Violand Shabani është baterist, të cilit çdo herë i ka pëlqyer ekstremi i muzikës. Nuk e ka problem të tregohet agresiv. Godet furishëm me shkopinj. Pak ka rëndësi në godet jastëkët – ashtu siç ka bërë kur ishte fëmijë – luan në bateritë e para të improvizuara, apo në bateri të vërteta. Pasioni është gjithherë aty.
Disa kova të turshisë, njëra e mbushur me zall, e disa pjesë të marra nga makina për larjen e rrobave, krijonin pamjen e baterive të para. Të vendosura në kopshtin e tij, bateritë ishin një “skulpturë” e instrument i çuditshëm për trupat e NATO-s, kur do t’i shihnin sefte pas luftës.
Kërkimi i baterive të vërteta nga prindërit, në kohën kur Violandi ishte i ri, ishte një luks që familja e tij nuk mund ta përballonte, shkruan sot Koha Ditore.
“Gjithmonë i kam pasur shtagat me vete, kam ushtruar nëpër jastëkë e nëpër gjana të tjera. Pastaj kam filluar me shokët e mi që të bëj muzikë. Bendi e ka pasur emrin ‘Play’. Kjo punë është në vitin 1997, nëse nuk gaboj. Aty ia kam nisur. Tupanë të vërtetë akustik nuk kam pasur deri vonë, tek pas luftës”, thotë ai.
Dëshiron që muzika të mos mbetet ende si diçka luksoze. Dy dekada pas luftës, thotë se gjithkush duhet të ketë qasje në të. Por për të rinjtë e vendit të tij, problem mbetet lëvizja e lirë e shkëmbimi i eksperiencave midis bateristëve. Pasja e qasjes në muzikë, bërja bashkë e bateristëve të vendit, por edhe sjellja e bateristëve të huaj në Kosovë, u bënë arsye që Shabani të niste festivalin “Prishtina Drum Festival”.
Këtë detyrë ia dha vetes, por edhe dy shokëve të tij, bateristëve të njohur Teoman Ukça e Valon Berisha. E kurorëzuan edicionin e parë më 25 nëntor të vitit të kaluar. Atë ditë, pas koncertit, Shabani për gazetën ka shpalosur një pjesë të fëmijërisë së tij, ka folur për fokusin e tij në muzikë dhe për synimet e Festivalit të parë të baterive në rajon.
Festivali që sfidon kufijtë përmes muzikës
Koncerti që hapi këtë festival njëditor nisi me hip-hop nga Valon Berisha, kaloi në “death metal” përmes Shabanit e u përmbyll me fusion-funk nga Teoman Ukça.
Zotësia që bateristët treguan mori me vete publikun në një xhiro, ku nuk u vërejtën ndryshimet në mes të zhanreve. Organizatorët planifikojnë ta vazhdojnë edhe viteve në vazhdim, në mënyrë që të eliminojnë hapësirën e krijuar në mes të gjeneratave të bateristëve në vend, por edhe për ta promovuar këtë instrument....(Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)