Kulturë

Baleti synon vit të projekteve të reja e udhëtimeve si ikje nga realiteti

Baleti

Më 8 prill, shfaqja “Terminal” do të shfaqet në Trutnov të Çekisë, ndërsa më 8 e 9 maj në El Salvador të Amerikës Qendrore Baleti Kombëtar i Kosovës e jep shfaqjen “Carmina Burana”, shfaqje të cilën vitin e kaluar e pati dhënë edhe në Venecia të Italisë

Projektet paraprake barten si trashëgimi e punës së institucionit shtetëror e automatikisht trashëgohen improvizimet për ta mbajtur të lidhur publikun me artin e baletit. Janë kushte për të cilat, edhe nga Baleti, bëjnë me dije se detyrohen të adaptohen ngase nuk ka rrugëdalje tjetër. Me të njëjtin ritëm të punës, institucioni vazhdon edhe sivjet, ndërsa kushtet meritore i shijon në data të caktuara nëpërmjet prezantimeve ndërkombëtare si arratisje nga realiteti i infrastrukturës kulturore

Baleti Kombëtar i Kosovës hyn në vitin e radhës me projekte të reja artistike e në kushte të vjetra. Projektet paraprake barten si trashëgimi e punës së institucionit shtetëror e automatikisht trashëgohen improvizimet për ta mbajtur të lidhur publikun me artin e baletit. Janë kushte për të cilat, edhe nga Baleti, bëjnë me dije se detyrohen të adaptohen ngase nuk ka rrugëdalje tjetër. Me të njëjtin ritëm të punës, institucioni vazhdon edhe sivjet, ndërsa kushtet meritore i shijon në data të caktuara nëpërmjet prezantimeve ndërkombëtare si arratisje nga realiteti i infrastrukturës kulturore.
Maratonën e angazhimit, Baleti e ka nisur me operën “Goca e Kaçanikut” të Rauf Dhomit në të cilin ansambli i institucionit prezantohet me koreografinë e Sead Vuniqit. E sot (e martë) e shpalos rrëfimin edhe në Shkup, pas Tiranës dhe Gjakovës në nëntor të 2024-s. 

Zëvendësuesi i drejtorit të Baletit Kombëtar të Kosovës, Kreshnik Musolli, ka bërë me dije se programi vazhdon më 16 shkurt me shfaqjen “Exil” me koreografi nga Eno Peçi në kuadër të festimeve të 18-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Produksionin e vitit 2019 që ka për temë historinë e refugjatëve shqiptarë nga Kosova të deportuar dhunshëm nga forcat serbe. Vitin e kaluar kjo shfaqje qe dhënë në Osaka të Japonisë në kuadër të prezantimit të kulturës së vendit në një prej panaireve më të mëdha në botë “ExpoOsaka”.

Në mars nisin përgatitjet për produksionin e parë të ri për sivjet. 

“Prej datës 2 mars fillojmë me përgatitjet për projektin e parë si premierë e këtij viti, që do të shfaqet më 29 prill. Kjo është shfaqje që përbëhet prej dy pjesëve: njëra është me koreografi të Erion Krujës, tjetra është nga braziliani Clebio de Oliveira. Premiera është më 29 prill, në Ditën Ndërkombëtare të Vallëzimit. Kjo do të jetë premiera e parë e vitit 2026”, ka bërë me dije ai në një përgjigje për KOHËN.
Projekti i dytë i Baletit është bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë. 
“Projekti i dytë do të jetë në bashkëpunim me Teatrin e Operës dhe Baletit të Shqipërisë që jepet premierë më 3 dhe 4 tetor në Tiranë, në kuadër të festivalit ‘International Dance Festival of Tirana’. Është me koreografi të Brigel Gjokajt. Punimet do të fillojnë nga 3 shtatori ndërsa premiera do të jepet më 3 e 4 tetor në Tiranë”, ka treguar balerini Musolli. 

Projekt i veçantë ngjan ai të cilin Musolli ka bërë me dije se vjen në bashkëpunim me Filharmoninë e Kosovës me ritmet e “Katër stinëve” të Vivaldit. 

“Në muajin nëntor e kemi projektin e fundit, që do të jetë me koreografi të Toni Candeloros, së bashku me Filharmoninë e Kosovës. Është me muzikë të Vivaldit – ‘Katër stinët’ – por në një version më të modifikuar prej një artisti gjerman që paraqet ndryshimet klimatike, ngrohjen globale e të tjera”, ka shpjeguar ai. Premiera e shfaqjes është caktuar 25 nëntori. 

Baleti Kombëtar ka hyrë në vitin e ri artistik me vizion që e tejkalon kufirin. Pritet të jetë i mbushur me projekte të reja koreografike, bashkëpunime artistike e prezantime jashtë vendit. 

Musolli ka konsideruar se viti i kaluar ka qenë i suksesshëm, sipas tij, sikur çdo vit tjetër i shoqëruar me projekte të reja, repriza e paraqitje ndërkombëtare. Ka thënë se edhe ky vit do të jetë i tillë. 

“Do të jetë shumë dinamik, me shumë aktivitete. Duhet cekur që prej javës së fundit të janarit na veç kemi filluar bashkëpunim me pedagogë të huaj të ftuar. Çdo javë do të vijnë të ndryshëm. Javën tjetër pritet të vijë tjetri. Në periudhën kur nuk jemi duke bërë shfaqje do të vijnë pedagogë të tjerë ku do të jenë gjithsej gjashtë të angazhuar për ta ngritur nivelin teknik dhe artistik të balerinëve”, ka thënë ai. 

Ka bërë me dije se Baleti ka investuar në ngritjen e kapaciteteve profesionale duke angazhuar pedagogë profesionistë ndërkombëtarë për të trajnuar trupën e tij, duke u fokusuar në të rekrutuarit e kohëve të fundit. 

“Është obligative për çdo institucion të baletit në botë. Ata ose e kanë pedagogun rezident ose të ftuar sikurse ne në këtë rast. Është e nevojshme dhe shumë pozitive. Një prej fokuseve më të mëdha të mia është tek gjeneratat e reja. Pikërisht me këta pedagogë që i kam ftuar që të kemi synim që më të rinjtë që janë punësuar së fundi duhet të kenë punë me profesionistë dhe të angazhohen pak më shumë për ta ngritur nivelin e tyre dhe të bëhen pjesë e ekipit me përvojë shumëvjeçare”, ka treguar Musolli. 

Prej mbylljes së objektit të Teatrit Kombëtar të Kosovës në korrik të 2022-s, Baleti ka improvizuar me prezantimet e tyre kryesisht në Amfiteatrin e Pallatit të Rinisë e edhe në Atelie e në salla private që nuk i plotësojnë kushtet. Prapaskena nuk është më mirë. Me orar të kufizuar e me përshtatje të sallës për kërcim baleti, hapësira e ansamblit “Shota” është bërë vendi ku prodhohet vepra artistike e institucionit. 

Zëvendësuesi i drejtorit të Baletit Kombëtar të Kosovës, balerini Kreshnik Musolli, është shprehur se janë kushte me të cilat duhet të adaptohen sepse nuk ka rrugëdalje tjetër.

“Këto janë kushte me të cilat ne patjetër duhet të adaptohemi dhe të funksionojmë brenda këtyre kushteve sepse nuk ka rrugëdalje tjetër. Derisa nuk përfundon procesi i renovimit të Teatrit Kombëtar që të kemi një hapësirë për shfaqje, derisa të mbarojnë procedurat për ta funksionalizuar një sallë të baletit brenda Pallatit të Rinisë, hapësirë që është ndarë prej vitit të kaluar, por janë procedurat janë procedurat nga IKMM. Prej nesh mbetet ta vazhdojmë punën si zakonisht dhe të mbërrijmë suksese një pas një”, është shprehur ai. 

E prezantimet në rajon e ato ndërkombëtare janë një lloj arratisje nga kushtet me të cilat përballen çdo ditë aty prej nga burojnë shumë prej historive të shfaqjeve të tyre të shprehura nëpërmjet baletit. 

Këto prezantime dëshmojnë se arti i Kosovës po gjen gjuhë të përbashkët me publikun ndërkombëtar dhe se ky art depërton përtej politikës e gjeografisë. 

Më 8 prill, shfaqja “Terminal” do të shfaqet në Trutnov të Çekisë ndërsa më 8 e 9 maj në El Salvador të Amerikës Qendrore Baleti Kombëtar i Kosovës e jep shfaqjen “Carmina Burana”, shfaqje të cilën vitin e kaluar e pati dhënë edhe në Venecia të Italisë.

Musolli ka bërë me dije se në fazë të planifikimit është e njëjta shfaqje për në Panama, Kolumbi e Portugali ndërsa më 18 korrik shkon në Romë, pas prezantimit në qytetin e kanaleve. Më 12 e 13 gusht, Baleti merr pjesë në festivalin “International Bodrum Ballet Festival” me shfaqjet “Correr o Fado” dhe “Bolero”. E në tetor, rrëfimi ndërgjegjësues i shfaqjes “Hope” zbërthehet në kryeqytetin austriak me iniciativë të organizatës “Action for Health”. 

E siç e ka bërë traditë Baleti, viti mbyllet me “Arrëthyesin” magjik të Tchaikovskyt, e cila fund vitin që shkoi nuk u dha për shkak të kushteve. Këtë vit publiku do të mund ta ndjekë më 18 dhe 19 dhjetor. 
Ky vit nuk është veç vazhdimësi për aktivitetin e Baletit, por edhe premtim se do të vazhdojë të zhvillohet e të guxojë pavarësisht sfidave. Me hapa të sigurt, trupi i balerinëve është në lëvizje e me sytë drejt botës.