Kulturë

Bajram Sefaj – gazetari e shkrimtari origjinal

Për kolegët, gazetarë e shkrimtarë, Sefaj ishte njeri me origjinalitet në krijimtari e mik i mirë. Vdekja e tij është parë si varfërim i skenës kulturore. “Shumë origjinal dhe ka jetuar për idenë për shkrimin. Është një nga krijuesit i cili shkrimin e ka pasur në plan të parë, qoftë në gazetari ose në letërsi. Në të dyja ka qenë shumë origjinal. Shkrimet e Bajram Sefës janë njohur edhe pa nënshkrimin e tij”, ka thënë shkrimtari Ibrahim Kadriu. Shkrimtari Nazmi Rrahmani e ka përshkruar veprimtarinë e Sefajt si pasqyrim artistik të situatave e ngjarjeve dhe ndodhive në periudha të ndryshme kohore

Kur pas Luftës së Dytë Botërore, Kosova kishte nevojë për kuadro të të gjitha profesioneve, i riu Bajram Sefaj kishte vendosur që të studionte për drejtësi. Më pas shkrimi si dëshirë do t’i peshonte me rëndë e gazetaria dhe proza do të bëheshin profesion për të. Për një jetë të tërë ai do t’i përkushtohej shkrimit. Lajmi për vdekjen e Sefajt është dhënë të martën. Ai ishte 83 vjeç. Për kolegët, gazetarë e shkrimtarë, Sefaj ishte njeri me origjinalitet në krijimtari e mik i mirë. Vdekja e tij është parë si varfërim i skenës kulturore.

I lindur në fshatin Novosellë të Pejës, në ditën e 5-të të janarit 1941, Sefaj përfundoi shkollën fillore në vendlindje, të mesmen në Pejë, ndërsa studimet për drejtësi i mbaroi në Prishtinë.

Punoi si gazetar në “Rilindje”, pastaj në gazetën “Vjesnik” të Zagrebit dhe gazetar e redaktor në Televizionin e Prishtinës. Sipas biografisë së tij në “Fjalorin enciklopedik të Kosovës”, botuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Sefaj nisi të merrej me shkrime në vitet ’60.

“Shkroi kryesisht prozë, por edhe poezi për të rritur dhe fëmijë. Ka botuar librat me tregime: ‘Tri pika’ (1980), ‘Rruga deri në kallëzim’ (1983), ‘Java ka shtatë ditë’ (1983), ‘Blu dhe gri’ (1995), librat me novela: ‘Shëtitje ëndrrash’ (1997), ‘Sa është ora’ (2006) dhe romanet ‘Parisi kot’ (2003), ‘Terra nulltas’ (2009), ‘Ani çka’ (2012). Ka botuar edhe vëllimin me poezi ‘Në ecje’ (2005), si dhe dramën ‘(S’)ikin dritat’ (2011)”, shkruhet në biografi. Po aty shkruhet se nga veprimtaria e tij shumëvjeçare publicistike dhe pjesëmarrja në aktivitete e manifestime të ndryshme, takimet me personalitete të ndryshme, vizitat që u ka bërë shumë vendeve ka botuar edhe librat publicistikë: “Shenjë kohe – signum temporis” (1998), “Gazetaria ime” (2007), “Plot Shqipëri” (2008), dhe “Shpen’ udhëtar” (2014).

Shkrimtari Ibrahim Kadriu, dikur koleg me Sefajn në “Rilindje”, ka thënë se ai ka qenë një krijues origjinal.

“Shumë origjinal dhe ka jetuar për idenë për shkrimin. Është një nga krijuesit i cili shkrimin e ka pasur në plan të parë, qoftë në gazetari ose në letërsi. Në të dyja ka qenë shumë origjinal. Shkrimet e Bajram Sefës janë njohur edhe pa nënshkrimin e tij. Kjo tregon se ai nuk ka punuar sa për rrogë”, ka thënë Kadriu. Sipas Kadriut, Sefaj kur ka hyrë në letërsi ka vazhduar me zhargon gazetaresk, por megjithatë e ka mbajtur origjinalitetin në shkrim.

“Në këtë rrugëtim të gjatë emri i tij ka qenë aktual vazhdimisht. Nuk është ndalur kurrë, por vazhdimisht është lajmëruar te lexuesit me shkrime origjinale. Ka qenë shumë i shoqërueshëm, aspak i mërzitshëm dhe sjelljet që i ka pasur kanë qenë origjinale. Mbi të gjitha e ka çmuar shoqërinë”, ka thënë Kadriu.

Shkrimtari Nazmi Rrahmani, njëkohësisht botues i disa veprave të Sefajt, ka thënë se vdekja e Bajram Sefajt, sigurisht sikurse vdekjet e të gjithë autorëve të cilët kanë lënë gjurmë në veprimtari dhe përgjithësisht në veprimtarinë letrare, është humbje edhe për krijimtarinë e natyrisht edhe për lexuesit.

“Bajrami me veprën e tij të filluar mjaft herët dhe shumë intensive viteve të fundit, me mënyrën e paraqitjes të tematikës së trajtuar dhe të temave që ka marrë, do t’i mungojë kulturës sonë”, ka thënë Rrahmani.

E ka përshkruar prozën e Sefajt si një pasqyrim artistik të situatave e ngjarjeve dhe ndodhive në periudha të ndryshme kohore.

“Shtëpia botuese ‘Faik Konica’ ka botuar disa vepra të tij të fundit që janë me rëndësi për letërsinë tonë, por edhe disa vepra nga publicistika dhe aktualiteti momental në vendin tonë”, ka thënë Rrahmani.

Sefaj njihej si person që jetonte për shkrimin. Në rubrikën “7 shkronjat” në “E diela me Koha Ditore”, në korrikun e vitit 2017, ai do të shkruante se “Letërsia është letërsi dhe libri është libër”.

“Kopertinat e librit janë si kapakët e një kutie magjike! Libri nuk është për t’u parë, pos në vitrina e rafte librarish, mirë të aranzhuar e të kompozuar. Libri është për t’u lexuar, aman! Nuk (na) hyn në punë sot, në këtë mes. Po, ku synoj të dal, me këtë rast. Dua të pikas (të vras) një dukuri të shëmtuar, kur ngjan edhe më e keqe, sidomos kohëve të fundit, pothuajse përsëritet (ndeshet) çdo ditë, në çdo hap, e në çdo vakt. Madje edhe në mesin e gazetarëve, por edhe të disa kuazi krijuesve vetë”, do të shkruante ai në korrik të vitit 2015. “Libri është art leximi, kurse art(et) pamor(e) është (janë), arti figurativ, punimet e çdo lloji, në pikturë, skulpturë e të tjera eksponate, tek ekspozita kudo e kurdo”, do të shkruante Sefaj në këtë rast.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës nëpërmjet një telegrami të ngushëllimit për familjen Sefaj ka përshkruar gazetarin e shkrimtarin si një kontributdhënës të madh.

“Ai për shumë vjet ka punuar si gazetar në gazetën ‘Rilindja’, por që ka qenë edhe korrespodent për disa media ndërkombëtare. Krahas gazetarisë, ai është marrë edhe me krijimtari letrare, dhe është autor i disa veprave letrare në tregime, prozë, poezi e publicistikë”, shkruhet në telegram.

Pas lajmit për vdekjen e Sefajt, shkrimtari e profesori universitar i letërsisë, Ag Apolloni ka thënë se në letërsinë dhe jetën shqiptare, ku është rregull qëndrimi narcistik, ai ishte, si askush tjetër, autoironik. “Autoironia e bënte interesant dhe të veçantë. Një shkrimtar i tillë jo vetëm që e pasuron letërsinë me një lloj diskursi hokatar, por bëhet edhe vetë model për personazh letrar”, ka shkruar Apolloni në Facebook. Ka shtuar se çdo kafe me të ka qenë një aheng përplot anekdota, “aq sa shpesh klientët kthenin kokën e qeshnin bashkë me ne”.

“Ai ka lënë pas vetes aq shumë rrëfime autoironike, situata komike dhe dashuri për miqtë, saqë jeta e tij s’ka se si të mos na frymëzojë, dhe vdekja e tij s’ka se si të mos na pikëllojë. Lamtumirë, njeri i mirë”, ka shkruar Apolloni.

Bajram Sefaj shquhej për ironinë me veten. Nga kolegë e miq përshkruhet si person që në tavolinë gjithnjë ka bërë humor në llogari të vetes. Këtë e bënte edhe në takimet me gjeneratat e reja. Sefaj, i cili kohëve të fundit ka jetuar midis Parisit e Prishtinës, do të kujtohet edhe për kontributin e tij në gazetari e publicistikë.