Kulturë

Biblioteka Kombëtare gati një vit pa sistem, nuk ofron shërbime

Biblioteka Kombetare

“Gjatë muajve shtator–tetor 2024, sistemi kishte ndërprerje për rreth një muaj, por u rikthye përkohësisht në funksion. Megjithatë, që nga janari i vitit 2025, shërbimi online dhe katalogu elektronik nuk funksionojnë, për arsye se Biblioteka nuk ka pasur licencat e versioneve të reja të programit ‘Aleph’”, ka sqaruar BKK-ja

Foto: Driton Paçarada

“Jo për besë. S’mund të merret asnjë material”, është përgjigjja që jep përgjegjësja për huazimin e librave apo materialeve të tjera ne Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. Sistemi bibliotekar “Aleph 500” është jashtë funksionit e për pasojë, asnjë i anëtarësuar s’mund të shfrytëzojë literaturën që posedon institucioni më i lartë bibliotekar në vend. “Gjatë muajve shtator–tetor 2024, sistemi kishte ndërprerje për rreth një muaj, por u rikthye përkohësisht në funksion. Megjithatë, që nga janari i vitit 2025, shërbimi online dhe katalogu elektronik nuk funksionojnë, për arsye se Biblioteka nuk ka pasur licencat e versioneve të reja të programit ‘Aleph’”, është përgjigjja e BKK-së

Biblioteka Kombëtare e Kosovës është në prag të rrumbullakimit të një viti prej kur është thjesht strehë e leximit. S’mund të ofrojë në shërbim asnjë libër ose çfarëdo njësie tjetër bibliotekare që e posedon. Thënë shkurt: është veç një lloj arkivi. 

Krejt kjo ka ardhur për shkak të kolapsit të shërbimit bibliotekar, saktësisht sistemit “Aleph 500” që e ofron këtë shërbim. Telashet nuk janë të reja. Zënë vend të paktën këtu e katër a pesë vjet më parë, me sistemin e blerë para dy dekadash. Por tash e gati një vit s’funksionon fare dhe për pasojë, asnjë i anëtarësuar s’mund të shfrytëzojë literaturën që posedon institucioni më i lartë bibliotekar në vend.  

“Jo për besë. S’mund të merret asnjë material”, është përgjigjja që jep zyrtarja që është gjendur përreth pikës prej ku përdoruesit porosisin ndonjë vepër letrare, studimore, revistë, gazetë a çfarëdo tjetër. BKK-ja shpesh cilësohet si hapësira që ruan kujtesën e shkruar të Kosovës e përtej saj. Por ajo kujtesë s’mund të shfletohet. 

“Biblioteka Kombëtare e Kosovës u ofron të gjithë përdoruesve të saj qasje në një gamë të gjerë burimesh, përfshirë libra, gazeta, revista, dhe materiale digjitale. Biblioteka posedon rreth 2.5 milionë materiale, duke përfshirë edhe libra të rrallë, dorëshkrime, harta dhe fotografi”, shkruhet në ueb-faqen e BKK-së. Aty bëhet e ditur se regjistrimi është 12 euro për një vit dhe në këtë çmim përfshihen përdorimi i hapësirave të BKK-së, përdorimi i materialeve të BKK-së, si dhe interneti falas. Hapësirat dhe deri diku interneti janë të shfrytëzueshme. Por materialet jo. 

“Shërbimi bibliotekar i ofrimit të literaturës që kërkohet nga lexuesit dhe studiuesit aktualisht nuk funksionon për shkak të kolapsit të sistemit ‘Aleph 500’, i cili ka qenë në përdorim në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës për menaxhimin e katalogut online dhe të dhënave bibliografike”, shkruhet në përgjigjet e institucionit. Në përgjigje sqarohet se Biblioteka ka hasur vështirësi me këtë program tash e gjysmë dekade. 

“Gjatë muajve shtator–tetor 2024, sistemi kishte ndërprerje për rreth një muaj, por u rikthye përkohësisht në funksion. Megjithatë, që nga janari i vitit 2025, shërbimi online dhe katalogu elektronik nuk funksionojnë, për arsye se Biblioteka nuk ka pasur licencat e versioneve të reja të programit ‘Aleph’”, shkruhet në përgjigje. Bëhet e ditur se jeta teknike e programit ‘Aleph 500’, i instaluar në BKK, ishte rreth 7 vjet, ndërsa ai është përdorur në mënyrë të pandërprerë për plot 19 vjet. 

“Si rezultat, programi është vjetruar, tejkaluar teknologjikisht dhe ka kolapsuar. Pavarësisht përpjekjeve tona për ta rikthyer funksionimin e sistemit ekzistues, janë hasur vështirësi procedurale lidhur me pagesën e licencave për kompaninë e huaj që e mirëmbante programin”, shkruhet në përgjigje. 

Muajin e kaluar u mbajt edicioni i 22-të i “Javës së Bibliotekës”. Nën temën “Biblioteka mes traditës dhe inovacionit” u bë e ditur se BKK-ja po bën  rrjetin bibliotekar kombëtar për bibliotekat e vendit. 

“Sot jam e lumtur që tri projekte të mëdha të Bibliotekës tashmë kanë nisur: Rrjeti Bibliotekar Kombëtar, digjitalizimi i koleksioneve dhe fillimi i masterplanit të renovimit të kësaj ndërtese unike”, kishte thënë drejtoresha e institucionit Blerina Rogova-Gaxha në ceremoninë hapëse. 

Në përgjigjet e institucionit për problemin e shërbimit, sqarohet se Biblioteka Kombëtare i ka dhënë përparësi krijimit dhe implementimit të Rrjetit Bibliotekar të Kosovës, një projekt strategjik që po realizohet aktualisht. 

“Ky rrjet do të ofrojë shërbime shumë më të avancuara për përdoruesit, përfshirë një sistem të ri elektronik të menaxhimit të bibliotekave – programin ‘Koha’, i cili është në fazën e instalimit dhe do të përdoret jo vetëm nga Biblioteka Kombëtare, por edhe nga 48 biblioteka anëtare të rrjetit në gjithë Kosovën”, shkruhet në përgjigje. Sipas institucionit, ky projekt inovativ pritet të sigurojë një platformë moderne, funksionale dhe të qëndrueshme për qasje në literaturë dhe të dhëna bibliografike, duke përmirësuar ndjeshëm cilësinë e shërbimeve për lexuesit dhe studiuesit në të gjithë vendin.

Sa i përket gjendjes së krijuar, KOHA ka kërkuar një koment nga akademik Bardh Rugova, kryetar i Këshillit Drejtues të BKK-së. Krejt situatën ai e ka përshkruar me një fjali. 

“Bibliotekat nuk vlejnë pa shërbimet e tyre”, ka thënë Rugova. 

Në shumicën e aktiviteteve që ka Biblioteka Kombëtare e Kosovës pushtetarët mbajnë fjalime për rolin e saj dhe se si kujdesen veçanërisht për këtë institucion. Madje ambientet e jashtme të saj shërbejnë edhe për fushata elektorale duke përdorur simbolikën e institucionit e edhe për efekt të prapavijës ku u hynë në punë edhe loja me ngjyrat e kupolave varësisht nga loja me drita. 
Vjet në fund të tetorit kur është shënuar 80-vjetori i themelimit të BKK-së, kryeministri tash në detyrë, Albin Kurti kishte thënë se Biblioteka Kombëtare e Kosovës është një monument aktiv i fjalës së shkruar dhe një dëshmi e gjallë e integritetit kombëtar. Sipas Kurtit, në muret e saj jetojnë idetë, zërat dhe ëndrrat e brezave që kanë ndërtuar vetëdijen popullore. 

“Teksa festojmë këtë përvjetor, le të përkushtohemi që të vazhdojmë ta forcojmë rolin e saj si një shtëpi e dijes shkencore dhe bukurisë artistike si dhe një dritë udhëheqëse për të ardhmen”, kishte thënë ai. Por roli i saj primar, shërbimi ndaj lexuesve e studiueseve, ka qenë në telashe të mëdha pikërisht ato ditë. E dy muaj më pas ka rënë krejtësisht. 

“Për herë të parë në historinë e saj 80-vjeçare, ndërtesa e Bibliotekës Kombëtare do të futet së shpejti në renovim të tërësishëm. Hartimi i projektit arkitektonik është shumë afër përfundimit dhe marrjes së pëlqimeve nga institucionet përkatëse të trashëgimisë kulturore. Pjesë e këtij procesi ka qenë edhe vetë akademiku Mutnjakoviq me të cilin janë konsultuar edhe intervenimet e nevojshme në këtë ndërtesë e për këtë ndërtesë. I falënderohemi kontributit të tij dhe jemi shumë mirënjohës për praninë në Kosovë gjatë këtyre ditëve”, kishte thënë Kurti. Derisa projekti i madh i restaurimit s’ka nisur ende, BKK-ja s’e ofron as shërbimin elementar: ofrimin e materialeve të veta për lexues.


Historiku i problemeve me programin “Aleph-500”

Biblioteka Kombëtare e Kosovës ndër vite e ka çuar një pjesë të mirë të buxhetit të vet në programin për shërbime bibliotekare “Aleph-500”. Më 2004 ky program, që është një sistem i integruar për menaxhimin e bibliotekave, ishte blerë për 131 mijë euro për t’u funksionalizuar në atë që asokohe ishte Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës në vitin 2005. Institucioni që asokohe udhëhiqej nga Sali Bashota do të proklamonte këtë si alamet programi funksional dhe për këtë do të paguanin edhe disa biblioteka të qyteteve. Por vazhdimisht hallet ishin të mëdha. 

Në vitin 2015 Ministria e Kulturës kishte bërë një auditim në BKK. Njësia e Brendshme e Auditimit asokohe kishte gjetur se “Aleph-500” i kompanisë izraelite “Ex Libris” kushtonte shumë në raport me përdorimin e pakët që i bëhej. Veç për mirëmbajtje të programit asokohe paguheshin gati 18 mijë euro në vit, duke e rritur këtë shifër nga 3 për qind për çdo vit.  

“Sipas pohimit të zyrtarëve kompetentë të kësaj biblioteke, ky program është shumë i avancuar në kuptimin e funksionalitetit të Bibliotekës dhe për shkak të mungesës së kuadrit profesional në fushën e teknologjisë informative dhe në gjuhën angleze, programi nuk shfrytëzohet as në gjysmën e kapaciteteve të tij”, shkruhej në raportin e auditimit. Auditori kishte konstatuar se bëhet fjalë për pagesa të shumave të konsiderueshme vjetore për një program, funksioni i të cilit nuk përdoret as 50 për qind. Lidhur me funksionimin e “Aleph-500”, Njësia e Auditimit të Brendshëm kishte kërkuar sqarime nga ish-drejtori i BKK-së, asokohe kryetari i Këshillit Drejtues, Sali Bashota. Ai kishte refuzuar të deklarohej. “Nuk është punë e auditimit”, kishte cituar auditori Bashotën. 

“Në fakt ky projekt mund të jetë edhe bosht i temës së auditivit, sepse rreth 18 mijë euro në vit paguhen për mirëmbajtjen e tij nga taksapaguesit e Kosovës e shfrytëzohet vetëm një pjesë e kapacitetit të tij”, shkruhej në raport.