë me vlerësime shumë të ulëta popullariteti për një kryeministër të ri, ka shërbyer si ministër i Mbrojtjes në dy qeveritë e mëparshme të rrëzuara dhe po përpiqet të bindë partitë opozitare se po sjell diçka të re, pavarësisht premtimit të një "ndarjeje të thellë" me politikën e së kaluarës.

Shpërthejnë protestat në Francë, dhjetëra të arrestuar

1 muaj më parë / 18 sht 2025 13:34
Paris

Photo: Associated Press

Protesta janë duke u zhvilluar në disa qytete të Francës të enjten, teksa grevat kanë shkaktuar bllokimin e Metrosë së Parisit duke shkaktuar probleme me transportin.

Protestat po sfidojnë qeverinë e presidentit, Emmanuel Macron, dhe propozimet e saj për të shkurtuar fondet për shërbimet publike.

Në Paris, policia ka përdorur gaz lotsjellës që në orët e hershme të mëngjesit për të shpërndarë protestuesit. Policia ka arrestuar më shumë se 50 persona në Paris dhe në qytete të tjera franceze, shkruan Le Figaro.

Udhëheqësja e sindikatës CGT, Sophie Binet, ka thënë për mediat lokale se prania e fortë e policisë e kërkuar nga ministrja e Brendshme në largim po “i hedh benzinë zjarrit”, duke shtuar se reagimi i policisë ishte shumë i ashpër. 

Ajo gjithashtu u ka bërë thirrje më shumë njerëzve të bashkohen në protestë, duke nënvizuar “brishtësinë” e kryeministrit të ri dhe nevojën për t'iu përgjigjur kërkesave sociale. 

Sindikatat e punës që thirrën greva po bëjnë presion për braktisjen e shkurtimeve të propozuara të buxhetit, ngrirjes së ndihmës sociale dhe masave të tjera shtrënguese që kundërshtarët pretendojnë se do të godasin më tej xhepat e punëtorëve me paga të ulëta dhe të klasës së mesme dhe të cilat shkaktuan rrëzimin e qeverive të njëpasnjëshme.