Futboll

Mourinho kthehet në Portugali, arrin marrëveshje me Benfican

Jose Mourinho

Jose Mourinho do të jetë trajner sërish në Portugali dhe kthehet në shtetin e tij pas më shumë se dy dekadash. 

Benfica ka njoftuar të enjten se ka arritur marrëveshje me Mourinhon, 21 vjet pasi e fitoi Ligën e Kampionëve me Porton, në vitin 2004. 

Mourinho e nisi karrierën si trajner në vitin 2000, por periudha e tij në krye të këtij klubi kishte zgjatur vetëm tre muaj. 

Ai do të kthehet në Ligën e Kampionëve po ashtu pas pesë vjetësh mungesë. 

Për herë të fundit e kishte udhëhequr Tottenhamin në garën elitare në vitin 2020, por ishte eliminuar në 1/8 e finales. 

Mourinho po ashtu e ka fituar Championsin me Interin në vitin 2010. 

Tekniku portugez së fundmi ishte trajner i Fenerbahçes, por nuk pati suksese. 

U eliminua pikërisht nga Benfica në plejofin për inkuadrim në fazën e ligës, në Ligën e Kampionëve.